15/04/2026
Më 14.04.2026, Unioni Studentor Shqiptar organizoi ceremoninë solemne të prezantimit të kryesisë së re, duke shënuar kështu fillimin e një mandati të ri në funksion të përfaqësimit dhe avancimit të interesave studentore.
Ceremonia u hap me moton:
“Që e keqja të mbisundojë në shoqëri, mjafton që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”, duke përcjellë një mesazh të fortë mbi rëndësinë e përgjegjësisë dhe angazhimit qytetar e studentor.
Programi u moderua nga Elif Dava dhe Ilajda Abdullai, të cilat udhëhoqën me profesionalizëm rrjedhën e kësaj ceremonie.
Gjatë kësaj ngjarjeje u bë prezantimi zyrtar i përbërjes së re të kryesisë, si në vijim:
Kryetar: Agron Amiti
Nënkryetare: Melika Rustemi
Sekretare: Erza Rustemi
Anëtare e kryesisë: Eliza Mejdini dhe Halim Mejdini
Në kuadër të ceremonisë, fjalime motivuese mbajtën profesori universitar Ariton Rama dhe psikologia Edlira Destani, të cilët theksuan rëndësinë e angazhimit studentor dhe rolin e të rinjve në zhvillimin e shoqërisë.
Njëkohësisht, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi, u nda mirënjohje për Komunën e Çairit dhe kryetarin e saj, si partnerë të rëndësishëm që kanë mbështetur vazhdimisht aktivitetet e Unionit Studentor Shqiptar.
Fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, z. Muhamed Murtezi, ndërsa në emër të ish kryesive, fjalë rasti kishte ish Kryetarja e Unionit Studentor Shqiptar, Nermine Hamidi. Pas saj, fjalë rasti mbajti edhe ish kryetarja Hava Feta, e cila ndau përvojën dhe eksperiencën e saj gjatë angazhimit në Unionin Studentor Shqiptar, duke theksuar sfidat dhe arritjet përgjatë këtij rrugëtimi.
Në përmbyllje të ceremonisë, fjalën e mori Kryetari i ri i Unionit Studentor Shqiptar, Agron Amiti, i cili falënderoi të pranishmit për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar angazhimin për një përfaqësim sa më dinjitoz të studentëve.
Kryesia e re do të angazhohet në mënyrë të përkushtuar për fuqizimin e rolit të studentëve në jetën akademike dhe shoqërore, si dhe për përmirësimin e kushteve të studimit dhe jetesës studentore.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë dinjitoze, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, studentëve dhe të ftuarve të shumtë, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për këtë fillim të ri.
Unioni Studentor Shqiptar mbetet i përkushtuar për të qenë një zë i fuqishëm dhe përfaqësues i denjë i studentëve, duke kontribuar në avancimin e të drejtave dhe interesave të tyre.