Ceremonia e diplomimit 2026 🎓
Universiteti " Ukshin Hoti " Prizren - Fakulteti Juridik
Contact information, map and directions, contact form, opening hours, services, ratings, photos, videos and announcements from Universiteti " Ukshin Hoti " Prizren - Fakulteti Juridik, College & University, Universiteti i Prizrenit Rr. “Rruga e Shkronjave” p. n. Prizren Republika e Kosovës, Prizren.
28/05/2026
Fakulteti Juridik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në bashkëpunim me bartësit e grantit hulumtues të financuar nga Projekti për Grante i Universitetit “Ukshin Hoti”, organizoi tryezën e rrumbullakët me temën “Ndikimi i Mediave Sociale në Perceptimin e Drejtësisë”.
Kjo tryezë mblodhi përfaqësues të institucioneve akademike, gjyqësore, prokuroriale, të sigurisë dhe shoqërisë civile, me qëllim të diskutimit të ndikimit të mediave sociale në formësimin e opinionit publik dhe besimit ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Në aktivitet morën pjesë Prorektorja e Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Muharem Faiku, nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Safet Hoxha, zëvendëskryetari i Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Labinot Jetishi, kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, z. Valon Totaj, Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. Dr. Islam Qerimi, nga HIBRIT-INFO Dr. Sc. Ditar Kabashi, shefi i sektorit të hetimeve për krime kibernetike nga Policia e Kosovës, z. Fadil Abdyli, komandanti i Policisë në Suharekë, z. Safet Hoxha, avokatët nga Prizreni, Emira Gavazaj-Gashi dhe Valdrin Gashi. Po ashtu, në këtë aktivitet morën pjesë edhe udhëheqësi i Divizionit për Kërkime Shkencore të Universitetit, z. Kushtrim Rrakaqi, profesorë nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, si dhe studentë.
Projekti dhe rezultatet e hulumtimit u prezantuan nga bartësi i projektit, Prof. Asoc. Dr. Enver Buçaj, profesor në Fakultetin Juridik, së bashku me bashkëpunëtorin Prof. Asoc. Dr. Naim Baftiu, profesor në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, si dhe studentët Ledian Berisha, Anida Duja dhe Bardha Elshani.
Gjatë diskutimeve u prezantuan rezultatet e hulumtimit, (i cili ka zgjatur pesë muaj), me temën “Ndikimi i Mediave Sociale në Perceptimin e Drejtësisë”. Hulumtimi analizon rolin e rrjeteve sociale në krijimin e perceptimeve për drejtësinë dhe proceset gjyqësore. Sipas rezultateve të prezantuara, mediat sociale kanë një rol të dyfishtë në shoqëri: nga njëra anë kontribuojnë në rritjen e transparencës, informimit dhe pjesëmarrjes qytetare, ndërsa nga ana tjetër krijojnë sfida serioze për shkak të përhapjes së dezinformatave, lajmeve të rreme dhe fenomenit të “gjykimit publik”.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi ndikimin e komunikimit digjital në opinionin publik, rëndësinë e informimit të saktë dhe nevojën për forcimin e edukimit medial dhe juridik, veçanërisht tek të rinjtë. Në përfundim të diskutimeve u vlerësua se mediat sociale kanë një rol ambivalent në perceptimin e drejtësisë. Të pranishmit vlerësuan lart kontributin e Universitetit në trajtimin e kësaj teme me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh se mediat sociale në epokën digjitale janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme. U theksua se, megjithëse ato kontribuojnë në transparencë dhe informim, njëkohësisht mund të krijojnë dezinformim, polarizim dhe ndikim emocional tek qytetarët.
Në përmbyllje të aktivitetit, organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të vlefshëm në këtë tryezë, duke vlerësuar diskutimet profesionale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në trajtimin e temave që lidhen me drejtësinë, mediat sociale dhe shoqërinë demokratike.
