Universiteti i Tetovës - UT

Universiteti i Tetovës - UT Universiteti i Tetovës - qendër e arsimit sipëror në gjuhën shqipe.

Rreth 1300 studentë të rinj pranohen në afatin e parë të regjistrimit në Universitetin e Tetovës Pas publikimit të rezul...
02/09/2026

Rreth 1300 studentë të rinj pranohen në afatin e parë të regjistrimit në Universitetin e Tetovës

Pas publikimit të rezultateve përfundimtare të afatit të parë për pranimin e studentëve në vitin akademik 2026/27, nga 1800 aplikime, rreth 1300 kandidatë e kanë fituar të drejtën e regjistrimit në Universitetin e Tetovës. Me këtë rast, Zyra për Arsim u bën thirrje kandidatëve të pranuar që ta kryejnë regjistrimin e semestrit të parë nga 1 deri më 4 shtator 2026.
Përpara regjistrimit, kandidatët këshillohen që t’i lexojnë me kujdes informacionet lidhur me tarifën e semestrit, në varësi të kategorisë në të cilën janë pranuar.

Regjistrimi paraprak duhet të kryhet online, përmes platformës zyrtare:
https://sites.google.com/unite.edu.mk/regjistrimet/rezultatet

Regjistrimi online bëhet përmes profilit personal të aplikimit. Kandidatët mund të kyçen në profilin e tyre duke përdorur adresën e e-mailit me të cilën kanë aplikuar dhe fjalëkalimin e dërguar gjatë aplikimit.

Universiteti i Tetovës rikujton se kandidati i pranuar, i cili nuk e kryen regjistrimin e semestrit brenda afatit të përcaktuar, e humb të drejtën mbi kuotën e fituar, ndërsa vendi do të shpallet i lirë në afatin e radhës.

Pas përfundimit të regjistrimit online, kandidatët duhet ta dorëzojnë fletëpagesën dhe fotografitë në administratën përkatëse, brenda datave të përcaktuara për regjistrim.

Kandidatët shtetas të huaj duhet t’i tërheqin dokumentet për të vijuar procedurën e nostrifikimit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe t’i zëvendësojnë ato me kopje.

Ndërkaq, kandidatët e tjerë duhet t’i tërheqin dokumentet origjinale nga administrata dhe t’i zëvendësojnë ato me kopje.

Në rast të problemeve me kyçjen në profilin e aplikimit për shkak të problemeve me e-mailin, kandidatët mund ta kontaktojnë Universitetin e Tetovës në adresën elektronike: [email protected]

Ndërsa, kandidatët të cilët nuk janë pranuar në afatin e parë, do të kenë mundësi që, përmes të njëjtit profil të aplikimit, të aplikojnë në afatin e dytë, nga 7 deri më 11 shtator 2026, në programet studimore ku do të ketë vende të lira.

Universiteti i Tetovës u uron suksese të gjithë kandidatëve të pranuar dhe i fton ata që t’i respektojnë afatet dhe procedurat e përcaktuara për regjistrim.

Studentja e Universitetit të Tetovës, Arta Iljazi, pjesë e programit ndërkombëtar të CERN-it  Studentja Arta Iljazi nga ...
01/09/2026

Studentja e Universitetit të Tetovës, Arta Iljazi, pjesë e programit ndërkombëtar të CERN-it

Studentja Arta Iljazi nga katedra e Fizikës, gjatë verës së këtij viti pati mundësinë të jetë pjesë e CERN Summer Student Programme, në Gjenevë të Zvicrës, i cili është njëri prej programeve ndërkombëtare më prestigjioze për studentët e fizikës.

Në kuadër të programit, Arta punoi në eksperimentin NA61/SHINE, duke u përqendruar në studimin e konfigurimeve të ndryshme të tufës së grimcave për matjet e neutrinove. Puna e saj përfshiu analizimin e konfigurimeve të tufës, analizën e të dhënave të detektorëve dhe kontributin në sistemin e Kontrollit të Cilësisë Offline, i cili përdoret për monitorimin e performancës dhe stabilitetit të eksperimentit.

