15/08/2024
Sot të kujtoj ty Baja, ashtu siç të kujtoj çdo ditë. Kujtimet kthehen prapa aq sa unë mbaj mend. Dhe mua më kujtohen shumë gjëra – afërsia jote, mësimet tua për jetën dhe koha që ndave me ne. I kujtoj bisedat, të qeshurat, të qarat dhe këngët që i këndonim bashkë. Urtësia jote ishte një orientim për mua ashtu si dhe për bijat, nipat, mbesat e stërnipat tu. Ne përjetonim bashkë me ty gëzimet, pikëllimet, përvojat tua që ndaje me ne.
Në banesën tonë modeste buzë Lepencit, ne patëm krijuar një teatër të familjes, ku performonim me shfaqje, këngë e recitime. Vlerësimet tua për hartimet që ne shkruanim, recitimet, këngët e vallet tona na bënin të lumtur e krenarë. Ne vazhdojmë të të nderojmë, duke provuar t’i përmbushim kriteret tua jo vetëm në shfaqjet e improvizuara por edhe në veprimet tona në jetë të përditshme.
Më mungon shumë. Dhe sot kur unë shetis rrugëve të Veleshtës, Strugës, Kaçanikut, Prishtinës e rrugëve të botës, përfytyroj fëmijërinë time duke shetitur me ty, duke e mbajtur dorën tënde, për mua dora më e fortë në botë, nëpër ato rrugë. Si fëmi isha aq krenar kur ti më njihje me familjarë e miq që nuk i kishe të paktë. Ajo dorë, që lehtësisht shtrëngonte dorën time, gjithmonë do të mbetet në kujtesën time. Të mbajta dorën në jetë dhe më vonë kur më dukej sikur kërceshim bashkë “vallen e vdekjes” që aq bukur e kërcenim ne brez pas brezi. Por edhe më vonë, kur unë të mbaja dorën me kujdes, ishe ti ai që më mbaje mua, si në valle, ashtu që unë të vazhdoj të kërcej “vallen e jetës”.
Çdo mëngjes kur zgjohem, zgjas dorën ta marr telefonin me dëshirën që të thërras, që ta ndëgjoj zërin dhe të pyes se si je. Me gëzim, mbaj telefonin në dorë duke kërkuar numrin tënd, duke pritur të më pyesish me zërin tënd me dashuri, “Vegim ti je…?” E më pyesje se si jam, si është Arta, Vesa e Trimi. Pastaj më pyesje se kur do të vi, e unë te thoja së shpejti Bajë. Dhe vija shpesh edhe pse nga larg këto 5-6 vitet e fundit. Sa herë që vija, me pyesje se sa do të rri e kur unë të përgjigjesha ti më thoje, “shumë pak bre”. Por asnjëherë nuk harroje të më uroje e të më dëshiroje shëndet e suksese. E ndër tjera më thoje, “Shkofsh mirë, ardhsh mirë e na gjetsh mirë”. Më premtoje se do të më presësh që të takohemi sërish, dhe e mbaje fjalën përveç herës së fundit kur të thashë se do të vija pas dy javësh, më the, “Ehu, shume gjatë bre, por une do të pres”.
Dhe ti, vazhdon të flasësh me ne e të na thuash se vdekja nuk është gjë tjetër veç një tranzicion. Na thua që ti vetëm ke kaluar në një hapësirë tjetër dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ti je ai që ke qenë, dhe jeta që e kemi jetuar bashkë është e paprekshme. Ne edhe më tej jemi familje dhe kërkon nga ne që të vazhdojmë të të thërrasim “Baja”, ashtu si të thërrisnin katër fëmitë, 12 nipat e mbesat dhe 3 stërnipat e stërmbesat tu.
Na porosit që ne të flasim me qetësi për ty pa solemnitet e pa dhimbje, t’i ndajmë kujtimet, të flasim, të qeshim, e të lutemi per ty. Ti don që emri yt të jetë pjesë e familjes si zakonisht pa mundim e pa ngrysje. Ti thua që jeta ka të njëjtin kuptim që e ka pasë dhe më parë e se vazhdimësia është absolute dhe e pathyeshme, ndërsa vdekja nuk është gjë tjetër veçse një ngjarje që duhet neglizhuar. Ti vazhdon të na thuash si me poezi, “pse vallë të mos jem në mendimet tuaja, vetëm pse nuk më shihni më”?
Ti flet se si do të na presish pas një intervali kohor shumë të afërt, shumë shpejt. Na siguron se çdo gjë është në rregull e se nuk ke dhimbje dhe se nuk je tretur. Na thua se pas një kohe, të gjitha do të jenë ashtu siç kanë qenë më parë, e ne do të qeshim së bashku me shqetësimet tona të tashme, për ndarjen tonë, atëherë kur do të ritakohemi.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, Baba. Pusho i qetë derisa të takohemi sërish, e të këndojmë, kërcejmë valle, e t’ia mbajmë dorën njëri tjetrit përsëri. Derisa të vimë ne, kënaqu me nonën, me vajzën tënde të parë - motrën tonë, me motrat e vëllezerit e tu, me shokët e me farefisin tënd.
Lavdi jetës dhe veprës tënde.
01/06/2018
23/05/2018