08/07/2026
INDEP pjesë aktive e konsultimit publik mbi Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë
Prishtinë, 8 korrik, 2026
INDEP ka marrë pjesë në konsultimin publik për Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë të Republikës së Kosovës, duke dorëzuar analizën dhe komentet e tij mbi dokumentin.
Në analizën e tij, INDEP ka vënë në dukje se dokumenti, në formën aktuale, nuk e përmbush standardin e një udhërrëfyesi të mirëfilltë për tranzicion të drejtë. Ai trajton më gjerësisht tranzicionin energjetik, por nuk ofron përgjigje të mjaftueshme për ndikimet sociale, territoriale, ekonomike dhe institucionale të këtij procesi.
Për këtë arsye, INDEP ka kërkuar që dokumenti të mos procedohet tutje në formën aktuale, por të kthehet për rishikim dhe rishkrim të plotë. Një Udhërrëfyes për Tranzicion të Drejtë duhet të tregojë qartë kush preket, ku preket, si preket, cilat masa do të ndërmerren, sa do të kushtojnë ato dhe kush do të mbajë përgjegjësi për zbatimin.
INDEP ka theksuar nevojën për analizë të plotë territoriale dhe socio-ekonomike, profilizim të punëtorëve të prekur, plan financiar të kalkuluar, trajtim serioz të varfërisë energjetike, përfshirje reale të komunave, sindikatave dhe komuniteteve, si dhe Plan Veprimi me masa, afate, kosto dhe indikatorë të matshëm.
Udhërrëfyesi, në formën aktuale, është jo serioz ndaj një prej proceseve më të rëndësishme zhvillimore për Kosovën. Mundësitë janë të shumta: burimet e ripërtëritshme, efiçienca e energjisë, komunitetet e energjisë, punësimi i gjelbër, rehabilitimi mjedisor dhe zhvillimi ekonomik lokal mund të shndërrohen në instrumente reale të drejtësisë sociale.
INDEP do të vazhdojë të luajë rol proaktiv dhe të mbajë qëndrime të argumentuara e profesionale për të siguruar që tranzicioni energjetik në Kosovë të jetë i drejtë, i financuar, gjithëpërfshirës dhe demokratik.
Dokumentin me analizën dhe komentet e INDEP e gjeni në vegzën në vazhdim: https://indep.info/11060-2/