27/04/2026
DUA ME KUPTIMET E EMRIT
EL-KUDDUS
Ai është EL-KUDDUS, i Pastri absolut, i lirë nga çdo mangësi, nga çdo padrejtësi, nga çdo krahasim me krijesat. Ai është i përkryer dhe i pastër në qenësinë e Tij, në cilësitë e Tij dhe në urdhrat që ka shpallur. Prej Tij vjen vetëm e vërteta e drejtë dhe e qartë, pa asnjë padrejtësi apo mangësi. Thuaj këto lutje si një njeri që e ndien gjynahun dhe kërkon një Zot të pastër, të denjë për adhurim, pa ndonjë të metë dhe pa ngjashmëri me krijesat.
— DUA —
O Allah, Ti je Mbreti, nuk ka të denjë për t’u adhuruar, përveç Teje. Ti je Zoti im e unë jam robi Yt. I kam bërë padrejtësi vetes dhe i pranoj gjynahet që kam bërë. M’i fal gjynahet, sepse askush nuk fal gjynahe, përveç Teje.
Më udhëzo për moralin e mirë, sepse askush nuk udhëzon për moralin e mirë, përveç Teje. Më largo prej moralit të keq, sepse askush nuk largon prej moralit të keq, përveç Teje.
Ty të përgjigjem dhe çdoherë jam në shërbimin Tënd. I gjithë hairi është në dorën Tënde, ndërsa e keqja nuk është prej Teje. Unë jam yti dhe fundin e kam te Ti. I patëmeta je Ti. Prej Teje kërkoj falje dhe të kthehem i penduar.
I patëmeta je Ti, o Zoti i melaikeve dhe i Xhibrilit. Distancohem nga tërë ajo që të shoqërojnë ata që bëjnë shirk. Ma bëj zemrën të pastër dhe ma mundëso që të gjitha adhurimet t’i kem të pastra vetëm për Ty. Ma bëj të pastër qëndrimin para Teje në këtë botë, që të dal faqe bardhë para Teje në Ditën e Gjykimit.
Nga libri “Ta njohim Allahun” - Enis Rama