14/05/2013
Nga ana gjuhësore, fjala allāh ka afërsi të ngushtë me atë eloah në hebreisht, të përdorur më tepër në formën e shumësit elohim (hebreisht אלהים). Fjala eloah/Elohim duhet të ketë patur fillimisht kuptimin „i fortë“, „i fuqishëm“. Fjala elohim përkthehet në bibël në përgjithësi me „zot“ por në disa vende në të ajo përdoret edhe për engjëj dhe madje për njerëz (Eksodi 4,16). Në trashëgiminë çifute, zoti, si krijues dhe gjyqtar, cilësohet me fjalën elohim, ndërsa fjala JHVH (jahve) përmban kryesisht aspektin e mëshirshëm të zotit. Edhe në arameikisht, e cila bën pjesë po ashtu në familjen e gjuhëve semite, thuhet alah ose alaha, sipas dialektit edhe me ngjyrimin aloho.
Termat zot, allah, elohim janë kështu në shqip, arabisht dhe hebreisht sinonime.
Trashëgimia letrare islamike shkruan se emri allah njihej edhe nga politeistët dhe se i ati i Muhametit e ka patur emrin Abdullah, emër i cili përbëhet nga kjo fjalë. I dëshmueshëm arkeologjikisht është në të kundërt përdorimi paraislamik i fjalës allah nga ana e të krishterëve (Umm al-xhimal).
Ka dy hipoteza alternative historiko-gjuhësore; sipas njërës prej tyre fjala allah është formuar nga elipsa e rrokjeve arabe الإله = al-ilāh = perëndia. Sipas tjetrës, nëpërmjet përvetësimit të termit arameik alaha. E para është shpjegimi me akceptancën (njohjen) shkencore më të gjerë sot.
Me formën e shumësit të madhërisë (pluralis majestatis) "allahumma", shpjegohet edhe forma e shumësit që figuron në kuran, psh. në suren 2, vargu 35:
"Dhe ne i thamë: O Adam, qëndro ti dhe gruaja jote në kopësht dhe hani nga frutat e tij pa kursyer dhe ku të doni! Por mos iu afroni kësaj peme, se përndryshe do t'u përkisni të padrejtëve."
Një nga 99 emrat e allahut është arabisht maliku l-mulk, e përkthyer në shqip: mbreti i mbretërve, me të cilën shpjegohet edhe forma e pluralis majestatis, (shumësit të madhërisë).