12/06/2014
Përmbledhje ekzekutive
Në Kosovë janë realizuar hulumtime të shumta për aspekte të ndryshme të shëndetit të adoleshentëve. Megjithatë, kjo është hera e parë që studimi kollaborativ i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për Sjelljet që ndërlidhen me shëndetin tek fëmijët e moshës shkollore realizohet në Kosovë dhe përmes tij identifikohen sjelljet që ndërlidhen me shëndetin tek fëmijët dhe adoleshentët e moshës 11, 13 dhe 15 vjeçare.
Një mostër përfaqësuese prej 4531 adoleshentësh nga klasa e gjashtë (1511 pjesëmarrës), tetë (1508 pjesëmarrës) dhe dhjetë (1512 pjesëmarrës) është rekrutuar përmes mostrimit të shtresëzuar dhe në përputhje të plotë me rekomandimet e OBSh-së. Për anketim është përdorur instrumenti i standardizuar, që është përkthyer dhe përshtatur në gjuhën shqipe duke ndjekur procedurat e paracaktuara të anketimit të fëmijëve, të cilat janë në përputhje të plotë me të gjitha aspektet etike.
Rezultatet tregojnë një prevalencë të ulët të duhanpirjes në mesin e adoleshentëve në Kosovë, me vetëm 4.7% të duhanpirësve aktiv. Në këtë kontekst, rreth 10% të adoleshentëve pinë alkool dhe shumica prej tyre e bëjnë këtë shumë rrallë. Ndërsa, edhe më e vogël është përqindja e nxënësve që raportojnë përdorim të kanabisit në 30 ditët e fundit (1.5%).
Nga mostra e përgjithshme, 13.3% e nxënësve kanë raportuar të kenë pasur tashmë marrëdhënien e parë seksuale dhe 32.8% prej tyre kanë deklaruar moshën 14 vjeç si kohën kur e kanë bërë një gjë të tillë. Në anën tjetër, prezervativi është raportuar si metoda kryesore e përdorur nga adoleshentët për t’u mbrojtur nga shtatzënitë e padëshirueshme, teksa një përqindje e madhe prej 26.5% nuk kanë përdorur asnjë lloj metodë mbrojtëse.
Një prevalencë e tillë e sjelljeve të rrezikshme, shoqërohet me aktivitet të rregullt fizik kjo fjali s’po tingllon bash mire. Kështu, 22.3% e nxënësve deklarojnë se bëjnë ushtrime fizike në çdo ditë të javës dhe vetëm 3.2% deklarojnë se fare nuk kanë qenë fizikisht aktiv në javën e fundit.
Pjesa më e madhe e adoleshentëve hanë mëngjes në çdo ditë të shkollës (59.1%) dhe fundjavave (78.8%). Gjithashtu, pjesa më e madhe e tyre raportojnë konsumim të pemëve, perimeve, ëmbëlsirave dhe pijeve që përmbajnë sheqer, përjashtuar këtu 2%-6% që nuk e bëjnë një gjë të tillë asnjëherë gjatë javës.
Kjo i bën 65% të adoleshentëve që të ndjehen pothuajse në formën e duhur fizike dhe vetëm 35% që mendojnë se janë obez apo nën peshë dhe akoma më pak, vetëm 3.6% që të zbatojnë një regjim dietetik.
Rrjedhimisht, është vërtetuar se kjo ndikon edhe në shëndetin pozitiv të adoleshentëve, teksa 63.3% e tyre nuk kanë asnjëherë apo kanë rrallëherë kokëdhimbje si dhe 71% rrallë ose kurrë nuk ndjehen dobët. Përpos ndjenjës së nervozizmit që është raportuar në nivele të larta (51.2%), shumica e nxënësve në 6 muajt e fundit nuk kanë përjetuar asnjëherë apo kanë përjetuar shumë rrallë simptoma të dhimbjes së barkut (62.1%), dhimbjes së shpinës (76.8%), irritimit (66.4%), problemeve me gjumë (75.8%) apo edhe marramendjes (80.9%).
Sa i përket aktiviteteve jashtë-shkollore, një kohë të mirë adoleshentët e shpenzojnë para televizionit. Janë vetëm 4.7% të adoleshentëve që nuk shohin asnjëherë televizionin gjatë ditëve të shkollës dhe 8.4% që nuk shohin TV gjatë fundjavave, derisa pjesa më e madhe (52.7%), kalojnë rreth 1 deri 2 orë para televizionit gjatë ditëve të mësimit. Në anën tjetër, rreth 70% të adoleshentëve luajnë lojëra kompjuterike gjatë ditëve të mësimit derisa më shumë se gjysma prej këtyre e bën një gjë të tillë për jo më shumë se 2 orë në ditë. Ndërkaq, kohë më e madhe gjatë ditëve të shkollës i kushtohet komunikimit me shoqërinë nëpërmjet internetit. Rreth 70% e nxënësve shpenzojnë nga 30 minuta deri në 2 orë në ditë për qëllime të tilla.
Nga numri i përgjithshëm i adoleshentëve kosovarë të përfshirë në studim, 55.3% të tyre kanë kërkuar ndihmën e mjekut apo infermieres, duke shënuar kështu edhe përqindjen më të madhe nga të gjitha vendet që kanë zhvilluar studimin e njëjtë gjatë vitit 2009/2010. Kjo është ndërlidhur edhe me faktin që 23.8% e nxënësve janë përfshirë në rrahje fizike në 12 muajt e fundit. Përpos dhunës fizike, janë 24.3% e adoleshentëve që kanë përjetuar dhunë psikologjike në formën e ngacmimit nga të tjerët, teksa janë 20.3% që pranojnë se kanë ngacmuar të tjerët.
Adresa më e lehtë e komunikimit është raportuar të jetë nëna, me 68.2% të nxënësve që e cilësojnë si shumë të lehtë komunikimin me të. Pas nënës, sipas adoleshentëve, është shumë e lehtë të komunikohet me shokun apo shoqen e ngushtë (54.3%), babin (52.1%), motrën (40.6%) dhe vëllain (33.6%). Përderisa vajzat e kanë më të lehtë të komunikojnë me nënën, djemtë e shohin më të lehtë komunikimin me babain.
Shoqëria është një adresë e mirë për të kaluar kohën e lirë meqenëse vetëm 13.3% të adoleshentëve nuk kalojnë asnjë ditë me shokët dhe shoqet pas mësimit, teksa 46.9% nuk kalojnë asnjë mbrëmje me ta dhe 24.3% nuk bisedojnë kurrë në telefon apo e bëjnë fare pak një gjë të tillë.
Si përfundim, shumica e nxënësve e pëlqejnë shumë shkollën (77.6%), mbi 90% mendojnë se nxënësit e klasës së tyre janë të këndshëm dhe i pranojnë ata ashtu siç janë dhe vetëm 15.8% ndihen shumë në presion nga detyrat shkollore.
Gjithë këto fakte, e në veçanti mungesa e simptomave fizike dhe prevalenca e ulët e përdorimit të duhanit, alkoolit dhe kanabisit, i bën adoleshentët në Kosovë që të ndjehen mirë dhe të kenë edhe vlerësim të lartë për cilësinë e jetës së tyre. Së këndejmi janë 61.8% që e vlerësojnë maksimalisht jetën e tyre dhe e emërtojnë si jetën më të mirë të mundshme.
Si përfundim, të gjitha këto rezultate i bëjnë nxënësit në Kosovë të renditen në mesin e adoleshentëve më të shëndetshëm evropian.
Me respekt
Kryetar i KNP-se
ADONIS SINIDOLLI