19/04/2015
MËSIMDHËNËSIT ANULOJNË GREVËN E SË HËNËS, PRESIN DERI NË FILLIM TË MAJIT
Sbashk Mësimdhënësit kosovarë kanë marrë vendim për anulimin e grevës së paralajmëruar për të hënën.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë për “Kohën Ditore” se ata nuk janë tërhequr përfundimisht nga greva, por vetëm e kanë anuluar fillimin e saj, në mënyrë që të presin nëse Qeveria do t’ua plotësojë kërkesat, me pagat e prillit, për pagesën e stazhit të punës prej 0.5 për qind, për çdo vit përvojë pune.
“Kemi mbajtur një mbledhje të gjatë, me debate të zjarrta, ku kanë dominuar dy propozime, pro dhe kundër fillimit të grevës të hënë”, ka thënë Jasharaj për gazetën, duke përshkruar mbledhjen e kryesisë së SBASHK-ut të mbajtur me përfaqësuesit sindikal, të dielën, me qëllim që të vendoset në lidhje me hyrjen në grevë të hënë, ose jo.
Ai pastaj ka shtuar se një pjesë e përfaqësuesve sindikal të komunave kanë dalë me propozim që është më mirë që të mos ndërpritet mësimi deri në fund të këtij muaji, kur do të shihet nëse Qeveria do të plotësojë kërkesat e mësimdhënësve, ose jo.
Jasharaj ka thënë se “nëse Qeveria nuk do të paguajë stazhi as në prill, atëherë pa asnjë dilemë, do të hyhet në grenë, në fillim të majit”.