14/10/2015
MESAZHI PAQËSOR I FESË ISLAME
Feja e islame është e bazuar në besimin në një Zot, në mesazhin e Profetit Muhamed a.s., në lutjet e përditshme përmes të cilave besimtarët lidhen me Krijuesin e tyre, në agjërimin e Ramazanit me të cilin besimtarët rezistojnë dhe disiplinojnë trupin e tyre, në Zeqatën si akt bamirësie me të cilin ndihmohen të tjerët, si dhe në vizitën e Qabesë, shtëpisë së Zotit, përmes së cilës myslimanët shfaqin unitetin e tyre të tubuar për një qëllim dhe destinacion.
Këto obligime fetare rregullojnë sjelljen njerëzore në të gjitha dimensionet e saja, të cilat krijojnë një shoqëri me kohezion të fuqishëm dhe civilizim madhështor.
Obligimet fetare gjithashtu pasqyrojnë parime të thella të cilat janë të nevojshme për të mirën e vetë njerëzimit, si: unitetin e racës humane, të drejtat e barabarta, paqes, sigurisë, barazisë sociale, respektimit të zotimeve, fqinjësisë dhe konsideratës për të tjerët, si dhe mbrojtjen e përkatësisë dhe pronës.
Parimet islame sigurojnë gjuhë të përbashkët mes njerëzve dhe komuniteteve të ndryshme fetare.
Origjina e fesë hyjnore është një dhe e vetme. Myslimanët besojnë në të gjithë pejgamberët e Zotit, ndërsa mohimi vetëm i njërit prej tyre konsiderohet devijim nga Islami. Kjo është një platformë e gjerë, përmes së cilës popujt e feve të ndryshme mund të takohen së bashku në respektimin e ideve dhe besimeve të tjera, si dhe të veprimit të përbashkët në shërbim të shoqërisë: “I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhrin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë”.
(El-Bekare: 285)
Islami e njeh dhe e respekton gjithë krijesën njerëzore, pa dallim race, ngjyre apo feje: “Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), ua mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam”.
(El- Isra`a: 70).
Islami gjithashtu kërkon nga pjesëtarët e tij që gjatë thirrjes së tyre në fjalën e Zotit, të jenë të butë dhe të matur: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit”.
(En-Nahl: 125)
Duke pasur parasysh se misioni i Islamit është i bazuar në arsye të shëndosha, ai nga ithtarët e tij kërkon që të shmangin dhunën dhe mizorinë e të flasin vetëm me mirësi dhe respekt: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti fali ata dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten!”.
(Al-Imran: 159)
Islami sqaron se mesazhi i tij është sjellja e mëshirës për të gjithë njerëzit pa dallim: “E Ne të dërguam Ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”.
(El-Enbija: 107)
I dërguari Muhammed a.s. Paqja e Zotit qoftë mbi të, kishe nënvizuar konceptet e dhembshurisë dhe butësisë në thënien e tij: “Mëshira e Gjithëmëshiruesit i ndahet atyre që kanë mëshirë ndaj tjetrit dhe atyre që janë të mëshirshëm ndaj krijesave të Zotit në tokë në përgjithësi. Kush mëshiron në tokë mëshirohet nga Ai që është në qiell”!
Islami thërret në trajtimin e të tjerëve, ashtu si edhe çdo njeri do të dëshironte të trajtohet nga të tjerët. Islami kërkon tolerancë, falje dhe kualitete të cilat ndërtojnë jetën njerëzore: “Ndëshkimi i së keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek All-llahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët”.
(Shura: 40)
“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai me të cilin kish*t njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyte të larta”.
(Fus-silet : 34)
Islami thërret për trajtimin e të gjithëve pa dallim me drejtësi, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe të pronës së tyre: “O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë! Kini në mendje All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni!”
(El-Maide : 8)
“All-llahu ju urdhëron që t'u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë mes njerëzve! Sa e mirë është kjo që ju këshillon! All-llahu dëgjon dhe sheh si veproni”.
(En-Nisa: 58)
“....zbatoni drejt matjen dhe peshojën e mos u bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre, dhe mos bëni çrregullime në tokë pas përmirësimit të saj. Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë”.
(El-E`araf: 85)
Islami urdhëron në respektimin e konventave dhe zotimeve, ndërsa dënon mashtrimin dhe tradhtinë: “Meqë keni premtuar, pra, zbatojeni premtimin e dhënë ndaj All-llahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se All-llahun e bëtë garant tuajin! Vërtet, All-llahu e di se çka punoni!”.
(En-Nahl : 91)
Islami e përkrah jetën humane dhe nuk lejon luftimin kundër jo luftëtarëve, luftimin e civilëve dhe të pafajshmëve, uzurpimin e pronave të tyre, sulmin ndaj fëmijëve në prehrin e nënave të tyre, vrasjen e studentëve në shkolla, vrasjen e plakave dhe pleqve. Ndryshe, sulmi ndaj jetës së njerëzve sipas Islamit është i barabartë me sulmin e të drejtës së gjithë njerëzve për të jetuar. Ndryshe, kjo konsiderohet edhe ndër mëkatet më të rënda.
“.....kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa e mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t'i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit”.
(El-Maide; 32)
Islami respekton ekuilibrin, përmbajtjen, si dhe gjakftohtësinë: “...Ne ju bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush”.
(El-bekare: 32)
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, bëhuni fatthënës dhe mos u bëni mendjemëdhenj!”
Pjesëtarët e besimit Islam kanë bërë përparime historike në shkencë, si dhe në jetën intelektuale me të arriturat e tyre të shumta, të cilat kanë fuqizuar civilizime të mëdha njerëzore, nga të cilat kanë përfituar edhe jomyslimanët kudo në botë.
