21/07/2026
STUDIM BIOGRAFIK MBI ROLIN E MËSUESIT MODEL
| Botim i ri |
Botimi i historianit Habib Mustafa paraqet një kontribut me peshë në fushën e studimeve monografike. Për nga konceptimi, struktura dhe realizimi diskursiv, ky botim pozicionohet në tipologjinë e monografisë biografike me natyrë analitike-interpretuese.
Monografia trajton jetën dhe veprimtarinë arsimore e pedagogjike të Faik Mustafës, figurë e rëndësishme e arsimit në Kosovë. Për dekada me radhë, ai është vlerësuar si njëri nga kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e arsimit në rrethana të ndryshme historiko-shoqërore.
Veprimtaria pedagogjike e shtyu autorin, njëkohësisht vëllain e Faikut, ta ndërmerrte nismën për ta nderuar atë si mësues, pedagog, koleg dhe familjar.
Pedagogu Faik Mustafa me këtë libër merr formë të merituar njohjeje dhe falënderimi për kontributin e tij të pakontestueshëm. Në Parathënie, edhe vetë autori Habib Mustafa vë në dukje rëndësinë e këtij kontributi:
“Kjo monografi analizon dhe përshkruan dinamikat e zhvillimit profesional të subjektit, si dhe ndikimin e tij në përmirësimin e praktikave mësimore-edukative dhe në forcimin e marrëdhënieve profesionale brenda institucionit shkollor. Përmes kësaj qasjeje, evidentohet jo vetëm dimensioni individual i kontributit, por edhe ndërveprimi i tij me strukturat dhe me proceset më të gjera të sistemit arsimor”.
Citimi përbën boshtin konceptual mbi të cilin mbështetet i gjithë teksti.
Materiali burimor, në fazën e parë, rezultonte i fragmentarizuar dhe voluminoz, çka kërkonte një proces të kujdesshëm seleksionimi, kategorizimi dhe hierarkizimi.
Qëllimi nuk ka qenë zgjerimi i panevojshëm, por densiteti kuptimor dhe argumentues. Si rezultat i kësaj përpjekjeje, teksti final shmang prolixitetin tipik dhe ofron përmbajtje të qartë e të lexueshme.
Pas një diskutimi mbi titullin, arritëm në formulimin përfundimtar:
“Roli i Faik Mustafës në zhvillimin e arsimit shqip”.
Titulli sintetizon në mënyrë adekuate përmbajtjen dhe orientimin analitik.
Vendosja e tij shënoi kristalizimin e strukturës aktuale të librit.
Libri është i organizuar në katër krerë, secili me funksion të qartë tematik dhe narrativ.
• Kreu i parë trajton vendlindjen, Strofcin, kontekstin historik të luftës dhe rolin e familjes Mustafa, e cila dha kontribut të dukshëm shoqëror dhe historik, si para, ashtu edhe pas luftës së viteve 1998—1999. Përmendja e figurave, si: Halim Mujë Mustafa dhe Hashim Halim Mustafa, ka karakter informues dhe funksionon si dëshmi e një tradite rezistence përballë shtypjes së ashpër serbe.
• Kreu i dytë përqendrohet në shkrimin biografik të Faik Mustafës, duke pasqyruar fëmijërinë, formimin, jetën familjare dhe ngritjen arsimore. Ky pasqyrim përbën bërthamën e veprës monografike, pasi trajton në mënyrë pak më të hollësishme profilizimin e tij, kontributin në arsim dhe angazhimin në rrethana të jashtëzakonshme, përfshirë edhe periudhën kur procesi mësimor zhvillohej në kushte alternative dhe nën rrezik.
• Në kreun e tretë jepen vlerësimet, përvojat dhe perceptimet e bashkëkohësve dhe të brezave të ndryshëm për pedagogun e nderuar. Diskursi këtu zgjerohet në një prirje më interpretative, sepse epitete të tilla, si: “udhëheqës”, “pishtar i dijes” apo “legjendë e pedagogjisë” marrin statusin e vlerave dhe të parimeve profesionale.
• Kreu i katërt shërben si burim arkivor vizual dhe dokumentar. Nëpërmes fotografive, certifikatave, mirënjohjeve dhe dëshmive të tjera materiale ndërtohet një perspektivë faktografike e veprimtarisë së Faik Mustafës. Kufizimet në sigurimin e materialeve, si pasojë e rrethanave historike dhe veçanërisht të luftës, nuk e zbehin vlerën e kësaj pjese. Ato, në fakt, e përforcojnë rëndësinë e ruajtjes së kujtesës shkollore dhe familjare. Përmbyllja me trungun gjenealogjik të familjes Mustafa në Strofc ia shton veprës tiparin identitar dhe historik.
Autori eviton elozhet e tepruara dhe ruan një ton të përmbajtur.
Kjo vepër është një studim i strukturuar mbi rolin e mësuesit në praktikën pedagogjike. Ajo kontribuon në kuadrin e zhvillimeve arsimore dhe pasuron literaturën përkatëse me një qasje të aplikueshme në studime të ngjashme.
MA. Mentor Hajrizi, redaktor
Mësuesit kosovarë