Programi i ofroi mundësinë të marrë pjesë në ligjërata, punëtori, vizita në eksperimente dhe projekte kërkimore, si dhe të bashkëpunojë me shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës. Temat e trajtuara përfshinë fizikën e grimcave, akseleratorët, detektorët, analizën e të dhënave dhe teknologjitë moderne.

Kjo përvojë i mundësoi Artës të zbatojë njohuritë e fituara gjatë studimeve në një mjedis ndërkombëtar kërkimor dhe të marrë pjesë drejtpërdrejt në një bashkëpunim shkencor të nivelit të lartë.

CERN Summer Student 2026 është një përvojë që dëshmon se studimet universitare mund të jenë një hap i rëndësishëm drejt pjesëmarrjes në kërkime shkencore ndërkombëtare.

Kuvendi Studentor i UT-së kërkon që provimet shtetërore të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe Kuvendi Studentor i Universi...
31/08/2026

Kuvendi Studentor i UT-së kërkon që provimet shtetërore të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe

Kuvendi Studentor i Universitetit të Tetovës kërkon nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut që provimi i jurisprudencës, provimi për noter, provimi për përmbarues dhe provimet e tjera shtetërore profesionale të organizohen edhe në gjuhën shqipe.

Në kërkesën drejtuar Ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari, Kuvendi Studentor thekson se kjo çështje i është adresuar disa herë gjatë dy viteve të fundit Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera kompetente, por deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje konkrete.

Studentët kërkojnë që provimet, materialet për përgatitje dhe të gjitha pjesët përbërëse të tyre të jenë në dispozicion edhe në gjuhën shqipe, duke vlerësuar se organizimi i tyre vetëm në gjuhën maqedonase krijon pabarazi dhe vështirësi shtesë për studentët shqiptarë, të cilët studimet i ndjekin në gjuhën shqipe.

Sipas kryetarit të Kuvendit Studentor, Gent Kurtishi, kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me respektimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit. Në këtë drejtim, studentët kërkojnë zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke iu referuar veçanërisht nenit 23, paragrafëve 4 dhe 5.
“Nuk është e pranueshme që studentët që studiojnë në gjuhën shqipe të përballen me kushte të ndryshme gjatë përfundimit të procesit të tyre profesional. Gjuha e studimit duhet të jetë edhe gjuha në të cilën studenti ka mundësi të japë provimet profesionale shtetërore.” -theksohet në kërkesën e Kuvendit Studentor, të dorëzuar sot në Ministrinë e Drejtësisë.

Kuvendi Studentor vlerëson se mundësia për zhvillimin e këtyre provimeve edhe në gjuhën shqipe do të garantonte kushte të barabarta për të gjithë kandidatët, duke lehtësuar rrugëtimin e tyre drejt ushtrimit të profesioneve juridike dhe duke krijuar mundësi të barabarta për punësim dhe zhvillim profesional.

Studentët konsiderojnë se ekzistojnë si bazat ligjore, ashtu edhe mundësitë praktike për organizimin e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore në gjuhën shqipe dhe maqedonase, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.

Në fund, Kuvendi Studentor i Universitetit të Tetovës i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të ndërmarrë masat e nevojshme dhe të japë një zgjidhje konkrete për këtë çështje, në mënyrë që të gjithë studentët dhe kandidatët të kenë trajtim dhe mundësi të barabarta në procesin e avancimit të tyre profesional.

Publikohen rezultatet preliminare të regjistrimit në Universitetin e Tetovës për vitin akademik 2026/2027 Universiteti i...
31/08/2026

Publikohen rezultatet preliminare të regjistrimit në Universitetin e Tetovës për vitin akademik 2026/2027

Universiteti i Tetovës i njofton të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar në afatin e parë të regjistrimit për vitin akademik 2026/2027 se rezultatet preliminare të regjistrimit janë publikuar.

