Kosovo Law Institute

Kosovo Law Institute Welcome to the Kosovo Law Institute!

Please check the website: www.kli-ks.org

Official account on Twitter: https://twitter.com/ikd_org/

Instituti i Kosovës për Drejtësi

Bllokada institucionale rrezikon mbi 43.8 milionë euro nga fusha 5 e Planit të Rritjes për sundimin e ligjit dhe të drej...
08/09/2026

Bllokada institucionale rrezikon mbi 43.8 milionë euro nga fusha 5 e Planit të Rritjes për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore

Deri në fund të vitit 2026, Kosova duhet të përmbushë tetë hapa në Fushën 5 të Planit të Rritjes, me vlerë rreth 43.8 milionë euro. Këto mjete lidhen drejtpërdrejt me reforma në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, të drejtat themelore, demokracinë dhe politikën e vizave.

Kjo fushë përfshin disa prej reformave më të rëndësishme për funksionimin demokratik të shtetit: përmirësimin e performancës dhe llogaridhënies së gjyqësorit, miratimin e Kodit Civil, forcimin e luftës kundër korrupsionit, avancimin e të drejtave themelore, funksionalizimin e Kuvendit dhe politikën e vizave. Këto nuk janë vetëm reforma teknike. Një pjesë e tyre kërkon vendimmarrje nga Kuvendi, ndërsa të tjerat kërkojnë institucione funksionale dhe veprim të koordinuar nga Qeveria.

Kosova ka mbetur pa një strategji shtetërore kundër korrupsionit që nga 2017, fakt te cilin Komisioni Evropian ne vazhdimësi e ka evidentuar mungesën e kornizës së nevojshme strategjike në luftën kundër korrupsionit. Ngjashëm, Kodi Civil ka mbetur peng i mungesës së koordinimit politik, përfshi edhe brenda shumicës qeverisëse.

Ndonëse kanë kaluar më së një muaj nga afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, i njëjti mbetet jofunksional, ndërsa formimi dhe funksionalizimi i institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 është vënë në pikëpyetje.

Vazhdimi i kësaj bllokade rrezikon përmbushjen e obligimeve të Kosovës dhe disbursimin e mbi 43.8 milionë eurove nga kjo fushë. Njëkohësisht, dëmton besueshmërinë e vendit në procesin e reformave dhe të integrimit evropian.

IKD: Konstituimi i Kuvendit obligim kushtetues që nuk mund të anashkalohetPrishtinë, 8 shtator 2026 - Instituti i Kosovë...
08/09/2026

IKD: Konstituimi i Kuvendit obligim kushtetues që nuk mund të anashkalohet

Prishtinë, 8 shtator 2026 - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e konsideron pozitive gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës të thirrur për 9 shtator. Tashmë përgjegjësia është që kjo seancë të mos shndërrohet në një episod tjetër të bllokadës së institucioneve, por të përfundojë me konstituimin e Kuvendit dhe t'i hapë rrugë procesit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe formimit te qeverisë.

Fakti se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është shkelur nuk është çështje hipotetike. Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit prej 30 ditësh të përcaktuar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Është fakt notor se përgjegjësia për këtë situatë i vie në barrë z. Avni Dehari dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët qëllimshëm përmes veprimeve dhe mosveprimeve pamundësuan konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati, duke vepruar në kundërshtim me detyrimet që burojnë nga Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Pasojat e kësaj sjelljeje kanë shkuar përtej mosrespektimit të një afati. Për javë të tëra, deputetët të cilët kishin dhënë betimin nuk kanë pasur mundësi ta ushtrojnë në plotësi mandatin e tyre kushtetues. Kuvendi nuk ka qenë funksional, ndërsa përfaqësuesve të zgjedhur të popullit u është kufizuar mundësia për ta ushtruar funksionin për të cilin kanë marrë mandatin. Në këtë mënyrë është cenuar funksionimi i demokracisë përfaqësuese dhe është penguar funksionalizimi i institucioneve që burojnë nga vota e qytetarëve.

