28/08/2026
Drin Beqiri: Një ndryshim fonetik në të folmen e sotme të Hashanisë
Ky studim merr në shqyrtim zhvillimin fonetik të delabializimit në të folmen e sotme të Hashanisë në malësinë e Bujanocit dhe Kamenicës. Kjo e folme është shumë pak e dokumentuar në rrafshin fonetiko-fonologjik në literaturën albanologjike, me përjashtim të disa trajtimeve gjuhësore onomastike (Kryeziu: 2000). Tipari i delabializimit (hartat 44. A deri Ç, ADGJSH: 2007) është vëzhguar si i pranishëm në gegërishten qendrore, toskërishten jugore dhe arbërishten e Italisë dhe Greqisë. Mirëpo, nga studimi ynë kemi vërejtur se ai është dominues edhe në të folmen e Hashanisë, sidomos kur merret në shqyrtim e folmja e brezit të vjetër (Beqiri: 2026). Pra, synohet të vërtetohet nëse shtrirja e këtij tipari shkon përtej brezit të vjetër, duke hedhur dritë mbi dinamikat e këtij tipari fonetik në këtë të folme në shekullin ku jetojmë. Për të përcaktuar statusin e kësaj foneme, përmes metodës së vjeljeve online, kemi mbledhur të dhëna nga 50 informatorë (13 femra; mosha mesatare 41-55 vjeç), folës të këtij nëndialekti, përmes një pyetësori me fjalë që përmbajnë fonemën /y/ në pozicionin nistor, mesor dhe fundor të fjalës. Studimi vërteton se ky shndërrim fonetik në të folmen e Hashanisë ka ndodhur në mënyrë sistematike në të gjitha pozicionet e fjalës dhe prek të gjitha shtresëzimet leksikore të hulumtuara. Megjithatë, gjetjet sugjerojnë se e folmja e Hashanisë i nënshtrohet një asimilimi të shpejtë drejt të folmeve të gegërishtes verilindore, si pasojë e emigrimit masiv që nga lufta e fundit në drejtim të Anamoravës. Së fundi, ky kërkim ofron të dhëna empirike për një nëndialekt tradicionalisht të pak dokumentuar, duke nxjerrë në pah pozicionin e tij unik brenda dialektologjisë shqiptare.