19/02/2026
📚🇽🇰 Orë letrare në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Sot, në bashkëpunim me Klubin Letrar, organizuam një orë letrare për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Aktiviteti u hap me intonimin e Himnit të Kosovës, duke krijuar që në fillim një atmosferë dinjitoze dhe solemne.
Fjalën hapëse e mbajti Dekani, prof. ass. Labinot Berisha, i cili theksoi rëndësinë e aktiviteteve që forcojnë ndërgjegjen tonë kombëtare dhe kulturore. Si Kryetar i Këshillit të Studentëve, pata nderin të falënderoj të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen në këtë organizim me vlerë.
Interpretimet e studentëve ishin thellësisht emocionuese – fjalë që na prekën në shpirt dhe na rikujtuan sakrificën, dhimbjen dhe krenarinë e të qenit pjesë e këtij shteti. Si pikë përmbyllëse, nxënësit e klasave III dhe IV të shkollës “Dëshmorët e Baballoqit” – Deçan sollën një valle plot gjallëri e krenari. Pas emocioneve të forta, kjo ishte një frymë shprese – sepse fëmijët janë e ardhmja jonë dhe e ardhmja e Kosovës është premtuese.
Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë se kur studentët angazhohen me përkushtim, rezultatet flasin vetë. Organizimi la përshtypje të veçantë tek të pranishmit dhe u vlerësua me mirënjohje nga shkolla mysafire për mikpritjen dhe bashkëpunimin.
Falënderoj kryetaren e Klubit Letrar dhe të gjithë anëtarët e klubit për bashkëpunimin korrekt dhe profesional. Falënderim i veçantë për stafin e shkollës “Dëshmorët e Baballoqit” për praninë dhe kontributin e tyre. Mirënjohje për Dekanin për motivimin e vazhdueshëm, si dhe për të gjithë profesorët dhe studentët që ishin pjesë e këtij organizimi.
Universiteti ynë, e në veçanti Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Filologjisë, mbetet i përkushtuar që të zhvillojë aktivitete me ndikim, të forcojë bashkëpunimet institucionale dhe të hapë dyer të reja për studentët tanë.
🇽🇰