NJË SUKSES I RI PËR FAKULTETIN JURIDIK! ⚖️
Me kënaqësi ju njoftojmë se programi master:
🇪🇺 “Legjislacioni dhe Institucionet e Bashkimit Europian” (MSc) në Fakultetin Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren është akredituar nga AKA për një periudhë trevjeçare.
Akreditimi i këtij programi paraqet një arritje të rëndësishme në zgjerimin dhe avancimin e ofertës akademike në fushën juridike, me fokus të veçantë në të drejtën dhe institucionet e Bashkimit Europian.
Falënderojmë stafin akademik, partnerët institucionalë, studentët dhe të gjithë bashkëpunëtorët vendorë e ndërkombëtarë për përkushtimin dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij suksesi.
📖 Nga tetori, programi do të jetë i hapur për studentët e rinj që synojnë të zhvillojnë karrierën e tyre në fushën e legjislacionit europian dhe proceseve integruese.
Së bashku po fuqizojmë dijen, profesionalizmin dhe perspektivën europiane! 🇪🇺
19/05/2026
Ligjëratë
“Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut: pranueshmëria e ankesave dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”
Ligjërata do të trajtojë aspektet kryesore procedurale dhe praktike të paraqitjes së ankesave pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me fokus të veçantë në:
subjektet që mund të paraqesin ankesë pranë Gjykatës;
kriteret e pranueshmërisë së ankesës;
përmbajtjen dhe elementet esenciale të ankesës;
analizën e rasteve praktike nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me:
të drejtën për jetë (Neni 2 i KEDNJ-së);
të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare (Neni 8 i KEDNJ-së);
mbrojtjen e pronës (Neni 1 i Protokollit nr. 1).
Ligjërues:
DardanBerisha
Avokat, ish-këshilltar kushtetues juridik në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe vizitor studiues në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
18/05/2026
Studentët e vitit të parë të Fakultetit Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren realizuan një vizitë studimore në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, të udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Kadri Kryeziu dhe Ass. Milot Krasniqi, Shef për Mësim.
Gjatë kësaj vizite, studentët u pritën nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, Kolonel Faton Alija, i cili i njoftoi studentët me organizimin, funksionimin dhe sfidat e punës së Policisë së Kosovës në nivel rajonal.
Në takim morën pjesë edhe Kapiten Haxhi Kabashi, Kapiten Afrim Sylaj dhe Toger Tahir Kabashi, të cilët bashkëbiseduan me studentët lidhur me aspektet praktike të zbatimit të ligjit, sigurisë publike dhe bashkëpunimit institucional.
Kjo vizitë kishte karakter edukativ dhe profesional, duke u mundësuar studentëve që përveç njohurive teorike të përfitojnë edhe përvoja praktike nga institucionet e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
Studentët shprehën interesim të madh për temat e trajtuara dhe falënderuan drejtuesit e Policisë për mikpritjen dhe gatishmërinë për të ndarë përvojat profesionale me ta.
16/05/2026
Skuadra e Fakultetit Juridik të Universiteti “Ukshin Hoti” po na përfaqëson denjësisht në garat ndërkombëtare të gjykimit të simuluar që po mbahen këtë vikend në Tiranë.
Nën udhëheqjen e Ass. Milot Krasniqi, ekipi arriti me sukses të kalojë raundin e parë, ju dëshirojmë shumë suksese edhe në të ardhmen ⚖️
Studentët që përfaqësuan fakultetin janë:
• Vlera Tabaku
• Tone Kqira
• Adrian Hoxha
Gjithashtu, falënderojmë kryetarin e Odës së Avokatëve në Prizren, z. Blerim Mazreku për bashkëpunimin dhe kontributin në përgatitjen e studentëve për këtë garë të rëndësishme.
07/05/2026
Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe bashkëpunimit institucional, studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” zhvilluan një vizitë studimore në Gjykatë, ku u pritën nga Kryetarja Shpresa Emra dhe Administratori Ilir Cakaj.
