Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) është themeluar në korrik 2015 nga Kuv

University of Applied Sciences in Ferizaj (UASF) was established on July 2015 by the Parliament of the Republic of Kosova following a 40 year tradition of professional and applied science education of the Faculty of Applied Sciences in Ferizaj, part of University of Prishtina.

UShAF dërgon në Prokurori tre anëtarët e Këshillit Drejtues për veprime të dyshuara në kundërshtim me ligjin,  Statutin ...
15/09/2026

UShAF dërgon në Prokurori tre anëtarët e Këshillit Drejtues për veprime të dyshuara në kundërshtim me ligjin, Statutin dhe rregulloren e punës

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) njofton opinionin publik se ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ndaj tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të emëruar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës: Ramadan Beqiri, Ilmi Reçica dhe Alban Maliqi.

Kallëzimi penal është paraqitur lidhur me veprimet e tyre më 11 shtator 2026, kur, sipas dokumentacionit në posedim të Universitetit, është zhvilluar një takim i Këshillit Drejtues pa kuorumin e përcaktuar me Statut, pa respektimin e procedurave për rendin e ditës dhe në kundërshtim me rregullat për thirrjen e mbledhjeve.

Paragrafi 2 i nenit 19 të Statutit të UShAF-it përcakton se për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej katër (4) anëtarëve, ndërsa dispozitat e Statutit dhe Rregullores së Punës përcaktojnë procedurat për propozimin e rendit të ditës dhe thirrjen e mbledhjeive.

UShAF vlerëson se veprimet e tilla, nëse konstatohen nga organet kompetente, mund të përbëjnë tejkalim të kompetencave zyrtare dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas legjislacionit penal në fuqi.

UShAF i beson institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe pret që rasti të hetohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe në përputhje të plotë me ligjin.

UShAF do të vazhdojë të mbrojë ligjshmërinë, autonominë institucionale dhe funksionimin e rregullt të organeve të Universitetit.

Ligji, Statuti dhe procedurat institucionale janë të detyrueshme për të gjithë, pa përjashtim.

REKTORI BAJRAKTARI UDHËTON PËR NË HAGËSot nisim rrugëtimin drejt Hagës, me zemrën dhe mendjen te çlirimtarët tanë.Shkojm...
14/09/2026

REKTORI BAJRAKTARI UDHËTON PËR NË HAGË

Sot nisim rrugëtimin drejt Hagës, me zemrën dhe mendjen te çlirimtarët tanë.

Shkojmë për të qenë pranë tyre në një ditë të rëndësishme për ta, për familjet e tyre dhe për gjithë Kosovën.

Pas një rrugëtimi të gjatë, besojmë se e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë.

Shkojmë bashkë dhe, me besimin te drejtësia, kthehemi bashkë me çlirimtarët!

Kosova i pret me zemër të hapur.

Për lirinë. Për të vërtetën. Për Kosovën.

SKANDAL INSTITUCIONAL: TRE ANËTARË TË KËSHILLIT DREJTUES TË DELEGUAR NGA MINISTRIA MBAJNË “MBLEDHJE” PA KUORUM DHE NË KU...
13/09/2026

SKANDAL INSTITUCIONAL: TRE ANËTARË TË KËSHILLIT DREJTUES TË DELEGUAR NGA MINISTRIA MBAJNË “MBLEDHJE” PA KUORUM DHE NË KUNDËRSHTIM ME STATUTIN E USHAF

Rektori: asnjë organ universitar nuk mund të funksionojë jashtë statutit, universiteti do të kërkojë përgjegjësi ligjore
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) denoncon publikisht një veprim jashtëzakonisht serioz të Kryesuesit të Këshillit Drejtues, Ramadan Beqiri, dhe dy anëtarëve të tjerë të Këshillit Drejtues të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ilmi Reçica dhe Alban Maliqi.
Sipas dokumentacionit të protokolluar në Universitet, më 11 shtator 2026, në ora 14:00, këta tre persona kanë zhvilluar një mbledhje të pretenduar të Këshillit Drejtues, ndonëse, sipas dispozitave statutare të cituara më poshtë, nuk ka ekzistuar kuorumi i nevojshëm prej katër anëtarësh dhe nuk është respektuar procedura për përcaktimin e rendit të ditës në pajtim me Rektorin. Ky veprim ngre çështje serioze lidhur me ligjshmërinë e procedurës, kompetencat e personave të përfshirë dhe respektimin e autonomisë së Universitetit.

