20/06/2026
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë,
Sot gjendemi para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Inspektoratit Shtetëror të Arsimit për të ngritur zërin për një rast që ka shqetësuar opinionin publik dhe që ka prekur drejtpërdrejt të drejtën e një fëmije për arsimim dhe zhvillim të potencialit të tij.
Bëhet fjalë për një nxënës shqiptar të klasës së nëntë nga komuna e Llozovës, për rastin e të cilit prindi ka reaguar publikisht, duke ngritur dyshime serioze se nuk janë ndjekur të gjitha procedurat dhe mekanizmat e parapara për ta mbështetur nxënësin përpara se të merrej vendimi për përsëritjen e vitit shkollor.
Ky nxënës shqiptar, për shkak të mungesës së një paraleleje në gjuhën shqipe në vendbanimin e tij, është detyruar ta ndjekë mësimin në gjuhën maqedonase. Pavarësisht sfidave me të cilat është përballur, ai ka kultivuar talentin dhe pasionin e tij për muzikën, me synimin për të vazhduar arsimin në shkollën e muzikës.
Megjithatë, sot, në vend që të përgatitet për regjistrimin në arsimin e mesëm dhe për realizimin e ëndrrës së tij, ai përballet me vendimin për të përsëritur vitin shkollor. Kjo situatë ngre disa pikëpyetje serioze: A janë shteruar të gjitha mundësitë që sistemi arsimor i parasheh për raste të tilla? A janë mbajtur orët plotësuese? A është këshilluar prindi me kohë? A janë ndërmarrë të gjitha masat pedagogjike për përmirësimin e suksesit të nxënësit? A janë shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore dhe procedurale përpara se të merrej një vendim kaq i rëndë për të ardhmen e tij?
Gjithashtu, para dy ditësh, prindi deklaroi publikisht se ndaj fëmijës së tij dyshon se është ushtruar diskriminim mbi baza kombëtare dhe politike. Ne nuk jemi këtu për të konfirmuar apo paragjykuar këto pretendime, por konsiderojmë se ato janë mjaft serioze për të kërkuar një shqyrtim të plotë dhe të paanshëm nga institucionet relevante. Prandaj, kërkojmë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit që ta trajtojë këtë rast me urgjencë, prioritet dhe profesionalizëm, të verifikojë nëse janë respektuar të gjitha procedurat e parapara, të shqyrtojë edhe pretendimet e ngritura nga prindi dhe ta informojë publikun për gjetjet e tij. Si Sekretariat për Arsim dhe Shkencë i Degës BDI Çair, konsiderojmë se asnjë nxënës nuk duhet të humbasë mundësinë për të vazhduar arsimin dhe për të ndjekur talentin e tij nëse paraprakisht nuk janë shteruar të gjitha mekanizmat që sistemi ofron për ta ndihmuar.
Unë personalisht vij nga ai rajon dhe i njoh nga afër sfidat me të cilat përballen nxënësit shqiptarë atje. Pikërisht për këtë arsye e inkurajoj prindin që të vazhdojë të kërkojë drejtësi përmes rrugëve institucionale, ndërsa nga institucionet presim një shqyrtim të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me ligjin. Sepse arsimi nuk ka për detyrë vetëm të vlerësojë suksesin e nxënësve, por edhe t'u japë atyre mundësi, mbështetje dhe shpresë për të ardhmen.
Prandaj, sot kërkojmë vetëm një gjë: drejtësi, transparencë dhe respektim të interesit më të mirë të fëmijës.