14/07/2021
Parathënie e romanit: “Një grua me emrin ANNA”
Nga studiuesja dhe kritikja e letërsisë shqipe Dr. Rovena Mikeli VATA
Autorja që në fillim të romanit vendos të na njohë me perceptimin e personazhit kryesor, ku shfaq “DILEMËN” e saj të shumëfishtë, në lidhje me mjedisin që e rrethonte, si në rastet:
- A janë djemtë më të mirë se vajzat?!!!
- Pse të urojnë të gjithë që të jetë djalë në barkun tënd?
- Ai e fshehu atë, sepse ishte vajzë...
Letërsisë shqipe nuk i kanë munguar personazhet femra, ku përmes tyre, shkrimtarët shpërfaqnin mentalitetin e kohës, padrejtësitë, por edhe plotësimin e mozaikut, që personazhi të skalitet më së miri në memorien e lexuesit, ku mund të përmendim personazhin e “Bardhës së Temalit” të krijuar nga Pashko Vaso, “Dija” e krijuar nga Sterjo Spase, “Jerina” e Gjergj Fishtës, “Lukja” e Migjenit, “Diloca” e Ernest Koliqit, por në këtë roman personazhi i Annës i përmbledh të gjitha në NJË personazh të vetëm.
Që në paragrafin e parë shfaqet personazhi kryesor i këtij romani me emrin Anna. Jo pa qëllim, autorja e ka bërë fokus të ligjërimit të saj artistik këtë emër, pasi emri Anna lexohet i tillë si fillim dhe në fund, por akoma më tepër emrin Anna e shohim në shumë personazhe të letërsisë së përbotshme dhe aq më tepër si emër vajzash në të gjithë botën. Pra çka do të thotë se autorja, që në fillim të nisjes së këtij romani, le të kuptojë faktin se, kur një qenie lind, lind e lirë në çdo vend të botës dhe aq më tepër kur ajo është femër. Ajo duhet të gëzojë lirinë e jetës dhe të mirat e kësaj botë si edhe gjinia e kundërt e saj. Femra është sublime dhe prej saj lind jeta, lind vetë njeriu. Njeriu që lind njeriun është pikërisht femra, nëna.
Ky roman është një fillim për një kthesë të rëndësishme në letërsinë shqipe, pasi pikë së pari, autorja është një vajzë, është një femër, është një grua e fisshme, është një nënë, është një partnere besnike, është një mike e çmuar, është një njeri me të drejta të barabarta para Zotit dhe ligjit, e si e tillë duhet të trajtohet. Por femra është mbi të gjitha, një përfaqësuese e denjë e gjysmës së shoqërisë së botës.