15/09/2026
Nga kujtesa te ndërgjegjësimi: Të rinjtë përballë historisë së tragjedive të Kosovës
Në kuadër të projektit “Empower Youth Through History”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, nxënësit e Gjimnazi "Gjon Buzuku" - Prizren patën mundësinë të marrin pjesë në një sërë aktivitetesh edukative të fokusuara në njohjen e historisë së afërt, gjenocideve të shekullit XX, kujtesës historike, të drejtave të njeriut dhe rëndësisë së ruajtjes së kujtesës kolektive.
Gjatë muajve mars–maj, mësimdhënësija e historisë të shkollës sonë, znj.Fetnan Derviş dhe mësimdhënësja e historisë së shkollës Emin Duraku znj. Fëllanza Kirajtani zhvilluan trajnime dhe seminare me grupe të ndryshme nxënësish, duke trajtuar gjashtë tema të rëndësishme që lidhen me gjenocidet, kujtesën historike, të drejtat e njeriut dhe mësimet që duhet të nxjerrim nga e kaluara.
Më 12 shtator, një grup nxënësish të Gjimnazit “Gjon Buzuku”, së bashku me nxënës nga shkolla ,,Emin Duraku" dhe ,,11 Marsi" realizuan një vizitë edukative në disa vende me rëndësi të veçantë për kujtesën historike të Kosovës:
• Muzeun e Krushës së Madhe
• Memorialin në Mejë të Gjakovës
• Qendrën Dokumentuese të Kosovës
• Reporting House
Nxënësit u shoqëruan nga mësimdhënëset e historisë znj.Fëllanza Kirajtani dhe znj. Fetnan Derviş.
Kjo vizitë u ofroi të rinjve mundësinë që, përtej mësimit në klasë, të njihen drejtpërdrejt me dëshmitë, dokumentet dhe rrëfimet që lidhen me tragjeditë njerëzore, humbjet dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Për Gjimnazin “Gjon Buzuku”, edukimi historik nuk nënkupton vetëm njohjen e së kaluarës, por edhe ndërtimin e një kulture të kujtesës, respektit, tolerancës dhe paqes. Të rinjtë duhet ta njohin të kaluarën për ta kuptuar më mirë të tashmen dhe për të ndërtuar një të ardhme ku të drejtat e njeriut, liria dhe dinjiteti njerëzor respektohen dhe mbrohen.
Të mos harrojmë atë që ka ndodhur është përgjegjësi ndaj viktimave dhe brezave që vijnë. Kujtesa është përgjegjësi, ndërsa edukimi është rruga drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më paqësore.
Gjimnazi “Gjon Buzuku” – Prizren mbetet i përkushtuar në edukimin e brezave të rinj me dije, ndërgjegjësim historik dhe vlera njerëzore, duke i përgatitur ata të jenë qytetarë aktivë, të përgjegjshëm dhe të respektueshëm ndaj të drejtave dhe dinjitetit të çdo njeriu.
Shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë të veçantë për mësimdhënëset e historisë,
znj. Fëllanza Kirajtani dhe znj.Fetnan Derviş, për përkushtimin e tyre, për mundësimin e këtyre përvojave të çmuara edukative për nxënësit tanë.