Për rezultatet mund të informoheni në faqen zyrtare të Universitetit të Tetovës, në rubrikën e dedikuar për regjistrimet: https://sites.google.com/unite.edu.mk/regjistrimet/rezultatet
Sipas njoftimit zyrtar, kandidatët kanë të drejtë të bëjnë ankesë vetëm në rast të lëshimeve teknike:
https://sites.google.com/unite.edu.mk/regjistrimet/ankesa

Për kandidatët që nuk kanë arritur të sigurojnë një vend gjatë afatit të parë, do të mbahet edhe afati i dytë i regjistrimit, nga 7 deri më 11 shtator 2026, në kuadër të vendeve të lira të mbetura.

Regjistrimi në afatin e dytë do të zhvillohet në përputhje me kushtet dhe afatet e përcaktuara në Konkursin për regjistrimin e studentëve në ciklin e parë të studimeve për vitin akademik 2026/2027.

Universiteti i Tetovës u uron të gjithë kandidatëve suksese në rrugëtimin e tyre akademik dhe i falënderon për besimin e treguar ndaj Universitetit.

Në Universitetin e Tetovës u zhvilluan provimet pranuese për programet studimore me kritere të veçanta pranimi Në kuadër...
31/08/2026

Në Universitetin e Tetovës u zhvilluan provimet pranuese për programet studimore me kritere të veçanta pranimi

Në kuadër të procesit të regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027, në Universitetin e Tetovës u zhvilluan provimet pranuese për programet studimore për të cilat, në përputhje me kriteret e përcaktuara në Konkurs, kërkohet vlerësimi i njohurive, aftësive dhe shkathtësive të kandidatëve.

Provimet pranuese u organizuan në pesë njësi akademike të Universitetit të Tetovës, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, Fakultetin e Kulturës Fizike, Fakultetin e Shkencave të Zbatuara, Fakultetin Pedagogjik dhe Fakultetin e Arteve.

Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, provimet pranuese u zhvilluan për programet studimore: Mjekësi e Përgjithshme, Mjekësi Dentare dhe Farmaci. Në Fakultetin e Kulturës Fizike, provimeve pranuese iu nënshtruan kandidatët që kanë aplikuar në programet: Kulturë Fizike dhe Shëndetësi, Trajner i Sportit – Futboll, Trajner i Sportit – Basketboll, Trajner i Sportit – Volejboll dhe Trajner i Sportit – Sportet Mundëse. Në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara, provimi pranues u zhvillua për kandidatët e programit studimor Arkitekturë, ndërsa në Fakultetin Pedagogjik provimet pranuese u organizuan për programet Edukim Parashkollor dhe Mësim Klasor. Ndërkaq, në Fakultetin e Arteve, provimet pranuese u zhvilluan për programet e Artit Figurativ: Pedagogji Figurative, Pikturë, Skulpturë, Grafikë dhe Dizajn Grafik, si dhe për programet e Artit Muzikor: Pedagogji Muzikore, Muzikologji dhe Solo Këndim.

Organizimi i provimeve pranuese përbën një pjesë të rëndësishme të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve në programet studimore që kërkojnë njohuri, prirje dhe aftësi specifike. Përmes këtij procesi bëhet vlerësimi i përgatitjes së kandidatëve dhe i potencialit të tyre për ndjekjen me sukses të studimeve në programet e përzgjedhura. Rezultatet preliminare do të shpallen ditën e hënë më 31 gusht 2026.

Studentja e Universitetit të Tetovës pjesë e programit ndërkombëtar kërkimor “Dive Into Research ” Universiteti i Tetovë...
27/08/2026

Studentja e Universitetit të Tetovës pjesë e programit ndërkombëtar kërkimor “Dive Into Research ”

Universiteti i Tetovës vazhdon të krijojë dhe mbështesë mundësi të reja për studentët e tij në fushën e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, duke kontribuuar në zhvillimin e tyre profesional dhe avancimin e mëtejshëm akademik.

