20/07/2026
Të nderuar dhe shumë të respektuar bashkëvendësit e mi,
Fshati ynë gjithmonë ka qenë dhe jam i bindur se vazhdon të jetë me zemër të madhe. Këtë e them me plot bindje, sepse Celina jonë, në të gjitha periudhat e historisë, e ka dëshmuar veten me vepra. Mjafton të kujtojmë vitet e ’90-ta, kur fshati ynë përkrahu masivisht aksionin “Familja mban familjen”. Gjatë luftës, Celina strehoi dhe mbajti pothuajse gjysmën e banorëve të Rahovecit dhe të fshatrave përreth, ndërsa njëkohësisht furnizoi dhe përkrahu me gjithë zemër Ushtrinë tonë Çlirimtare të Kosovës – UÇK-në. Edhe sot kemi shumë bashkëvendës dhe biznesmenë të suksesshëm, të cilët vazhdojnë të ndihmojnë familje në nevojë dhe njerëz me halle.
Arsyeja pse po ju drejtohem sot është të kërkoj mbështetjen tuaj për shkollën tonë. Për shkak të vështirësive financiare, Komuna aktualisht e ka të pamundur të përmbushë të gjitha nevojat e shkollës. Megjithatë, dua ta falënderoj për investimin që ka bërë në një pjesë të objektit, konkretisht në aneksin e banjove, ku po realizohet një punë shumë cilësore.
Siç e dini, më 1 qershor u emërova Drejtor i SHFMU “Faik Konica”. Gjendja në të cilën e gjeta shkollën ishte e papranueshme për mua. Për këtë arsye, menjëherë kam bërë një analizë të situatës dhe kam hartuar një plan urgjent të ndërhyrjeve. Së bashku me stafin teknik kemi filluar punën për përmirësimin e të gjitha hapësirave, si brenda ashtu edhe jashtë shkollës.
Deri më tani kemi realizuar këto ndërhyrje:
* Ndërhyrje në banjo, duke hapur kanalizimin e jashtëm që kishte qenë i bllokuar prej vitesh dhe duke zëvendësuar rubinetet.
* Eliminimin e rreziqeve fizike në të gjitha pjesët e oborrit.
* Pastrimin e barit dhe livadhit, duke larguar njëkohësisht edhe rrezikun nga gjarpërinjtë, pasi oborri ishte i mbushur me ta. Për këtë është përdorur edhe preparat i posaçëm.
* Largimin e pjesëve metalike të amortizuara, të cilat dikur kishin funksion, por tashmë paraqisnin rrezik.
* Hapjen e hapësirave për kultivimin e luleve dhe bimëve dekorative, si dhe mbjelljen e një pjese të tyre.
* Demolimin e objektit të vjetër të bibliotekës (bunatekës), pasi një pjesë e tij ishte kalbur dhe paraqiste rrezik serioz për fëmijët nga rënia e trarëve dhe xhamave. Përveç kësaj, nën dysheme kishte gjarpërinj dhe grerëza. Materiali i përdorshëm nga ky objekt është duke u ripërdorur për nevoja të shkollës, si ndërtimi i ulëseve në oborr dhe rafteve për këpucë brenda objektit.
Të gjitha këto punë do t’i prezantoj edhe përmes fotografive.
Një falënderim të veçantë dua t’ua shpreh disa bashkëvendësve tanë, të cilët më kanë mbështetur si moralisht, ashtu edhe financiarisht për realizimin e disa prej këtyre ndërhyrjeve.
Të nderuar bashkëvendës,
Për ta ndryshuar plotësisht gjendjen dhe pamjen e shkollës, veçanërisht ambientin e jashtëm, kam nevojë për ndihmën tuaj. Jam i bindur se, si gjithmonë, nuk do të më mungojë mbështetja e Celinës.
Nevojat më urgjente janë:
1. Hapja e një pusi për ujitjen e parkut dhe drunjve dekorativë.
2. Vendosja e një sistemi automatik të ujitjes.
3. Blerja e drunjve dekorativë.
4. Blerja e vazove për lule.
5. Blerja e një kositëseje me benzinë me kapacitet më të madh, për shkak të sipërfaqes së madhe të oborrit.
Dua t’ju njoftoj se nuk do të pranoj para në dorë. Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë, do ta bëjmë këtë në mënyrë transparente: do të shkojmë së bashku dhe do t’i porosisim ose blejmë materialet e nevojshme.
Me shpresën se edhe kësaj radhe do të dalim faqebardhë, ju falënderoj paraprakisht për besimin dhe mbështetjen tuaj. Ju siguroj se do të jem në shërbim të fëmijëve tanë dhe të komunitetit 24 orë në ditë dhe kështu do të vazhdoj deri në fund të mandatit tim.
Shkolla nuk është vetëm përgjegjësi e drejtorit apo e mësimdhënësve; ajo është shtëpia e përbashkët e fëmijëve tanë dhe pasqyra e komunitetit tonë. Çdo kontribut, sado i vogël, është një investim në të ardhmen e tyre.
Me respekt,
Shemsi Ibrahimi
Drejtor i SHFMU “Faik Konica”