Por konstatimi i kësaj shkeljeje nuk nënkupton se shkelja duhet të vazhdojë. Përkundrazi. Fakti se Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues nuk mund të shërbejë si argument që Kuvendi të mos konstituohet as pas kalimit të këtij afati. Një interpretim i tillë do të prodhonte një situatë paradoksale. Shkelja e Kushtetutës do të përdorej si arsye për ta vazhduar edhe më tej pikërisht gjendjen antikushtetuese që është krijuar duke lënë Kosovën pa institucione funksionale, duke vazhduar qeverisjen me ushtrues detyre dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Supreme.

Afati kushtetues nuk humb rëndësinë e vet pse është shkelur. Shkelja mbetet shkelje, përgjegjësia mbetet përgjegjësi dhe ajo duhet të evidentohet si e tillë. Në një demokraci parlamentare që qeveriset mbi bazat e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, një shkelje e tillë nuk do të kalonte pa pasoja politike por edhe juridike. Sidoqoftë, skadimi i afatit nuk mund ta shuajë detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Përfundimi i afatit nuk mund të nënkuptojë përfundimin e detyrimit për t'i bërë institucionet funksionale.

Sipas praktikës së ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe standardeve që vetë kjo Gjykatë ka zhvilluar, dështimi për ta përfunduar konstituimin brenda afatit kushtetues nuk mund të interpretohet automatikisht si humbje e legalitetit apo legjitimitetit të kësaj legjislature për të vazhduar me ushtrimin e kompetencave të saj kushtetuese. Për rrjedhojë, tejkalimi i afatit për konstituim, sado serioze të jetë shkelja që ka ndodhur, nuk e bën vetvetiu juridikisht të pamundur formimin e Qeverisë apo zgjedhjen e Presidentit nga kjo legjislaturë.

Prandaj, dilema sot nuk duhet të shtrohet nëse Kuvendi duhet të konstituohet pasi afati është shkelur. Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja që ka ndodhur duhet të konstatohet dhe të mos relativizohet, por ajo nuk mund të përdoret për të prodhuar një bllokadë të re dhe potencialisht të pakufishme.

Më 9 shtator, përgjegjësia kryesore bie mbi ata që deri më tani kanë pamundësuar përfundimin e procesit. Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të bëjë kalkulime të reja politike me konstituimin e Kuvendit. Kosova ka humbur tashmë kohë përtej afatit kushtetues. Çdo ditë e re e bllokadës nuk e korrigjon shkeljen e deritanishme,vetëm e thellon atë.

Në këtë situatë, kur Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar sanksionin kushtetues dhe rasti nuk ka shkuar përsëri për vlerësim në këtë Gjykate, nuk ka rrugë tjetër pos se të vazhdohet tutje.

Konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë dhe vendit duhet t'i hapet rruga për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit. Kushtetuta nuk mbrohet duke e mbajtur Kuvendin të pakonstituuar për shkak se afati për konstituimin e tij tashmë është shkelur. Kushtetuta mbrohet duke i dhënë fund shkeljes dhe duke rikthyer institucionet në funksion.

📣 𝗔𝗞𝗔𝗗𝗘𝗠𝗜𝗔 𝗣Ë𝗥 𝗗𝗥𝗘𝗝𝗧Ë𝗦𝗜 𝗦𝗢𝗖𝗜𝗔𝗟𝗘 𝗥𝗜𝗞𝗧𝗛𝗘𝗛𝗘𝗧 𝗡Ë 𝗧𝗘𝗧𝗢𝗥!Pas edicionit të parë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po përg...
05/09/2026

📣 𝗔𝗞𝗔𝗗𝗘𝗠𝗜𝗔 𝗣Ë𝗥 𝗗𝗥𝗘𝗝𝗧Ë𝗦𝗜 𝗦𝗢𝗖𝗜𝗔𝗟𝗘 𝗥𝗜𝗞𝗧𝗛𝗘𝗛𝗘𝗧 𝗡Ë 𝗧𝗘𝗧𝗢𝗥!

