01/09/2026
Të dashur nxënës, prindër dhe mësimdhënës të ShFMU “Jeronim de Rada”
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ju përcjellim urimet më të përzemërta për një vit të mbushur me suksese, dije, përkushtim, gëzim dhe arritje të reja.
Sot hapen edhe një herë dyert e shkollës sonë, duke sjellë me vete emocione, takime të reja, miqësi, sfida dhe shumë mundësi për të mësuar e për t’u zhvilluar.
Çdo vit shkollor është një kapitull i ri, në të cilin secili nxënës ka mundësinë të zbulojë aftësitë e veta, të realizojë synimet dhe të bëjë një hap më pranë ëndrrave të tij.
Në këtë fillimvit shkollor janë bërë punë mjaft të rëndësishme teknike në mënyrë që ambientet e mësimit e hapësirat e tjera në ShFMU “Jeronim de Rada “ të jenë sa më të përshtatshme e të pastërta për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Një mirëseardhje e veçantë për nxënësit tanë më të rinj fatosat dhe yllkat e klasëve të para të cilët sot nisin një rrugëtim të ri në bankat shkollore.
Urojmë që shkolla të jetë për ju një vend ku do të ndiheni të dashur, të sigurt dhe të motivuar për të mësuar çdo ditë diçka të re.
Të dashur nxënës, mos kini frikë nga sfidat.
Besoni në veten tuaj, punoni me përkushtim, respektoni njëri-tjetrin dhe mos u dorëzoni asnjëherë.
Çdo përpjekje e juaja është një hap drejt suksesit.
Falënderojmë edhe mësimdhënësit tanë për përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë që tregojnë çdo ditë në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Po ashtu, falënderojmë prindërit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Le të jetë ky vit shkollor një vit i punës, bashkëpunimit, respektit dhe rezultateve të shkëlqyera.
Orari mësimor në shkollën tonë nuk ka ndonjë ndryshim nga viti i kaluar
Niveli I-V e zhvillon mësimin pasdite nga ora 13:30.
Ndërkaq niveli VI-IX vijon paradite nga ora 08:00.
🌟 Suksese të gjithë nxënësve!
📚 Mësim të mbarë!
🍀 Një vit shkollor të lumtur, të begatë dhe plot arritje!
Mirë se vini përsëri në ShFMU “Jeronim de Rada”! 🏫