13/08/2026
Ceremonia e certifikimit të gjeneratës së 12-të të KEDS Academy
KEDS shënoi përfundimin me sukses të gjeneratës së 12-të të KEDS Academy, në një ceremoni ku u certifikuan 74 të rinj, të cilët për një vit ndoqën një program profesional që ndërthur njohuritë teorike me përvojën praktike në sektorin e energjisë.
Në ceremoni morën pjesë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, si dhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe sektorit të energjisë.
Në fjalën e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e KEDS Academy. Ai uroi studentët për përfundimin me sukses të trajnimit dhe për certifikimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes profesionale dhe të krijimit të mundësive konkrete për punësim në sektorin e energjisë.
Një rezultat i rëndësishëm i kësaj gjenerate është fakti se 54 nga 74 pjesëmarrësit e certifikuar tashmë janë punësuar në familjen e madhe të KEDS, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të programit në kalimin nga edukimi dhe trajnimi profesional drejt tregut të punës.
Ministrja Artane Rizvanolli përgëzoi të diplomuarit dhe vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat. Ajo theksoi se lidhja e arsimit me aftësimin praktik dhe punësimin është thelbësore për zhvillimin e sektorit energjetik të Kosovës.
Derisa Drejtori i Sistemit Operimeve Alush Mexhuani, ka treguar rrugëtimin e tij nga ish student i gjeneratës së tretë në KEDS Academy, përvojën dhe sfidat deri në pozitën që mbanë sot, duke i inkurajuar studentët e rinj, ta shfrytëzojnë mundësinë u jep kjo Akademi.
Gjenerata e 12-të përfshiu 62 nxënës të shkollave të mesme teknike, drejtimi elektroteknik, dhe 12 studentë të Universitetit të Prishtinës, kryesisht nga fusha e elektroteknikës energjetike. Programi u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës.
Që nga themelimi i saj, përmes KEDS Academy janë trajnuar mbi 860 nxënës dhe studentë, duke kontribuar në krijimin e një gjenerate të re profesionistësh për sektorin energjetik të Kosovës.
KEDS shpreh mirënjohje të veçantë për Ministren Artane Rizvanolli, përfaqësuesit e MAShT, Rektorin e UP Arben Hajrullahu, Nënkryetarin e AShAk Fejzullah Krasniqi dhe antarin e AShAk Enver Hamiti, Rektorin UBT-së Edmond Hajrizi, nga FIEK prodekanin Qamil Kabashi, përfaqësues të KESCO-s, partnerët institucionalë, ligjëruesit, trajnerët, mentorët dhe të gjithë pjesëmarrësit që ishin pjesë e kësaj ceremonie dhe që kontribuojnë në zhvillimin e të rinjve dhe të sektorit të energjisë dhe jo vetëm.
Urime të gjithë të certifikuarve të gjeneratës së 12-të të KEDS Academy dhe suksese në rrugëtimin e tyre profesional! Si dhe shumë mbarësi gjeneratës së 13-të e cila po vazhdon trajnimin.