02/09/2026
Reagim me shkas
E kuptojmë shqetësimin e prindërve lidhur me kushtet në shkollë dhe e konsiderojmë të rëndësishme çdo vërejtje që mund të kontribuojë në përmirësimin e ambientit ku mësojnë nxënësit.
Sa i përket bankave dhe karrigeve, për këtë vit janë siguruar banka dhe karrige individuale për klasat e para dhe të nënta. Për shkak të procedurave administrative, ato janë vonuar vetëm një ditë dhe tashmë janë në dispozicion të nxënësve.
Gjithashtu, janë planifikuar edhe disa ndërhyrje të tjera nëpër klasa, të cilat do të fillojnë në ditët në vijim, pas përfundimit të procedurave përkatëse.
Qëllimi ynë është që nxënësit të kenë kushte sa më të mira për të mësuar dhe se përmirësimi i tyre është një proces i vazhdueshëm.
Në të njëjtën kohë, besojmë se një shkollë ndërtohet jo vetëm nga kushtet materiale, por edhe nga njerëzit e saj. Përkushtimi, energjia dhe puna e stafit janë pjesë e rëndësishme e përditshmërisë sonë dhe reflektohen në sukseset dhe rezultatet e nxënësve. Jemi krenarë për punën që bëhet në SHFMU “Selami Hallaçi” dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për gjenerata sa më të suksesshme.
Falënderojmë prindërit për vëmendjen dhe bashkëpunimin, duke mbetur të hapur për çdo sugjerim që ndihmon në krijimin e një mjedisi sa më të mirë për nxënësit.