Faktet janë të qarta: tre anëtarë nuk janë këshilli drejtues
Këshilli Drejtues i UShAF përbëhet nga shtatë anëtarë.
Paragrafi 2 i nenit 19 të Statutit të UShAF përcakton qartë: “Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej katër (4) anëtarëve.”
Megjithatë, më 11 shtator 2026, mbledhja e pretenduar është zhvilluar nga vetëm tre persona:

Ramadan Beqiri – Kryesues i Këshillit Drejtues;
Ilmi Reçica – Zëvendëskryesues;
Alban Maliqi – Anëtar.
Pra, nga shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues, në mbledhjen e pretenduar kanë marrë pjesë vetëm tre. Katër anëtarë kërkohen për kuorum. Tre anëtarë nuk e përmbushin këtë kusht. Kjo nuk është çështje interpretimi politik. Është një kërkesë e shprehur në mënyrë të qartë në Statutin e Universitetit. Për këtë arsye, UShAF konteston ligjshmërinë e çdo vendimi që pretendohet se është marrë në një mbledhje ku nuk ka ekzistuar kuorumi i përcaktuar me Statut.

Edhe rendi i ditës është proceduar në kundërshtim me statutin
Shkelja e pretenduar nuk kufizohet vetëm te mungesa e kuorumit.
Paragrafi 8 i nenit 19 të Statutit të UShAF përcakton: “Rendi i ditës për takimet e Këshillit Drejtues propozohet nga kryesuesi në pajtim me Rektorin.”
Të njëjtën kërkesë e përcakton edhe paragrafi 9 i nenit 6 të Rregullores së Punës së Këshillit Drejtues të UShAF nr. 144/21, datë 25.01.2021: “Rendi i ditës për takimet e KD propozohet nga kryesuesi, në pajtim me Rektorin.” Këto dispozita janë të qarta.
Rendi i ditës nuk mund të përcaktohet duke e anashkaluar Rektorin dhe procedurën e përcaktuar në aktet juridike të Universitetit. Në rastin konkret, procedura është zhvilluar pa u respektuar kjo kërkesë statutare dhe rregullative. Për më tepër, në kohën kur është thirrur dhe zhvilluar kjo mbledhje, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, ndodhej jashtë Republikës së Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Kjo rrethanë nuk i jep askujt të drejtën të anashkalojë Statutin.

Kjo nuk është thjeshtë një mosmarrëveshje procedurale
Menaxhmenti i UShAF e konsideron këtë situatë si një çështje shumë më të rëndë sesa një mosmarrëveshje rreth procedurës së një mbledhjeje. Bëhet fjalë për respektimin e: autonomisë së Universitetit, Statutit të Universitetit, Rregullores së Punës së Këshillit Drejtues, kompetencave të organeve universitare dhe parimit të ligjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike.
Këshilli Drejtues është organ kolegjial. As kryesuesi dhe as tre anëtarë të tij nuk mund ta zëvendësojnë vullnetin e organit kolegjial kur nuk ekziston kuorumi i përcaktuar me Statut. Një mbledhje pa kuorum nuk mund të shndërrohet me vullnetin e tre personave në një mbledhje të rregullt të Këshillit Drejtues.

