10/09/2024
Dita Ndërkombëtare e Shkrimit dhe Leximit: Fuqia e fjalës në ndërtimin e një bote më të mirë
Që nga viti 1966, në sesionin e 14-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-së, 8 shtatori u shpall si Dita Ndërkombëtare e Shkrimit dhe Leximit, ngjarje kjo që synon të theksojë rëndësinë e aftësive bazike të leximit dhe shkrimit në zhvillimin individual dhe shoqëror.
Kjo ditë nuk është vetëm një përkujtim simbolik, por edhe një thirrje për veprim për të gjithë ne, për të njohur rëndësinë e arsimit dhe fuqinë e fjalës si një mjet transformimi.
Pa dyshim, shkrimi dhe leximi janë themelet mbi të cilat ndërtohet dija dhe kultura njerëzore. Jo rastësisht edhe shpallja e Kuranit Madhështor nisë me “IKRE”, “Lexo”! Sepse vetëm leximi dhe shkrimi i afron njerëzimit dritaren drejt botës, duke i lejuar qenies njerëzore të zgjerojë horizontet e veta dhe të zhvillojë mendimin kritik.
Leximi na lidhë me botën e ideve, me historinë dhe artin, ndërsa shkrimi na lejon të artikulojmë mendimet dhe emocionet tona, duke na mundësuar një dialog të vazhdueshëm me të tjerët.
Për shumë njerëz, këto aftësi janë të mirëqena, por për miliona të tjerë në mbarë botën, ato mbeten të paarritshme. Sipas të dhënave të UNESCO-s, mbi 770 milionë të rritur në të gjithë botën ende nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, shumica prej të cilëve janë gra dhe vajza. Kjo mangësi e thellë është një pengesë e madhe për zhvillimin personal dhe përpjekjet për përmirësimin e kushteve socio-ekonomike në shumë vende. Në këtë kuadër, Dita Ndërkombëtare e Shkrimit dhe Leximit na kujton se aksesi në arsim është një e drejtë themelore dhe një domosdoshmëri për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë.
Pra, përmes leximit, njeriu fiton një kuptim më të thellë të vetes dhe të botës që e rrethon. Shkrimi, nga ana tjetër, na mundëson të krijojmë dhe të komunikojmë me të tjerët. Këto aftësi krijojnë një ndjenjë të përkatësisë dhe na ndihmojnë të lidhemi më mirë me njëri-tjetrin, pavarësisht distancave kulturore apo gjeografike. Shkrimi është gjurmë lashtësie, është shenjë e civilizimit. Shkrimi nuk vjen rastësisht, porse bazohet në përvojat e një civilizimi më të herhëm. Prandaj, tek populli shqiptar, shkrimi në “Mesharin” e Buzukut, flet për një praktikë shkrimi e bërë traditë nga një civilizim më i hershëm i popullit shqiptar, i cili, mjerisht, akoma nuk është sudiuar sa duhet!
Aftësia për të lexuar me mendje kritike dhe për të shkruar me qartësi është thelbësore në një botë ku informacionet e pasakta dhe lajmet e rreme mund të kenë pasoja të rënda. Në këtë kuadër, nevojitet një angazhim më i madh për të edukuar gjeneratat e reja që të jenë lexues aktivë dhe të menduarit e pavarur, si dhe të zhvillojnë aftësitë e shkrimit si një mjet për të shprehur idetë e tyre dhe për të ndikuar në ndryshimin e botës.
Përtej aspektit individual, leximi dhe shkrimi kanë edhe një rol shoqëror shumë të rëndësishëm. Ata janë çelësi për ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe demokratike, ku individët janë të informuar dhe të angazhuar në proceset vendimmarrëse.
Pa dyshim, kjo ditë na kujton se fjalët kanë fuqi. Leximi dhe shkrimi nuk janë vetëm veprime praktike; ato janë shtylla e çdo shoqërie të ndritur dhe e çdo individi të lirë. Le të angazhohemi për t'i promovuar dhe mbështetur ato, për të siguruar që asnjë zë të mos mbetet i heshtur dhe asnjë mendim të mos mbetet i pashkruar. /Biblioteka “Isa Beu”/