Në kuadër të këtyre mundësive, Vesa Fetai, studente e ciklit të dytë në programin studimor Matematikë në Fakultetin e Shkencave Matematike - Natyrore të Universitetit të Tetovës, është përzgjedhur për të marrë pjesë në programin ndërkombëtar kërkimor “Dive Into Research ” i cili zhvillohet në Dresden të Gjermanisë.

Programi me tematikën “Combinatorics in Algebraic Statistics and Game Theory”, u mundëson pjesëmarrësve të angazhohen në tema dhe probleme të kërkimit bashkëkohor, të punojnë nën udhëheqjen e mentorëve dhe studiuesve me përvojë, si dhe të shkëmbejnë njohuri dhe ide me studentë e studiues nga komuniteti akademik ndërkombëtar.

Për Vesën, pjesëmarrja në këtë program është hap i rëndësishëm në rrugëtimin e saj akademik dhe kërkimor, që i ofron mundësi për zgjerimin e njohurive, pasurimin e përvojës shkencore, zhvillimin e bashkëpunimeve të reja dhe krijimin e kontakteve me komunitetin akademik ndërkombëtar.

Pjesëmarrja e studentëve të Universitetit të Tetovës në programe të tilla ndërkombëtare dëshmon rëndësinë që ka ndërthurja e njohurive të fituara gjatë studimeve me përvojën praktike dhe kërkimore në mjedise akademike ndërkombëtare. Këto përvoja kontribuojnë në formimin e një brezi të ri studiuesish dhe në forcimin e mëtejshëm të dimensionit ndërkombëtar të arsimit dhe kërkimit shkencor.

Universiteti i Tetovës, zgjedhje e të rinjve nga vendi, rajoni dhe diasporaPërpos të rinjve nga vendi, dhjetëra kandidat...
26/08/2026

Universiteti i Tetovës, zgjedhje e të rinjve nga vendi, rajoni dhe diaspora

Përpos të rinjve nga vendi, dhjetëra kandidatë nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Lugina e Preshevës dhe mërgata, aplikojnë për regjistrim në programet studimore të Universitetit të Tetovës.

Nga Zyra për Arsim e Universitetit të Tetovës bëjnë të ditur se, me fillimin e afatit të parë të regjistrimit për vitin akademik 2026/2027, në njësitë e Universitetit është evidentuar një interesim i lartë i të rinjve, të cilët aplikojnë dhe e dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u regjistruar në degët e tyre të preferuara.

Si universiteti i parë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Universiteti i Tetovës ndër vite ka zgjeruar ofertën arsimore, e ka konsoliduar sistemin e tij digjital, duke e bërë procesin e aplikimit dhe regjistrimit më të lehtë, më të qasshëm dhe më efikas për kandidatët nga vendi dhe jashtë tij.

Sot, harta e kandidatëve të cilët shfaqin interes për të studiuar në Universitetin e Tetovës është zgjeruar dukshëm. Krahas të rinjve nga vendi, një pjesë e konsiderueshme e kandidatëve potencialë vijnë nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Lugina e Preshevës dhe nga diaspora. Sipas të dhënave të Zyrës për Arsim, rreth 10 për qind e studentëve potencialë vijnë nga këto hapësira.

Kjo shtrirje e interesimit, sipas Zyrës për Arsim, është rezultat i besueshmërisë që Universiteti i Tetovës ka ndërtuar në rajon, reformave të vazhdueshme, ofertës së pasur studimore dhe infrastrukturës moderne që tashmë e karakterizon këtë institucion të arsimit të lartë.

Duke u mbështetur në misionin dhe rolin e tij, Universiteti i Tetovës vazhdon të krijojë mundësi për të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm, që të arsimohen dhe të formohen profesionalisht në mbi 100 programe dhe drejtime studimore. Oferta është hartuar në përputhje me zhvillimet bashkëkohore dhe, në veçanti, me kërkesat gjithnjë në ndryshim të tregut të punës.

Universiteti i Tetovës synon që studentëve t’u ofrojë jo vetëm njohuri akademike, por edhe një përgatitje profesionale e cila u mundëson atyre të jenë të gatshëm për sfidat e tregut modern të punës dhe për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës së tyre.

