19/06/2026
Me përfundimin e vitit shkollor 2025/2026, fëmijët e klasës përgatitore kanë përmbyllur me sukses një periudhë të rëndësishme të zhvillimit dhe përgatitjes për arsimin fillor
Gjatë këtij viti shkollor, fëmijët kanë qenë të angazhuar në aktivitete të ndryshme mësimore, edukative dhe kreative, të cilat kanë kontribuar në zhvillimin e kompetencave të tyre në fusha të ndryshme të të nxënit. Përmes lojës, hulumtimit, bashkëpunimit dhe shprehjes krijuese, ata kanë fituar njohuri, aftësi dhe qëndrime të nevojshme për vazhdimin e rrugëtimit të tyre arsimor.
Në aktivitetin përmbyllës të vitit shkollor morën pjesë edhe prindërit, të cilët patën mundësinë të shohin ekspozitën e organizuar me punimet e realizuara nga fëmijët gjatë vitit. Në ekspozitë u prezantuan punime artistike, projekte, materiale dokumentuese dhe aktivitete të ndryshme që pasqyronin procesin e të nxënit dhe zhvillimin e fëmijëve.
Po ashtu, prindërit u njoftuan me dokumentimin që dëshmon progresin, angazhimin dhe arritjet e secilit fëmijë gjatë vitit shkollor.
Ky aktivitet shërbeu si një moment reflektimi, vlerësimi dhe krenarie për punën e bërë nga fëmijët, prindërit dhe edukatorja, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucionit dhe prindërve.
I falënderojmë prindërit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë vitit shkollor dhe u urojmë fëmijëve suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre drejt klasës së parë.