Koncepti i shkollës
Shkolla "Mileniumi i Tretë" është shkollë jopublike e nivelit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë (klasat 1-12), e themeluar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC). Objektet e Shkollës ndodhen në Prishtinë, rr. "Sokol Sopi", nr.107, në një mjedis të qetë dhe të sigurtë, rreth 1 km largësi nga shkolla "Iliria" në drejtim të Matiçanit. Objektet kanë një sipërfaqe prej rreth 4,500 m2. Në kuadër të kompleksit të shkollës përfshihen fushat sportive dhe restoranti. Shkolla “Mileniumi i Tretë” nuk u shërben vetëm nxënësve të saj dhe prindërve të tyre, por edhe arsimit publik. Pas mbulimit të shpenzimeve të Shkollës, profiti i realizuar shfrytëzohet për aftësimin profesional të mësimdhënësve të shkollave publike, duke i kontribuar kështu ngritjes së cilësisë së arsimit në përgjithësi. Organizimi i punës në shkollë
Shkolla "Mileniumi i Tretë" punon me plane dhe me programe të avancuara të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, duke shfrytëzuar çdo mundësi për qasje inovative. Mësimi në klasat e ulëta zhvillohet sipas metodologjisë së mirënjohur "Hap pas hapi", ndërsa mësimi me fëmijët e moshës 11-17 vjeçare zhvillohet me metoda bashkëkohore të mësimdhënies, përfshirë teknikat e programit me reputacion ndërkombëtar "Mendimi Kritik gjatë Leximit dhe Shkrimit", Mësimin Problemor, Mësimin e bazuar në Projekt, etj
Nxënësit brenda ditës i kalojnë në shkollë 6-
8 orë, në varësi nga mosha dhe nevojat individuale, duke kryer pjesën më të madhe të obligimeve të tyre gjatë këtij orari. Për këtë qëllim është ndërtuar një sistem logjistik, i cili përfshin organizimin e transportit, një orar jokonvencional të mësimit, ofrimin e mundësive për aktivitete jashtëmësimore etj. Personeli
Shkolla ka të punësuar mësimdhënës të kualifikuar, të cilët tregojnë prirje të veçantë për aplikimin e risive në procesin mësimor. Për mësimdhënësit ekziston një program i zhvillimit të vazhdueshëm profesional dhe u ofrohet asistencë e vazhdueshme teknike në fushën e didaktikës, vlerësimit, planifikimit të aktiviteteve kurrikulare dhe ekstrakurrikulare, etj. Kjo asistencë teknike nënkupton angazhimin e kohëpaskohshëm të ekspertëve, të cilët do të punojnë me mësimdhënësitnë avancimin e punës së tyre. Shumica dërrmuese e mësimdhënësve angazhohen me orar të plotë pune në shkollë. Ju premtojmë...
•Krijim të mjedisit të përshtatshëm për zhvillim maksimal fizik dhe psikik të fëmijëve.
• Krijim të sensit tek fëmijët për vlerësimin e tipareve pozitive, siç janë: sinqeriteti, drejtësia, vetëbesimi, guximi qytetar, respekti ndaj të tjerëve, etj.
• Trajtim korrekt dhe jodiskriminues të të gjithë fëmijëve dhe të prindërve.
• Zhvillim të aftësive kreative të nxënësve dhe të aftësisë për të mësuar gjatë tërë jetës.
• Kultivim të aftësisë drejtshkrimore në përputhje me standardet e gjuhës amtare.
• Aftësim të fëmijëve ta flasin dhe ta shkruajnë rrjedhshëm gjuhën angleze, të lexojnë dhe komunikojnë pa probleme në një gjuhë tjetër të huaj.
• Shkallë maksimale të zhvillimit të aftësive psiko-fizike të fëmijëve.