Procesi i regjistrimit në Universitetin e Tetovës zhvillohet me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë. Për këtë qëllim, është angazhuar administrata profesionale e Universitetit, e cila u ofron kandidatëve mbështetjen dhe informacionin e nevojshëm gjatë gjithë procesit të aplikimit, në mënyrë që secili prej tyre ta realizojë të drejtën për të aplikuar dhe për të zgjedhur fakultetin dhe programin ku dëshiron të formohet profesionalisht.

Universiteti i Tetovës ofron mundësi të shumta për studime, transferim, rikualifikim dhe avancim akademik Fakulteti i Sh...
25/08/2026

Universiteti i Tetovës ofron mundësi të shumta për studime, transferim, rikualifikim dhe avancim akademik

Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës vazhdon të mbetet ndër zgjedhjet më të preferuara për kandidatët që dëshirojnë t’i ndjekin studimet universitare në gjuhën shqipe. Interesimi për programet e këtij fakulteti është i lartë, ndërsa interesim i kënaqshëm vërehet edhe për fakultetet dhe programet e tjera studimore të Universitetit të Tetovës.

Për vitin akademik 2026/2027, UT ka hapur mundësi të shumta për kandidatët që synojnë ta fillojnë apo vazhdojnë rrugëtimin e tyre akademik. Përveç regjistrimit të studentëve të rinj në ciklin e parë, universiteti ka paraparë edhe mundësi për transferimin e studimeve, rikualifikimin dhe regjistrimin në ciklin e dytë të studimeve.

Në kuadër të këtyre mundësive, kandidatët që kanë filluar studimet në institucione të tjera të arsimit të lartë dhe dëshirojnë t’i vazhdojnë ato në Universitetin e Tetovës, mund të aplikojnë për transferim të studimeve, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga universiteti.
Një mundësi tjetër është rikualifikimi, i cili u ofron kandidatëve mundësinë për të ndjekur një drejtim tjetër studimi. Po ashtu, Universiteti i Tetovës u ofron mundësi edhe kandidatëve që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë dhe dëshirojnë të vazhdojnë arsimin e tyre universitar në ciklin e dytë të studimeve, duke zgjeruar kështu mundësitë për avancim akademik dhe profesional.

Krahas interesimit të madh për Fakultetin e Shkencave Mjekësore, në afatin e parë të regjistrimit (24 – 28 gusht 2026), vërehet interesim edhe për njësitë tjera akademike. Kjo dëshmon për një ofertë të gjerë akademike dhe për mundësi të ndryshme që u ofrohen të rinjve dhe kandidatëve që dëshirojnë ta ndërtojnë apo të avancojnë në karrierën e tyre profesionale.

Me këto mundësi, Universiteti i Tetovës synon t’u përgjigjet nevojave të kategorive të ndryshme të studentëve dhe kandidatëve, nga ata që sapo përfundojnë arsimin e mesëm, te studentët që dëshirojnë të transferojnë studimet, kandidatët që synojnë rikualifikim, si dhe ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në nivelin master.

Për kushtet, kriteret dhe afatet e aplikimit, kandidatët duhet t’u referohen njoftimeve dhe konkurseve zyrtare të publikuara nga Universiteti i Tetovës.

Për më shumë hollësi, klikoni: https://unite.edu.mk/apliko/

Në Universitetin e Tetovës filloi afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj Në Universitetin e Tetovës sot ka fi...
24/08/2026

Në Universitetin e Tetovës filloi afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj

Në Universitetin e Tetovës sot ka filluar afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027. Procesi i aplikimit do të jetë aktiv deri në fund të kësaj jave, ndërsa maturantët do të kenë mundësi të zgjedhin programet studimore, të cilat ofrohen në 13 fakultetet e Universitetit.