Pyetja që kërkon përgjigje: ku është autonomia universitare?
UShAF kërkon përgjigje edhe për një çështje më të gjerë institucionale: A po përdoren anëtarët e Këshillit Drejtues të emëruar nga Ministria si instrument për ndërhyrje në autonominë e Universitetit? Tre anëtarët në fjalë janë emëruar nga Ministria e Arsimit. Kjo nuk do të thotë se ata mund të veprojnë si përfaqësues politikë të Ministrisë brenda Universitetit. Pasi emërohen në Këshillin Drejtues, ata duhet të veprojnë në përputhje me ligjin, Statutin dhe rregullat që përcaktojnë funksionimin e këtij organi. Ministria mund të delegojë përfaqësues, por nuk mund ta zëvendësojë Këshillin Drejtues.
Dhe askush nuk mund ta përdorë pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues për të krijuar një mekanizëm paralel vendimmarrës jashtë Statutit.

Veprimet do të kërkojnë vlerësimin e organeve kompetente
UShAF nuk do ta pranojë si fakt të kryer asnjë vendim të pretenduar si vendim i Këshillit Drejtues nëse ai është marrë në një proces që nuk ka përmbushur kushtet statutare për zhvillimin e mbledhjes.
Universiteti do të kërkojë nga gjykata dhe organet e tjera kompetente që të vlerësojnë: ligjshmërinë e thirrjes së mbledhjes; respektimin e procedurës për përcaktimin e rendit të ditës; ekzistimin ose jo të kuorumit; kompetencën e personave për të marrë vendime në emër të Këshillit Drejtues në rrethanat konkrete; ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e çdo akti apo vendimi të nxjerrë në atë mbledhje; dhe, nëse konstatohen elementet përkatëse, përgjegjësinë individuale të personave të përfshirë.
Në këtë kontekst, UShAF do t’ua lërë organeve kompetente të drejtësisë vlerësimin nëse veprimet konkrete me dashje dhe të qëllimshne përbëjnë elemente të ndonjë vepre penale, përfshirë edhe çështjet që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe tejkalimin e kompetencave, sipas legjislacionit penal në fuqi.

Një dokument zyrtar ngre edhe një çështje tjetër serioze
Në dokumentacionin e protokolluar në Universitet lidhur me këtë proces, z. Ilmi Reçica është paraqitur si “sekretar”, ndërkohë që, sipas strukturës së Këshillit Drejtues, ai mban pozitën e zëvendëskryesuesit.
UShAF e konsideron këtë një çështje që duhet të sqarohet dhe të verifikohet në mënyrë institucionale, veçanërisht kur bëhet fjalë për dokumentacion që lidhet me një mbledhje të kontestuar për mungesë kuorumi dhe parregullsi procedurale.

Më 14 shtator 2026, universiteti do të ndërmarrë hapa ligjorë
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj do të ndërmarrë më 14 shtator 2026 hapat juridikë pranë gjykatës kompetente lidhur me veprimet e ndërmarra në kuadër të kësaj mbledhjeje. UShAF do të kërkojë mbrojtjen e autonomisë së tij institucionale dhe shqyrtimin gjyqësor të ligjshmërisë së veprimeve të kryera.

Askush nuk mund ta vendosë Universitetin para faktit të kryer.
Nëse dikush mendon se mund të anashkalojë Statutin, të mbajë mbledhje pa kuorum dhe pastaj t’i paraqesë vendimet e veta si vendime të Këshillit Drejtues, do të përballet me reagimin institucional dhe juridik të Universitetit.