Pas edicionit të parë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po përgatit edicionin e dytë të Akademisë për Drejtësi Sociale, i cili do të mbahet në mesin e tetorit 2026.

Përgjatë katër ditëve, përmes ligjëratave, diskutimeve dhe ushtrimeve praktike, Akademia do ta trajtojë drejtësinë sociale në dimensionin e saj juridik, duke përfshirë:

- të drejtat sociale të garantuara nga Kushtetuta dhe standardet ndërkombëtare;
- barazinë dhe mbrojtjen nga diskriminimi;
- të drejtën në punë dhe kushtet e dinjitetshme të punës;
- mbrojtjen sociale dhe pensionet;
- lirinë sindikale dhe dialogun social;
- rolin e institucioneve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në garantimin dhe realizimin efektiv të këtyre të drejtave.

Akademia do të shërbejë si hapësirë për ta lidhur njohurinë juridike me sfidat konkrete të drejtësisë sociale në Kosovë, përmes shkëmbimit të përvojave dhe diskutimit të rasteve praktike.

📅 Thirrja për aplikim hapet më 10 shtator 2026!

Atë ditë do të publikohen hollësitë për pjesëmarrjen dhe mënyrën e aplikimit. Ndiqni faqen e IKD-së dhe ndajeni njoftimin me ata që kanë interes të bëhen pjesë e Akademisë!

Akademia organizohet nga IKD, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).

IKD vazhdon takimet me kryetarët e komunave për nismën legjislative qytetarePrishtinë, 4 shtator 2026 - Instituti i Koso...
04/09/2026

IKD vazhdon takimet me kryetarët e komunave për nismën legjislative qytetare

Prishtinë, 4 shtator 2026 - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 3 dhe 4 shtator 2026, ka vazhduar takimet me kryetarët e komunave në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e IKD-së, Naim Jakaj dhe Qemajl Marmullakaj janë takuar me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Gjatë takimeve, përfaqësuesit e IKD-së i kanë njoftuar kryetarët e komunave me qëllimin dhe përmbajtjen e nismës, e cila synon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal në dy çështje: vendosjen e përgjegjësisë penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për përdorimin e parasë publike për qëllime elektorale.

Takimet janë zhvilluar në frymë të hapur dhe bashkëpunuese. Të katër kryetarët kanë shprehur mbështetjen për nismën legjislative dhe gatishmërinë që, në kuadër të kapaciteteve dhe mundësive të tyre, të kontribuojnë në procesin e mbledhjes së nënshkrimeve të nevojshme për procedimin e nismës.

IKD vlerëson gatishmërinë e kryetarëve të komunave për bashkëpunim dhe mbështetjen e një procesi që synon forcimin e sundimit të ligjit, përgjegjësisë institucionale dhe mbrojtjen e parasë publike.

Takimet me kryetarët e komunave të tjera dhe aktivitetet për mbledhjen e nënshkrimeve do të vazhdojnë edhe në komunat e tjera të Kosovës.

IKD: Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale mbeten peng i LPPA-sëPrishtinë, 3 shtator 2026 – Instituti i K...
03/09/2026

IKD: Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale mbeten peng i LPPA-së

Prishtinë, 3 shtator 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në një konferencë për medie, të enjten, publikoi raportin “Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale, peng i LPPA-së”, përmes të cilit trajtohet problemi i mbylljes së mbledhjeve të organeve kolegjiale në institucionet publike.

Raporti trajton nenin 39.2 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), i cili përcakton se mbledhjet e organeve kolegjiale janë të mbyllura, përveç kur legjislacioni në fuqi parasheh ndryshe. Sipas IKD-së, përmes kësaj dispozite, mbyllja është vendosur si rregull, ndërsa hapja për publikun si përjashtim.

