26/07/2023
Për profesorin - dramaturgun Haqif Mulliqi
1960 - 2023
Katedra e dramaturgjisë dje (më 25 Korrik 2023) humbi profesorin, dramaturgun, gazetarin dhe regjisorin e nderuar dhe shumë të dashur Prof. Dr. Haqif Mulliqi.
Prof. Dr. Haqif Mulliqi lindi në Pejë më 1960. Shkollimin fillor, të mesëm dhe studimet themelore i ka kryer në Prishtinë. Studimet mbi psikologjinë, me temë “Psikologjia e karaktereve në veprat ‘Hamleti’, ‘Makbethi’ dhe ‘Mbreti Lir’ të Uilliam Shekspirit” i ka kryer në Tiranë. Ka magistruar në Tetovë, në Fakultetin e Filologjisë të UShT-së, me temë “Tipa të dramës në Evropë dhe në Amerikë - nga Ibseni deri te klasikët e modernizmit, Beket dhe Jonesko”. Ka doktoruar në Qendren e Studimeve Albanologjike në Tiranë për antropologji të dramës dhe të teatrit me temë “Identiteti kombëtar në Kosovë përmes dramës dhe teatrit”.
Ishte profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, ndërsa disa vite kishte punuar profesor në Universitetin e Arteve në Tiranë si dhe Universitetin Shtetëror të Tetovës, në të cilin kishte bashkëthemeluar disa katedra.
Prof. Mulliqi për shumë dekada ka qenë gazetar dhe botues gazetash, ka shkruar mbi 300 kritika, analiza, recenzione e punime te tjera teorike për dramën, filmin dhe teatrin. Ai ka inskenuar rreth 25 vepra dramatike në teatrot më te njohur shqiptarë dhe ka mare pjese, si autor dhe si regjisorë, në mbi 70 festivale të ndryshëm kombëtare dhe ndërkombëtare, në Edinburg (Skoci), Katmandu (Nepal) e deri në Kajro (Egjipt), ku dhe ka fituar shumë çmime.
Ka botuar më shumë se 20 drama, te cilat janë punuar në teatro të ndryshëm të botës. Dramat e tij janë përkthyer në, së paku, 12 gjuhë dhe për to janë shkruar shumë kritika dhe analiza nga kritikët më të shquar botërorë të dramës dhe teatrit.
Prof. Mulliqi la pas vetës krijimtari të gjerë, dramaturgji, gazetari e publicistikë, krijimtaria e pasur e Prof. Mulliqit, mbetet si udhërrëfyes për gjeneratat e ardhme. Prof. Mulliqi do të jetojë ndër ne përmes krijimtarisë së tij artistike, në veprat e tij të stërmbushura me momente, emocione dhe kujtime.
Mbledhja komemorative për nder të prof. Haqif Mulliqit do të mbahet të enjten, më 27 korrik 2023 në Bibliotekën Kombëtare nga ora 13:00, ndërsa ceremonia e varrimit do bëhet të njejtën ditë, nga ora 15:00 në varrezat e kryeqytetit.
Me dhimbje të madhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët, miqtë, studentët e gjithë dashamirët!
Pusho i qetë profesor!