Mesazh i drejtpërdrejtë për ministrin dhe përfaqësuesit e ministrisë
Rektori dhe menaxhmenti i UShAF i bëjnë të qartë Ministrisë së Arsimit: Universiteti nuk është institucion që mund të drejtohet përmes urdhrave politikë. Këshilli Drejtues nuk është mekanizëm për ndërhyrje politike. Statuti i Universitetit nuk është dokument që mund të respektohet vetëm kur i konvenon dikujt.
Dhe mbi të gjitha:
Autonomia e universitetit nuk do të lejohet të shkelët.
Çdo ndërhyrje në funksionimin e ligjshëm të Universitetit do të dokumentohet, do të kundërshtohet dhe, kur është e nevojshme, do të dërgohet për shqyrtim pranë organeve kompetente. UShAF nuk kërkon privilegje. Kërkon respektimin e ligjit. Nuk kërkon që dikush të jetë mbi ligjin. Kërkon që askush të mos jetë mbi Statutin dhe aktet tjera përcjellëse.
UShAF nuk do të lejojë që vullneti i tre personave të zëvendësojë vullnetin e një organi prej shtatë anëtarësh. Tre anëtarë nuk janë shtatë. Tre anëtarë nuk krijojnë kuorum. Një mbledhje pa kuorum nuk mund të trajtohet si mbledhje e rregullt e Këshillit Drejtues.
Autonomia universitare nuk mund të zëvendësohet me ndërhyrje politike.

11/09/2026

TË GJITHË BASHKË NË MARSHIN PËR LIRI!

Nesër, më 12 shtator, le të bashkohemi të gjithë; studentë, mësimdhënës, staf dhe qytetarë për të qenë pjesë e Marsh*t për Liri, në mbështetje të çlirimtarëve tanë që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Le t’i bashkohemi zërit të qytetarëve për liri, drejtësi dhe dinjitet.

Për Hashim Thaçin
Për Kadri Veselin
Për Jakup Krasniqin
Për Rexhep Selimin

Le të jemi të bashkuar dhe ta dëshmojmë se Kosova nuk harron!

Ju ftojmë të gjithëve të bëhemi pjesë e Marsh*t për Liri!

KOSOVA PO PRET!

Rektori Bajraktari përfaqëson UShAF-in në EAIE 2026 në Glasgow, me ftesë të Komisionit EvropianRektori i Universitetit t...
10/09/2026

Rektori Bajraktari përfaqëson UShAF-in në EAIE 2026 në Glasgow, me ftesë të Komisionit Evropian

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, po merr pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën Vjetore të European Association for International Education (EAIE) 2026, e cila po zhvillohet në Glasgow, Mbretëria e Bashkuar, nga 8 deri më 11 shtator 2026.

Pjesëmarrja e Rektorit Bajraktari në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare zhvillohet me ftesë të Komisionit Evropian, duke përfaqësuar një mundësi të rëndësishme për UShAF që të jetë pjesë e diskutimeve evropiane mbi të ardhmen e arsimit të lartë, ndërkombëtarizimin dhe bashkëpunimin akademik.

EAIE është një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë dhe çdo vit mbledh drejtues dhe profesionistë të arsimit nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar zhvillimet, sfidat dhe mundësitë e reja në arsimin ndërkombëtar.
Gjatë qëndrimit në Glasgow, Rektori Bajraktari po zhvillon takime dhe kontakte me përfaqësues të universiteteve, institucioneve evropiane dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare, me fokus në zgjerimin e bashkëpunimit akademik, mobilitetin e studentëve dhe stafit, zhvillimin e partneriteteve të reja dhe avancimin e proceseve të ndërkombëtarizimit të UShAF.

Për UShAF, pjesëmarrja në EAIE 2026 përbën një mundësi të veçantë për promovimin e potencialit akademik dhe institucional të universitetit, krijimin e partneriteteve të reja evropiane dhe hapjen e perspektivave të reja për studentët dhe stafin akademik.
Në kuadër të vizitës, Rektori Bajraktari po përfaqëson UShAF-in në një mjedis të nivelit të lartë ndërkombëtar, duke kontribuar në forcimin e rolit dhe pozitës së Universitetit në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.

Pjesëmarrja në EAIE 2026 i jep UShAF-it mundësinë që, krahas prezantimit të punës dhe potencialit të tij, të krijojë kontakte të drejtpërdrejta me institucione me të cilat mund të ndërtojë bashkëpunime konkrete. Takimet dhe diskutimet në Glasgow synojnë që këto kontakte të kthehen në mundësi reale për mobilitete, projekte të përbashkëta dhe iniciativa të reja akademike për studentët dhe stafin e Universitetit.

