23/10/2025
Dita e Shkollës – 79 vjet dije në shkollën tonë
Në një atmosferë të ngrohtë e plot emocione, shkolla jonë shënoi 79-vjetorin e themelimit, si një nga shkollat më të vjetra e më me traditë në Klinë.
Në këtë ditë të veçantë mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, i cili përshëndeti stafin dhe nxënësit për punën e tyre në rrugën e dijes.
Nxënësit sollën para të pranishmëve një program të pasur artistik me recitime, këngë dhe gara sportive në vrapim e futboll, duke dëshmuar talentin, energjinë dhe shpirtin garues që i karakterizon.
Nxënësit më të dalluar u vlerësuan me mirënjohje nga drejtori i shkollës, z. Dodë Grabanica. Ndërkohë, drejtori vetë u surprizua nga nxënësit, të cilët e nderuan me një mirënjohje për kontributin e tij të vazhdueshëm, përkushtimin dhe kujdesin e treguar ndër vite.
Në shenjë respekti e falënderimi, drejtori ndau mirënjohje për dy mësimdhënësit e dalluar të shkollës, arsimtarin Kristë Bekaj dhe mësuesen Mire Gojani, për punën e tyre të vyer në edukimin e brezave.
Një falënderim shumë i veçantë u shkon prindërve, që janë gjithmonë pranë shkollës dhe fëmijëve të tyre me përkushtim e dashuri, e në veçanti nënave, të cilat e pasuruan këtë ditë me ushqime tradicionale, duke e bërë atmosferën edhe më të ngrohtë e plot shije.
Kontributi i tyre është shembull i bashkëpunimit të vërtetë mes familjes dhe shkollës.