Gjatë kësaj vizite, kryetarja dhe administratori i njoftuan studentët me organizimin e Gjykatës, shërbimet që ofron, si dhe me qëllimin dhe misionin e institucionit në funksion të drejtësisë.
Studentët, të udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Arif Riza dhe Ass. Milot Krasniqi, patën mundësinë të vizitojnë nga afër hapësirat e Gjykatës dhe të njihen me punën e përditshme dhe funksionimin praktik të saj.
Kjo vizitë shërbeu si një mundësi e mirë për studentët e Fakultetit Juridik që të thellojnë njohuritë e tyre praktike dhe të kuptojnë më mirë funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
07/05/2026
Në organizim të Fakultetit Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, u mbajt ligjëratë e hapur me temën:
“Roli dhe kompetencat e administratës së sistemit prokurorial në punën e Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit”
Ligjërata u mbajt nga z. Sami Istrefi, Drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili para studentëve dhe pjesëmarrësve trajtoi rëndësinë e administratës së sistemit prokurorial, funksionimin e Këshillit Prokurorial, si dhe rolin e Prokurorit të Shtetit në sistemin juridik të Republikës së Kosovës.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë bashkëbisedimi dhe diskutimi profesional, duke zgjuar interesim të madh tek studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë.
05/05/2026
Në kuadër të aktiviteteve edukative dhe njohjes së institucioneve shtetërore, studentët e vitit të parë të Fakultetit Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” zhvilluan një vizitë studimore në Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kjo vizitë u realizua nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Kadri Kryeziu, Prof. Ass. Dr. Driola Susuri, si dhe Ass. Milot Krasniqi.
Gjatë kësaj vizite, studentët u pritën nga zyrtarët e Kuvendit, znj. Duresa Tafa, z. Burim Etemaj dhe z. Arianit Behrami, të cilët i informuan ata për organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni legjislativ.
Studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve, rolin e deputetëve, si dhe funksionet mbikëqyrëse të Kuvendit ndaj institucioneve të tjera shtetërore. Gjithashtu, ata u njohën me mënyrën e funksionimit të komisioneve parlamentare dhe rëndësinë e transparencës në punën legjislative.
Diskutimet e zhvilluara dhe pyetjet e studentëve krijuan një ambient interaktiv dhe mjaft frytdhënës, duke e bërë këtë vizitë një përvojë të vlefshme për thellimin e njohurive të tyre në fushën e së drejtës kushtetuese dhe parlamentare.
Kjo vizitë kontribuoi në ndërlidhjen e teorisë me praktikën dhe në krijimin e një pasqyre më të qartë për rolin dhe funksionimin e institucioneve demokratike në Republikën e Kosovës.
05/05/2026
Më 05.05.2026, studentët e vitit të parë të Fakultetit Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren realizuan një vizitë në Burgun e Idealit në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. asoc. dr. Kadri Kryeziu, Prof. ass. dr. Driola Susuri dhe Ass. Milot Krasniqi.
Duke pasur parasysh karakterin historik dhe simbolik të këtij burgu, studentët reflektuan mbi vuajtjet dhe sakrificat e ish të burgosurve politikë që kanë kaluar nëpër këtë institucion, duke kuptuar më thellë rëndësinë e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Duke ia ditur vlerën lirisë së vendit, kjo vizitë mori një dimension edhe më të veçantë, duke forcuar ndjenjën e përgjegjësisë për drejtësi dhe shtet të së drejtës.
Click here to claim your Sponsored Listing.
Location
Category
Address
Universiteti I Prizrenit Rr. “Rruga E Shkronjave” P. N. Prizren Republika E Kosovës
Prizren
20000
Opening Hours
| Monday | 08:00 - 04:00 |
| Tuesday | 08:00 - 04:00 |
| Wednesday | 08:00 - 04:00 |
| Thursday | 08:00 - 04:00 |
| Friday | 08:00 - 04:00 |