21/05/2026
ZKA mbështet Sh.F.M.U. “28 Nëntori” me inventar dhe pajisje teknologjike
Sh.F.M.U. “28 Nëntori” në Bresanë ka përfituar një donacion të rëndësishëm me inventar dhe pajisje teknologjike nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), të cilat do të shërbejnë për përmirësimin e kushteve të mësimit dhe punës administrative në shkollën tonë.
Marrëveshja për dorëzim-pranimin e pasurisë është nënshkruar më 13 maj 2026 në Prishtinë ndërmjet Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës zonjës Vlora Spanca, dhe u.d. drejtorit të shkollës sonë, z. Durim Myrtezani.
Falë kësaj mbështetjeje, shkolla jonë ka përfituar:
- 3 laptopë
- 1 monitor
- 6 telefona të tavolinës
- 10 tavolina pune
- 2 karrige menaxheriale
- 5 karrige vizitore
- 2 dollapë druri
- 1 sirtar
- 2 paravanë
Me këtë rast, shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë për Zyrën Kombëtare të Auditimit, për gatishmërinë institucionale dhe mbështetjen konkrete ndaj shkollës sonë.
Një falënderim krejt të veçantë shkolla jonë ia adreson ish-nxënësit të saj, shkrimtarit dhe gazetarit Demir Resh*ti, i cili me përkushtim dhe dashuri për shkollën ku hodhi hapat e parë të dijes, kontribuoi drejtpërdrejt në realizimin e kësaj ndihme.
Ka njerëz që largohen nga bankat e shkollës, por shpirtin e lënë aty përgjithmonë. Ka ish-nxënës që suksesin e tyre nuk e mbajnë vetëm për vete, por e kthejnë në dritë për vendlindjen dhe për brezat që vijnë pas tyre. Z. Demir Resh*ti është një shembull i tillë frymëzimi. Ky nuk është kontributi i tij i parë për shkollën tonë; ndër vite ai ka qenë pranë nesh me libra, pajisje dhe mbështetje të vazhdueshme, duke dëshmuar se mirënjohja ndaj shkollës ku je rritur mbetet një vlerë që nuk shuhet me kohën.
Falënderim i veçantë shkon edhe për z. Ylber Vehebiu për ndihmën në transportin e inventarit, si dhe për Kuvendin Komunal të Dragash*t për sigurimin e karburantit.
Mirënjohja është kujtesa e zemrës - dhe shkolla e jonë do ta kujtojë gjatë këtë mbështetje.