01/09/2023
Përshëmdetje bashkëfshatarë begracali. Kemi disa sugjerime që në këtë fillimviti shkollor të tregojmë pak humanizëm si edhe çdoherë. Në të vërtetë, bëhet fjalë për lehtësimin e kushteve të blerjes së pajisjeve shkollore për nxënësit e shkollës fillore "7 Shtatori" në Begracë. Ky fillim i vitit të ri shkollor mund të jetë pak më sfidues për prindërit, për dallim nga vitet tjera, sidomos për ata që kanë dy e më shumë fëmijë në shkollë, nga shpenzimet që t’ju sigurohen mjetet për një proces mësimor normal.
Besojmë se është obligim moral dhe përgjegjësi e secilit prej nesh, që të kontribojmë sipas mundësive, me qëllim që nxënësit mos ta kenë këtë ngarkesë!
Pra, nëse mblidhemi bashkë, ndoshta mund të sigurojmë ndonjë shumë modeste, për ata nxënës që kanë pak më shumë nevojë, të paktën për mjetet bazike (fletore, lapsa…)
Kemi të interesuar që mund ta bëjnë një listë, në drejtori me secilin mësues për klasën e tij nga klasa I deri te klasa IX dhe të na orientojnë aty ku ka nevojë pak më tepër.
Ose mënyra tjetër, të lajmërohen personalisht në këtë shoqatë, nga ky njoftim, secili prindër që e sheh të arsyeshme si ndihmesë.
Gjithashtu për blerjet, mund të bëhet marrëveshje me marketet e fshatit, nëse kanë kapacitet për t’na ofruar e që është në interes për të dyja palët.
Mund të jetë pak vonë, prindërit veçse kanë marrë ngarkesën dhe mbase kanë filluar me përgaditjet, por megjithatë viti shkollor është i gjatë dhe të paktën të arrijmë t’i shpërndajmë deri me 7 shtator, meqë është edhe dita e shkollës sonë.
Shpresojmë se edhe kësaj radhe do ta dëshmojmë shpirtin e pastër të begracalive tanë të dashur. Ju falënderojmë që më parë.