01/05/2022
Disa sunete (veprime të Muhamedit alejhi selam) në ditën e Bajramit.
1) Larja, parfumosja dhe veshja e teshave më të bukura. Tek pastrimi padyshim se hyjnë edhe shkurtimi i thonjve, pastrimi i brendshëm, rregullimi i flokëve etj.
I Dërguari i Allahut alejhi saletu ue selam në Bajram i veshte rrobat më të bukura që i posedonte. Ai kishte një xhybe të veçantë të cilën e veshte në dy bajramet dhe në namazin e xhumasë.
2) Pëlqehet para se të dilet për në xhami ditën e Bajramit të hahet diçka të ëmbël. Sunet është të hahen hurma.
I Dërguari i Allahut alejhi saletu ve selam kur dilte për të falur namazin e Bajramit të Fitrit hante pak hurma dhe gjithnjë i hante ato në numër tek. Ngase Allahu është Tek (Një) dhe e don tekun.
3) Pëlqehet që muslimani të niset për në xhami nga një rrugë dhe të kthehet nga një rrugë tjetër.
Sahabiu i nderuar Xhabiri Allahu qoftë i kënaqur me të tregon se Pejgamberi alejhi salatu ve selam pasi e falte namazin ditën e Bajramit kthehej nga një rrugë tjetër”.
4) Pëlqehet që muslimani pasi të kthehet nga xhamia t’i fal dy rekate në shtëpi.
Ebu Seid el Hudrij Allahu qoftë i kënaqur me të thotë se Pejgamberi alejhi salatu ve selam kur e falte namazin e Bajramit dhe kthehej në shtëpi, i falte dy rekate namaz.
5) Pëlqehet që muslimani të bëj tekbire (ta madhëron Allahun) prej perëndimit të diellit të natës së Bajramit dhe ditën e nesërme duke shkuar për në xhami, gjatë qëndrimit në xhami dhe kështu me rradhë.
6– Pëlqehet që muslimanët t’ia urojnë njëri tjetrit Bajramin, ngase është ditë gëzimi dhe lumturie. Ata për një muaj të tërë e kanë ndërtuar shyllën e agjërimit.
Allahu i Madhëruar thotë:
قُلْ بِفَضْلِ اللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ
“Thuaj:“Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij, vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më mirë se ajo që grumbullojnë ata”.[Junus: 58]
Muhamedi a.s, ka thënë:“Çdo popull i ka festat e veta, e festat e muslimanëve janë dy: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami”.
Shokët e të Dërguari të Allahut s.a.v.s. ia uronin njëri tjetrit Bajramin duke thënë:“Allahu na i pranoftë adhurimet tona dhe tuajat”