28/06/2026
Thirrje nga prof. ✍️ Xhafer Bytyqi
EJANI NË SHKOLLËN “12 MAJI”
APELOJ tek të gjithë nxënësit e fshatrave Ratkoc, Radoste, Gexhe, Dejnë, Dobidol, Çifllak, Kramovik, Guri i Kuq, Polluzhë, Vranjakë, Bratotin që sapo kanë kryer klasën e nëntë, të regjistrohen në shkollën e mesme “12 Maji” në Ratkoc.
Shkolla “12 Maji” i plotëson të gjitha kushtet infrastrukturore dhe kadrovike për t’iu mundësuar shkollim të rregullt në nivel të lartë profesional, duke ju mundësuar që të jeni të barabartë në konkurencë me moshatarët tuaj në mbarë Kosovën.
Me një ekip profesorësh të kualifikuar maksimalisht, me objekt të kompletuar me kapacitete për rreth 1000 nxënës, me kabinete profesionale, me palestër të sporteve, me fushë të jashtme futbolli e shtruar me bari sintetik, me oborr të gjerë e të gjelbëruar, shkolla “12 Maji” ofron kushte të kompletuara për mësimnxënie, siguri në procesin mësimor si dhe disponim të mirë përmes aktiviteteve të shumta kulturore e edukative.
THASHETHEMET e rrugëve, kryesisht nga njerëz që ndoshta asnjëherë nuk kanë shkelur në këtë shkollë, kanë bërë që një numër i konsiderueshëm i nxënësve të fshatrave që e rrethojnë shkollën “12 Maji” të shkojnë nëpër shkollat e komunave përreth.
ÇFARË FITONI NË SHKOLLËN “12 MAJI”
1. Në shkollën “12 Maji” shpenzoni shumë më pak kohë ditore krahasuar me shkollat e komunave përreth. Nuk do të ketë nevojë ta kaloni kohën duke udhëtuar ku mesatarisht shpenzohen 2-4 orë udhëtim. Këtë kohë të kursyer do ta shpenzoni për në mësime, në punë apo në aktivitete familjare e shoqërore.
2. Në shkollën “12 Maji” do të shpenzoni shumë më pak mjete financiare se në shkollat e komunave përreth.
Përveç faktit se udhëtimi do të jetë shumë më i lirë, edhe blerjet që do të bëni gjatë kohës së shkollës do të jenë më të lira krahasuar me blerjet nëpër qytete. Një nxënës në Ratkoc mund ta mbyll muajin me 50 euro kurse në kumunat tjera nuk mund ta mbyll muajin me më pak se 150 euro.
3. Në shkollën “12 Maji” jeni shumë më të sigurtë në të gjitha aspektet se në shkollat e komunave përreth.
Përveç faktit që rreziku i udhëtimit eleminohet pothuajse tërësisht, shkollimi juaj do të zhvillohet afër njerëzve të njohur të cilët janë të kujdesdhëm ndaj jush. Do ti keni më afër familjarët tuaj për t’ju gjetur afër në çfarëdo situate me të cilën mund të përballeni. Do të keni shumë më pak kontakte me njerëz të panjohur dhe të rrezikshëm për edukatën, shëndetin dhe jetën tuaj.
Prandaj; EJANI NË SHKOLLËN “12 MAJI” në Rstkoc.
Këtë Apel do t’ua preferoja ta respektojnë të gjithë nxënësit e komunës së Rahovecit dhe jovetëm dhe të regjistrohen në shkollat më të afërta të tyre.
Ju premtoj se nuk do të zhgënjeheni.
Xhafer Bytyqi - prof dhe prind në shkollën “12 Maji” në Ratkoc.