Me këtë rast, Rektori i Universitetit të Tetovës theksoi se regjistrimet e këtij viti fillojnë pas përfundimit të suksesshëm të një procesi të rëndësishëm për institucionin – riakreditimit të programeve studimore dhe njësive akademike. “Risia e këtij viti akademik është se regjistrimet fillojnë pas përfundimit me sukses të procesit të riakreditimit të të gjitha programeve studimore dhe të gjitha njësive akademike. Në kuadër të këtij procesi kemi pasur ndryshime të theksuara në shumicën e programeve studimore, ndërsa kemi edhe disa programe të reja”, deklaroi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në kuadër të ofertës së re akademike, Fakulteti Ekonomik do të ofrojë programet Kontroll Financiar; Dogana dhe Shpedicion, ndërsa Fakulteti i Shkencave të Zbatuara do të pasurohet me programet Infrastrukturë Rrugore dhe Dizajn i Interierit. Për vitin akademik 2026/2027, Universiteti i Tetovës ka në dispozicion gjithsej 3164 vende, të shpërndara në programet studimore të 13 fakulteteve. “Presim që maturantët t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për aplikim, përkatësisht ta zgjedhin Universitetin e Tetovës, për faktin se Universiteti ynë tashmë ka një traditë të theksuar në arsimin e lartë dhe është njëri prej universiteteve që synon në vazhdimësi ngritjen e cilësisë”, theksoi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Ai nënvizoi se një ndër synimet kryesore të Universitetit mbetet përshtatja e programeve studimore me nevojat bashkëkohore dhe krijimi i mundësive që të diplomuarit të jenë sa më konkurrues në tregun e punës. “Universiteti në vazhdimësi synon ngritjen e cilësisë dhe kërkon që tregu i punës t’i absorbojë studentët tanë. Besoj se janë disa indikatorë të theksuar që u bëjnë me dije maturantëve se Universiteti i Tetovës është përzgjedhja e tyre e duhur”, u shpreh ndër të tjera Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Universiteti i Tetovës u bën thirrje maturantëve që, brenda afatit të paraparë (24–28. 8. 2026), të aplikojnë në programet studimore që përputhen me interesimet dhe synimet e tyre profesionale, duke u bërë pjesë e gjeneratës së re të studentëve të UT-së.

https://unite.edu.mk/apliko/

https://unite.edu.mk/konkurs-per-regjistrim-2026-27-cikli-i/

E ARDHMJA FILLON ME ZGJEDHJEN E DUHUR, REGJISTROHU NË FAKULTETIN E ADMINISTRIMIT TË BIZNESIT NË KUMANOVËAPLIKO NË PROGRA...
01/08/2026

E ARDHMJA FILLON ME ZGJEDHJEN E DUHUR, REGJISTROHU NË FAKULTETIN E ADMINISTRIMIT TË BIZNESIT NË KUMANOVË

APLIKO NË PROGRAMET TONA STUDIMORE:

https://unite.edu.mk/apliko/

ADMINISTRIM BIZNESI

Zhvillo njohuritë dhe aftësitë në menaxhim, financa, marketing dhe sipërmarrje.
Përgatitu për një karrierë të suksesshme për tregun vendor dhe ndërkombëtar.

ADMINISTRATË PUBLIKE

Fito kompetenca për menaxhim efikas në sektorin publik dhe për ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve.
Ndërto një karrierë të qëndrueshme me ndikim në zhvillimin e shoqërisë.

INFORMATIKË AFARISTE

Kombino teknologjinë me biznesin.
Mëso sistemet informative, analizën e të dhënave, programimin dhe menaxhimin e proceseve digjitale.
E ardhmja është digjitale – bëhu pjesë e saj.


www.unite.edu.mk

Address

Street "Ilinden", Nn
Tetovë
1200

Opening Hours

Monday 08:30 - 16:30
Tuesday 08:30 - 16:30
Wednesday 08:30 - 16:30
Thursday 08:30 - 16:30
Friday 08:30 - 16:30

Telephone

+38944356500

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Universiteti i Tetovës - UT posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The School

Send a message to Universiteti i Tetovës - UT:

Shortcuts

Share