27/11/2020
"DITËT E FALËNDERIMIT TË KOSOVËS PËR SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS 2020"
Në Kolegjin ILIRIA u organizua manifestimi tradicional “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të 2020”, ku për të 15-in vit me radhë Kolegji ILIRIA dhe Rinia Studentore e Kosovës, shprehën respektin dhe dashurinë ndaj SHBA-ve dhe popullit amerikan, duke spikatur rolin e përhershëm, esencial dhe të pazëvendësueshëm të SHBA në pavarësimin dhe shtetëndërtimin e Kosovës. Manifestimi u hap me Himnin Shtetëror, atë Amerikan dhe Kombëtar.
Presidenti i Kolegjit ILIRIA, Prof.Dr. Mixhait Reçi, në hapje theksoi se Kolegji ILIRIA është shumë krenar që për 15-të vite me radhë, bashkë me Rininë Studentore, organizojnë manifestimin “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të”, ku foli më shumë për rolin e SHBA-ve në shtetndërtimin e Kosovës, duke theksuar se populli i Kosovës do të jetë përjetësisht mirënjohës SHBA-ve për mbështetjen që i ka dhënë popullit tonë në momentet më kritike për ekzistencën e tij.
Rektori i Kolegjit ILIRIA Prof. Dr. Ahmet Maloku në fjalën e tij të rastit theksoi se roli i SHBA-ve për Kosovën është dhe do të jetë i përhershëm dhe i pazëvendësueshëm. Duke falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikësë, ne falenderojmë të gjitha shtetet demokratike që morën pjesë në krijimin dhe shtetndërtimin e Kosovë. Ndërkaq Prorektori për Mbështetje të Studentëve Msc. Arbër Reçi në fjalën e tij të rastit theks të veçantë u dha studentëve, duke treguar që ky manifestim 15 vite më parë filloi si iniciativë e studentëve të Kolegjit ILIRIA. Ai më pas theksoi se iniciativa e studentëve të Kolegjit ILIRIA është që përmes këtyre aktiviteteve tradicionale dhe shumë dimensionale të të shprehin respektin, dashurinë dhe falenderimin për popullin amerikan.
Tradicionalisht këtë manifestim e kanë begatuar shumë aktivitete kulturore dhe artistike, këtë vit ky manifestim u begatua me hapjen e ekspozitës së pikturave të Kolegjit ILIRIA, si dhe ekspozitën e pikturave nga Galeria “Omer Kaleshi”.
Mbyllja e manifestimit u bë nga presidenti i Kolegjit ILIRIA Prof. Dr. Mixhait Reçi, ku ndër tjerash theksoi se sot derisa amerikanët festojnë Thanksgiving Days, për të mirat dhe begatitë, shqiptarët falenderojnë popullin dhe qeverinë amerikane për përkrahjen e dhënë në ditët më të vështira të ekzistencës së tyre. Ne këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë.
Në fund presidenti i Kolegjit ILIRIA njoftoi se për arsye të gjendjes aktuale pandemike të krijuar për shkak të Covid19, ky manifestim këtë vit oganizohet në mënyrë modeste dhe nuk do të vazhdoj ditëve në vijim, siç është mbajtur tradicionalisht viteve të kaluara.