UShAF hap afatin e dytë të konkursit për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor dhe master.Universiteti i Shk...
08/09/2026

UShAF hap afatin e dytë të konkursit për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor dhe master.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) hap afatin e dytë të konkursit për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor dhe master për vitin akademik 2026/27

Në nivelin bachelor do të pranohen 127 studentë të rregullt, prej të cilëve 48 vende janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, 8 vende për kandidatët nga Mali i Zi, 8 vende për kandidatët nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, si dhe 7 vende për kandidatët nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kandidatët për studentë të UShAF në nivelin bachelor, në këtë afat të konkursit, do të kenë mundësi të aplikojnë në programet:

Menaxhment i Hotelierisë dhe Turizmit, BSc;

Menaxhimi i Biznesit dhe Ndërmarrësia, BSc (Vetëm për kuotat e rezervuara);

Dizajn Grafik dhe Multimedia, Bachelor Profesional (Vetëm për kuotat e rezervuara);

Arkitekturë e Interierit dhe Dizajn i Mobileve, BSc;

Informatika e Aplikuar, BSc (Vetëm për kuotat e rezervuara);

Inxhinieri Industriale me Informatikë, BSc.

Në nivelin master do të pranohen 50 studentë të rregullt, prej të cilëve 16 vende janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, 4 vende për kandidatët nga Mali i Zi, 4 vende për kandidatët nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, si dhe 4 vende për kandidatët nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Programet në nivelin master, në të cilat do të mund të aplikojnë kandidatët janë:

Arkitekturë e Gjelbër dhe Dizajn i Interierit, MSc (Vetëm për kuotat e rezervuara);

Menaxhimi dhe Inovacioni në Turizëm, MSc;

Inxhinieria dhe Menaxhimi i Prodhimit, MSc;

Menaxhimi i Ndërmarrësisë dhe Inovacioni, MSc.

Mundësi ndërkombëtare studimi: Studentët që regjistrohen në programet Menaxhimi i Biznesit dhe Ndërmarrësia (Bachelor) dhe Menaxhimi i Ndërmarrësisë dhe Inovacioni (Master) në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj kanë mundësinë të ndjekin studimet në kuadër të programit Double Diploma, i realizuar në bashkëpunim me WSB University (Poloni). Programi u mundëson studentëve që, pas përmbushjes së kërkesave akademike të përcaktuara nga të dy institucionet, të pajisen me dy diploma universitare, një nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe një nga WSB University në Poloni.

Aplikimi online për të dy nivelet e studimit do të bëhet nga data 11.09.2026 deri më 24.09.2026, në ora 16:00.

Dorëzimi i dokumentacionit fizik, vetëm për kandidatët që kanë aplikuar online, do të bëhet nga data 11.09.2026 deri më 24.09.2026. Dokumentet do të pranohen çdo ditë, me përjashtim të të dielave. Gjatë kësaj periudhe do të realizohet edhe verifikimi i dokumentacionit nga personeli i administratës.

Detajet e plota të konkursit, kriteret e pranimit dhe procedura e aplikimit mund të gjenden në vegëzat (linket) e mëposhtme.

Linku i konkursit: https://ushaf.net/ushaf-hap-konkursin-per-pranimin-e-studenteve-te-rinj-ne-nivelin-bachelor-dhe-master-4-2/

UShAF në mbështetje të Marsh*t për Liri – Kosova nuk i harron çlirimtarëtUniversiteti i Shkencave të Aplikuara në Feriza...
07/09/2026

UShAF në mbështetje të Marsh*t për Liri – Kosova nuk i harron çlirimtarët

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) mbështet Marshin për Liri, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke iu bashkuar zërit qytetar në mbështetje të çlirimtarëve dhe në mbrojtje të vlerave mbi të cilat u ndërtua liria e Kosovës, sepse liria që e gëzojmë sot nuk na është dhuruar. Ajo është fituar me luftë, sakrificë dhe me shumë jetë të dhëna për Kosovën.