Islami fton në demonstrimin e tolerancë dhe kënaqësisë dhe lufton ekstremizmin, ekzagjerimin, si dhe papajtueshmërinë, të cilat janë kundër të menduarit të drejtë. Ato fshehin pasojat e veprimit të dikujt dhe inkurajojnë mospërfillje të pamatur për fenë.
Në fakt, ekstremizmin Islamik e kategorizon si devijim të hapët nga feja e vërtetë dhe si formë të padrejtësisë.
Islami dhe myslimanët që e kuptojnë librin e Zotit realisht edhe sot e denoncojnë ekstremizmin, ashtu siç bënin edhe të parët e tyre gjatë gjithë historisë.
Islami është religjion i etikës dhe e kërkon atë që është në të mirë të njerëzve pa dallim. Parimet e tij janë ato të nderit. Mjetet e propagandës islame janë mjete etike dhe ai mund të mbrohet vetëm përmes mjeteve etike.
Themeli i raporteve dhe marrëdhënieve mes myslimanëve dhe jomyslimanëve është PAQJA –PEACE.
Nuk lejohet asnjë lloj lufte ndaj atyre të cilët nuk paraqesin agresion. E edhe atëherë kur agresioni ndodh, detyrë e myslimanëve është që ata t`i trajtojnë me drejtësi dhe dashamirësi.
“All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë”.
(El-Mumtehine: 8)
“..E në qoftë se ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë lëreni armiqësinë, përveç atyre që janë zullumqarë”.
(El-Bekare : 193)
Koncepti i sotëm i terrorizmit, i cili është i shoqëruar me praktika të gabuara, çfarëdo që mund të jenë ato, si: sulmin ndaj civilëve të pafajshëm, vrasja e të burgosurve dhe e të plagosurve, të praktikave jo etike, shkatërrimin e ndërtesave dhe qyteteve, janë denoncuar nga të gjithë myslimanët dhe studiuesit me qasje dhe rrezonim të shëndoshë fetar. Këto sulme despotike mbi jetën e njerëzve shkelin drejtpërdrejt ligjin e Zotit.
“ mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi All-llahu, përpos kur është me arsye të justifikuar. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë”.
(El-Ena`am: 151)
Luftimi i padrejtësive dhe realizmi i drejtësisë duhet të bëhet përmes veprimeve dhe mjeteve legjitime.
Asnjë njeri, zemra e të cilit është e mbushur me dritë, nuk mund të jetë ekstremist. Fushata e medieve, e cila e portretizon Islamin si fe e cila inkurajon dhunën dhe e institucionalizon terrorizmin, është tendencioze dhe qëllimkeqe.
Gjatë gjithë historisë ekstremizmi ka shkaktuar shkatërrimin dhe përdhosjen e civilizimeve të mëdha botërore. Pema e civilizimeve thahet dhe zemrat mbyllen, kur shpirtligësia mbizotëron. Kjo është një e keqe e huaj për vlerat fetare islame të përmbajtjes dhe tolerancës.
Islami thërret që pjesëtarët e tij të jenë të përfshirë në një shoqëri moderne, si dhe të kontribuojnë në progresin e saj. Për arritjen e kësaj, ata të cilët e duan drejtësinë, arsyen dhe etikën, myslimanët duhet t’i konsiderojnë që të gjithë miq.
Islami udhëzon që ne të shprehim zell, të kuptojmë realitetet e jetës tonë, si dhe të ndajmë qëndrueshmërinë e besimit dhe bindjeve tona. Kjo është thirrja e Zotit për bashkëjetesë dhe devocion.
Islami thërret për të punuar në reformimin e diskursit fetar të qytetërimit, përmes planeve praktike dhe shkencore, të mirëprojektuara dhe të përqendruara drejt rehabilitimit tonë predikues.
Këto prioritete sigurojnë ndërgjegjësim të gjerë publik në mesin e predikuesve të frymës së vërtetë të Islamit dhe në metodologjinë e tij për ndërtimin e jetës së shëndoshë njerëzore. Kjo qasje njashtu ofron njohuri për kulturën bashkëkohore dhe për qasjen e drejtë me komunitetet fetare.
“Thuaj: Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te All-llahu, unë dhe ai që vjen pas meje! Larg të metave është All-llahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.”
(Jusuf: 108)
Islami thërret që të merremi edhe me revolucionin e komunikimit, duke shfrytëzuar mediet në një zë dhe në mënyrë shkencore, pa dobësi dhe shpërthime emocionale.
Islami inkurajon që të ndërtojmë personalitetin tonë individual përmes edukimit më të mirë të mundshëm. Ata të cilët kanë besim në njohuritë dhe aftësitë e tyre janë të sigurt në personalitetin e tyre.
Qasja islame siguron ekuilibër në aspektin shpirtëror, ekonomik dhe shoqëror; siguron të drejtat e njeriut dhe liritë themelore; siguron të drejtën individuale për jetuar në dinjitet dhe siguri; garanton nevojat themelore; administron çështjet shoqërore në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të këshillimit.
Një qasje e tillë forcon edhe mekanizmat e demokracisë moderne.
Studiuesit tanë duhet të jenë ata të cilët i mbrojnë të rinjtë tanë nga rrëshqitja e tyre në injorancë, korrupsion, në pikëpamje të ngushta dhe varësi mënyre që të mos bien në humnerën e ekstremizmit.
Predikuesit studiues duhet të mbajnë fenerin e rrugës së tolerancës, përmbajtjes dhe mirësisë dhe të udhëheqjes së të rinjve në vlerat e mirëfillta islame.