Konferencën e hapi Shqiponjë Gashi, Hulumtuese në IKD, e cila theksoi se llogaridhënia nuk lidhet vetëm me publikimin e vendimit përfundimtar apo të procesverbalit, por edhe me mundësinë për të kuptuar se si është zhvilluar diskutimi dhe si është marrë vendimi.

Ndërkaq, gjetjet e raportit u prezantuan nga Gzim Shala, Hulumtues i Lartë në IKD. Ai tha se, në praktikë, nëse një bord apo komision trajton një çështje me interes të lartë publik, por ligji i veçantë nuk e përcakton shprehimisht se mbledhja është publike, mediet, shoqëria civile dhe qytetarët nuk mund ta monitorojnë atë.

Sipas Shalës, problemi bëhet edhe më i theksuar për faktin se edhe kur vetë institucioni dëshiron ta hapë mbledhjen, vetëm vullneti për transparencë nuk mjafton. Për sa kohë ligji nuk e lejon hapjen, institucioni rrezikon ta shkelë vetë ligjin.

Në raport theksohet se kjo situatë krijon paradoks ligjor. Në njërën anë, Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative kërkon administratë të hapur dhe transparente, ndërsa në anën tjetër, për mbledhjet e organeve kolegjiale, e vendos mbylljen si parim.

Prandaj, raporti gjen se kjo zgjidhje nuk është në harmoni me parimin e administratës së hapur dhe e dobëson orientimin kushtetues drejt transparencës.
Sipas IKD-së, se qasja në vendim, procesverbal apo dokumente pas përfundimit të mbledhjes nuk e zëvendëson monitorimin e drejtpërdrejtë të procesit.
Në raport theksohet se nga procesverbali mund të kuptohet se çfarë është vendosur, por jo domosdoshmërisht se kush ka kundërshtuar, cilat alternativa janë diskutuar, si është trajtuar ndonjë konflikt potencial interesi, kush e ka propozuar një zgjidhje dhe si është krijuar shumica për një vendim.
IKD sqaron se raporti nuk pretendon se çdo mbledhje duhet të jetë e hapur dhe se çdo informacion duhet të bëhet publik. Ka raste kur mbyllja është e arsyeshme dhe e nevojshme, për shembull kur trajtohen të dhëna personale, informata të klasifikuara, hetime, çështje të sigurisë, sekrete afariste apo interesa të tjera që ligji duhet t’i mbrojë.
Megjithatë, sipas IKD-së, logjika aktuale duhet të ndryshojë. Hapja duhet të jetë rregull, ndërsa mbyllja duhet të jetë përjashtim.

Për këtë arsye, IKD rekomandon ndryshimin e LPPA-së në dy drejtime: së pari, mbledhjet e organeve kolegjiale duhet të jenë të hapura për publikun; së dyti, ligji duhet t’i përcaktojë rastet kur një mbledhje ose pjesë e saj mund të mbyllet, pas vlerësimit të dëmit dhe interesit publik dhe me vendim të arsyetuar.

Mesazhi kryesor i raportit është se qytetarët nuk duhet ta kenë vetëm të drejtën ta shohin vendimin pasi gjithçka ka përfunduar. Ata duhet, sa herë që nuk ekziston një arsye e ligjshme për mbyllje, të kenë mundësi të shohin edhe se si merret vendimi, kush e merr atë dhe mbi çfarë argumentesh merret

Ftesë për medieInstituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, më 3 shtator 2026 në ora 10:00, në zyrat e IKD-së (rr....
02/09/2026

Ftesë për medie

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, më 3 shtator 2026 në ora 10:00, në zyrat e IKD-së (rr. Ilaz Agushi, nr. 146) organizon konferencë për medie me rastin e publikimi të raportit “Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale, peng i LPPA-së”.

IKD dhe Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë lidhin marrëveshje bashkëpunimiPrishtinë, 1 shtator 2026 – Instituti i Kosovës...
01/09/2026

IKD dhe Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë lidhin marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë, 1 shtator 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Universiteti “Haxhi Zeka” (UHZ) në Pejë kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi, me qëllim të formalizimit dhe avancimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e drejtësisë, edukimit juridik dhe kërkimit shkencor.

Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga z. Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i IKD-së, dhe Prof. Dr. Armand Krasniqi, Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Para nënshkrimit të marrëveshjes, palët zhvilluan një takim diskutimi, ku nga IKD morën pjesë z. Betim Musliu, Zëvendësdrejtor Ekzekutiv, dhe znj. Arrita Rezniqi, Menaxhere e Programeve, ndërsa nga Universiteti “Haxhi Zeka” morën pjesë Prof. assoc. Alma Shehu Lokaj, Prorektore për Mësimdhënie, Dr.sc. Prof. assoc. Petrit Nimani, Dekan i Fakultetit Juridik dhe Prof. assoc. Anita Cucović, nga Qendra për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut e UHZ-së.

Ky bashkëpunim synon krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet IKD-së dhe UHZ-së, përmes lidhjes më të ngushtë të edukimit universitar dhe kërkimit shkencor me analizën, monitorimin, ekspertizën dhe praktikën profesionale në fushën e drejtësisë. Përmes këtij bashkëpunimi synohet krijimi i mundësive të reja për studentët, stafin akademik dhe hulumtuesit dhe kontributi në avancimin e sundimit të ligjit, qasjes në drejtësi, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, IKD dhe Universiteti “Haxhi Zeka” riafirmojnë angazhimin e tyre për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave profesionale, me fokus të veçantë në zhvillimin e juristëve të rinj dhe avancimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

IKD takoi kryetarët e disa komunave për mbështetjen e nismës legjislative, më 1 shtator rinis mbledhja e nënshkrimeve në...
31/08/2026

IKD takoi kryetarët e disa komunave për mbështetjen e nismës legjislative, më 1 shtator rinis mbledhja e nënshkrimeve në Prishtinë

Prishtinë, 31 gusht 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të aktiviteteve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar takime me kryetarë të disa komunave, nga të cilët ka kërkuar mbështetje për nismën dhe për procesin e mbledhjes së nënshkrimeve.

Në kuadër të këtyre takimeve, përfaqësuesit e IKD-së kanë takuar Kryetarin e Kryeqytetit, Përparim Rama, Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, Kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, Kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, si dhe Kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi.

Gjatë takimeve, IKD ka prezantuar qëllimin dhe përmbajtjen e nismës legjislative, e cila synon vendosjen e përgjegjësisë penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për përdorimin e parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore. Kryetarëve u është kërkuar që ta mbështesin nismën, si dhe të kontribuojnë në informimin dhe mobilizimin e qytetarëve për procesin e mbledhjes së nënshkrimeve.

Kryetarët e komunave të takuar nga IKD kanë shprehur qëndrim pozitiv ndaj nismës dhe gatishmëri për ta mbështetur dhe nënshkruar atë. Mbështetja e përfaqësuesve të nivelit lokal është e rëndësishme për shtrirjen e nismës në sa më shumë komuna dhe për përfshirjen sa më të gjerë të qytetarëve në ushtrimin e të drejtës së tyre për nismë legjislative.

IKD do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim takimet edhe me kryetarë të komunave të tjera, të cilëve do t'ua prezantojë nismën dhe do t'u kërkojë mbështetje për mbledhjen e nënshkrimeve. Synimi është që procesi të ketë shtrirje sa më të gjerë në të gjithë Kosovën dhe qytetarëve t'u krijohet mundësia që drejtpërdrejt ta mbështesin nismën.

Më 1 shtator vazhdon mbledhja e nënshkrimeve në Prishtinë

Ndërkohë, nesër, më 1 shtator 2026, IKD do të vazhdojë aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, përballë Teatrit Kombëtar. Ekipet e IKD-së do të jenë në dispozicion të qytetarëve për t'i informuar për përmbajtjen e nismës dhe për t'u mundësuar që ta mbështesin atë me nënshkrimin e tyre.