UShAF edhe më herët ka qëndruar pranë vlerave të luftës çlirimtare dhe atyre që i shërbyen vendit në ditët më të vështira. Sot, kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, vazhdojnë të mbahen në Hagë, besojmë se është e rëndësishme që zëri për drejtësi të dëgjohet. Të kërkosh drejtësi për ta do të thotë të kërkosh një proces të drejtë, të paanshëm dhe dinjitoz, duke respektuar njëkohësisht të vërtetën dhe historinë e luftës sonë për liri.

Si institucion publik i arsimit të lartë që edukon brezat e rinj, UShAF beson se kemi përgjegjësi ta ruajmë kujtesën tonë historike dhe t’ua përcjellim atë brezave që vijnë. Të rinjtë duhet ta dinë se pas lirisë që gëzojnë sot qëndrojnë sakrifica, dhimbja dhe qëndresa e një populli të tërë, si dhe lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 12 shtator, qytetarë nga e gjithë Kosova do të bashkohen në Prishtinë për të marshuar paqësisht për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin. Edhe UShAF i bashkohet këtij zëri, me respekt për secilin që luftoi, për secilin që sakrifikoi dhe për të gjithë ata që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë.

Historia jonë nuk harrohet. Sakrifica për liri nuk harrohet. Çlirimtarët nuk harrohen.

Më 12 shtator, Kosova marshon për liri!

NJ O F T I MNjoftohen të gjithë studentët se është hapur afati shtesë për paraqitjen e provimeve të afatit të shtatorit ...
07/09/2026

NJ O F T I M

Njoftohen të gjithë studentët se është hapur afati shtesë për paraqitjen e provimeve të afatit të shtatorit 2026.

Afati për paraqitjen e provimeve do të jetë i hapur nga data 07.09.2026 (e hënë) deri më 09.09.2026 (e mërkurë).

Studentët obligohen që paraqitjen e provimeve ta bëjnë brenda afatit të përcaktuar. Pas përfundimit të këtij afati, nuk do të mund të bëhet paraqitja e provimeve.

Ferizaj, 07.09.2026 NGA ADMINISTRATA QENDRORE

Njoftim rreth konkursit plotësues për pranim të studentëve të rinjUniversiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShA...
03/09/2026

Njoftim rreth konkursit plotësues për pranim të studentëve të rinj

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) njofton të gjithë të interesuarit se më datë 11.09.2026 (e premte) do të hapë konkursin plotësues për pranim të studentëve të rinj në studimet bachelor dhe master për vitin akademik 2026/2027.

Programet e studimit në të cilat do të ketë vende të lira për pranim, si dhe numri i studentëve që do të pranohen në secilin program, do të bëhen publike me shpalljen zyrtare të konkursit.

UShAF i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të mirëpritur studentët e rinj dhe është i gatshëm për fillimin e vitit të ri akademik. Të interesuarit ftohen të përcjellin njoftimet zyrtare të Universitetit për t’u informuar me kohë rreth konkursit, programeve të studimit, numrit të vendeve në dispozicion dhe procedurave të aplikimit.

Të gjitha programet realizohen me mësimdhënës kompetentë, punë praktike në ndërmarrje, mundësi të shumta mobiliteti dhe aktivitete të tjera me rëndësi për përgatitjen e duhur profesionale dhe zhvillimin e kompetencave të larta për tregun e punës.

Address

Rr. Universiteti
Ferizaj
70000

Opening Hours

Monday 10:00 - 15:00
Tuesday 10:00 - 15:00
Wednesday 10:00 - 15:00
Thursday 10:00 - 15:00
Friday 10:00 - 15:00

Telephone

+383290310010

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share