22/04/2026
TË ANULOHET PROCESI I PËRZGJEDHJES SË ANËTARËVE TË BORDIT TË AGJENCISË SË AKREDITIMIT - NJË PROCES I KOMPROMETUAR NË TËRËSI
ORCA është e shokuar me zhvillimet e fundit në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Sipas informacioneve të reja të grumbulluara, i gjithë procesi rezulton të jetë i komprometuar nga fillimi deri në fund, duke ngritur dyshime serioze për integritetin e vendimmarrjes në një institucion kyç për arsimin e lartë në vend.
Procesi nisi me shpalljen e thirrjes publike për nominim të tre anëtarëve vendorë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë, për fushat: Shkencat Mjekësore, Shkencat Humane dhe një përfaqësues nga radhët e studentëve . Afati për aplikim ishte vetëm tetë ditë kalendarike, një periudhë e shkurtër për një proces të tillë me rëndësi të lartë publike. Megjithatë, ajo që pasoi ishte edhe më shqetësuese. Komisioni vlerësues u mblodh më 20 prill 2026 dhe brenda 48 orëve përfundoi vlerësimin e të gjithë kandidatëve që kishin aplikuar, një ritëm i paprecedentë që ngre dyshime serioze mbi seriozitetin dhe thellësinë e këtij vlerësimi.
Vlerësimet janë bërë pa një metodologji të qartë dhe të standardizuar, duke reflektuar mospërputhje të mëdha në trajtimin e kandidatëve. Në disa raste, kandidatët janë penalizuar për faktin se kanë fituar tituj akademik në institucione private, ndërkohë që kandidatë të tjerë, pa tituj akademikë fare, janë vlerësuar më lart. Po ashtu, një kandidat pothuajse është diskualifikuar për një lëshim të vogël teknik, i cili fare lehtë mund të ishte korrigjuar brenda një kohe shumë të shkurtër nëse do të kërkohej nga komisioni. Kjo qasje selektive dhe e pabarabartë tashmë po shihet si një manovër e qëllimshme për të hapur rrugë për kandidatura të caktuara, përfshirë atë të Driton Velës.
Situata bëhet edhe më e dyshimtë kur merret parasysh mënyra e trajtimit të raportit final të komisionit, raport i cili i dërgohet ministrit të linjës me emrat e të rekomanduarve për përzgjedhje në bord. Nuk është e qartë nëse raporti është nënshkruar nga vetë anëtarët e komisionit, apo nëse ata kanë nënshkruar vetëm një dokument përcjellës. Për më tepër, përfaqësues të ministrisë dyshohet se kanë marrë përsipër hartimin e raportit dhe dërgimin e tij në Qeveri në mënyrë urgjente, gjatë natës së 21 prillit 2026, rreth orës 23:00, për të përshpejtuar procedimin e tij në komisionet parlamentare dhe më pas në Kuvend.
E gjithë kjo urgjencë është justifikuar me pretendimin e pavërtetë se Bordi i Agjencisë rrezikon të mbetet pa kuorum për vendimmarrje në muajt në vijim. Në fakt, përbërja aktuale e Bordit garanton funksionimin normal të tij edhe për të paktën dy vite të tjera, duke e bërë këtë arsyetim të pabazuar dhe të qëllimshëm për të shtyrë përpara një proces të dyshimtë.
Tutje, kjo situatë rrezikon drejtpërdrejt anëtarësimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në ENQA dhe pozitën e saj në EQAR. Ndërhyrjet politike, mungesa e transparencës dhe shkeljet procedurale janë pikërisht arsyet që në të kaluarën kanë çuar në përjashtimin e agjencisë nga këto mekanizma ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë. Nëse ky proces vazhdon në këtë formë, ekziston rreziku real që të vihet në pikëpyetje kredibiliteti ndërkombëtar i AKA-së dhe, rrjedhimisht, njohja e diplomave dhe cilësia e arsimit të lartë në Kosovë.
ORCA kërkon që ky proces i komprometuar të anulohet menjëherë dhe të nisë një procedurë e re, e bazuar në transparencë, meritë dhe respektim të plotë të standardeve ligjore. Në të njëjtën kohë, ORCA fton organet e rendit që të hetojnë këtë çështje deri në fund, për të garantuar llogaridhënie apo edhe përgjegjësi penale eventuale, e gjithë kjo për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të një institucioni jetik për cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë.
ORCA përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.