IKD fton qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë qytetarët që do të jenë nesër në kryeqytet që t'i bashkohen nismës dhe ta mbështesin atë. Çdo nënshkrim përbën mbështetje qytetare për forcimin e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e parasë publike nga përdorimi për përfitim elektoral.

Bllokada institucionale rrezikon 31.3 milionë euro nga Plani i Rritjes për kapitalin njerëzor dhe arsiminDeri në fund të...
27/08/2026

Bllokada institucionale rrezikon 31.3 milionë euro nga Plani i Rritjes për kapitalin njerëzor dhe arsimin

Deri në fund të vitit 2026, Kosova duhet të përmbushë katër hapa reformues në Fushën 4 të Planit të Rritjes – Kapitali Njerëzor dhe Edukimi, me vlerë totale prej 31.3 milionë euro, apo 18.87% të fondeve të parapara për 27 hapat me afat deri në fund të këtij viti.

Reformat synojnë përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në arsim, rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor dhe përshtatjen më të mirë të arsimit me nevojat e tregut të punës. Konkretisht, kërkohet furnizimi i institucioneve arsimore me pajisje të reja teknologjike, përfshirja e së paku 8% të fëmijëve të moshës 0–2 vjeç në arsimin parafillor, zbatimi i së paku 40% të planit për riorganizimin e rrjetit shkollor, si dhe hyrja në fuqi e legjislacionit të ri për arsimin dhe aftësimin profesional dhe arsimin për të rritur.
Jo të gjitha këto reforma varen drejtpërdrejt nga Kuvendi. Shumica kërkojnë zbatim nga institucionet përgjegjëse të arsimit, ndërsa reforma e arsimit dhe aftësimit profesional kërkon edhe një kornizë të re ligjore. Prandaj, përmbushja e Fushës 4 kërkon njëkohësisht vendimmarrje ligjore, kapacitete administrative dhe institucione funksionale.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit tanimë ka kaluar dhe Kosova vazhdon të mbetet pa institucione plotësisht funksionale. Ndërkohë, kanë mbetur rreth katër muaj për përmbushjen e hapave të Planit të Rritjes me afat skadues deri në fund të 2026 përfshi edhe hapat e Fushës 4. Çdo vonesë e mëtejshme e zvogëlon kohën për miratimin e legjislacionit dhe zbatimin e reformave që Kosova vetë i ka marrë përsipër në Agjendën e Reformave.

Nëse bllokada vazhdon, Kosova rrezikon jo vetëm disbursimin e 31.3 milionë eurove të lidhura me këtë fushë, por edhe vonimin e reformave që prekin drejtpërdrejt cilësinë e arsimit, fëmijët, të rinjtë dhe përgatitjen e fuqisë punëtore, si dhe përafrimin e Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.

25/08/2026

Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Mitrovicë, aty ku qytetarët u bënë bashkë për të diskutuar për lirinë e shprehjes.

Përmes forumeve, qytetarë, gazetarë, aktivistë, studentë, sindikalistë dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë diskutuan për sfidat e fjalës së lirë në praktikë.

🎥 Shikoni videon dhe dëgjoni përvojat e pjesëmarrësve.
Aktivitetet realizohen me mbështetjen e Rising Tide Foundation.

English below

Prishtina, Peja, Prizren, Ferizaj and Mitrovica, where citizens came together to discuss freedom of expression.

Through the forums, citizens, journalists, activists, students, trade unionists and representatives of non-majority communities discussed the challenges facing freedom of expression in practice.

🎥 Watch the video and hear from the participants about their experiences.

The activities are implemented with the support of the Rising Tide Foundation.

Address

Rr. Ilaz Agushi, Nr. 146
Pristina
10.000

Opening Hours

Monday 09:00 - 17:00
Tuesday 09:00 - 17:00
Wednesday 09:00 - 17:00
Thursday 09:00 - 17:00
Friday 09:00 - 17:00

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Kosovo Law Institute posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The School

Send a message to Kosovo Law Institute:

Shortcuts

Share