14/09/2026
Një tjetër hap i rëndësishëm në rrugëtimin tonë eTwinning – mësueset e shkollës sonë, Ambasadore të eTwinning për Kosovën! 🇽🇰🇪🇺
Me shumë kënaqësi ndajmë lajmin se mësueset e shkollës sonë, Shkendia Jashari dhe Gresa Salihu, janë përzgjedhur si Ambasadore të eTwinning për Kosovën.
Ky vlerësim vjen si rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm në komunitetin eTwinning, përmes pjesëmarrjes në punëtori, seminare dhe konferenca, realizimit të projekteve kreative eTwinning, si dhe bashkëpunimit me partnerë nga vende të ndryshme.
Gjatë këtij rrugëtimi, projektet tona janë vlerësuar me Etiketa të Cilësisë, ndërsa si shkollë kemi arritur një tjetër sukses të rëndësishëm duke fituar titullin “Shkollë eTwinning”.
Në rolin e ri si Ambasadore të eTwinning, Shkendia Jashari dhe Gresa Salihu do të kontribuojnë në:
✅ Promovimin e eTwinning dhe të Platformës Evropiane të Edukimit Shkollor (ESEP)
✅ Mbështetjen dhe informimin e mësimdhënësve në Kosovë për përdorimin e platformës
✅ Nxitjen dhe zhvillimin e projekteve eTwinning
✅ Shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira
✅ Informimin mbi mundësitë që ofron eTwinning
✅ Kontribuimin në zhvillimin e mëtejshëm të komunitetit eTwinning në Kosovë
Ky vlerësim është jo vetëm një arritje personale, por edhe një mirënjohje për punën e përbashkët të mësuesve, nxënësve dhe shkollës sonë.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi dhe na kanë qëndruar pranë.
Habibe Buzuku, zyrtare për arsim dhe pjesë e bashkëpunimeve me projektet eTwinning, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Genc Pilingjurka, menaxher i projekteve për NSO eTwinning Kosovë, për përkrahjen, koordinimin dhe kontributin e tij në zhvillimin e aktiviteteve eTwinning në Kosovë.
Mirënjohje të veçantë për Teuta Bilçarin, me të cilën kemi ndarë shumë momente të rëndësishme dhe të bukura gjatë këtij rrugëtimi, si dhe për dy koleget tona, Ibadete Syla-Gashi dhe Afërdita Prokshi, të cilat ishin pjesë e këtij rrugëtimi dhe kontribuuan me bashkëpunimin e tyre.
Mirënjohje edhe për mësuesen Vjosa Imeri, si dhe për nxënësit tanë, prindërit dhe menaxhmentin e shkollës, të cilët na kanë qëndruar pranë gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Falë bashkëpunimit, besimit dhe përkrahjes së tyre, ne jemi këtu ku jemi sot.
Ky sukses na motivon edhe më shumë për të vazhduar të ndajmë përvojat tona, të krijojmë bashkëpunime të reja dhe të hapim mundësi të reja për nxënësit dhe mësimdhënësit në Kosovë.
Një rrugëtim i nisur me projekte, i pasuruar me bashkëpunim dhe që sot vazhdon me një përgjegjësi të re – si Ambasadore të eTwinning për Kosovën. 🇽🇰🇪🇺