15/09/2026
UNT DHE KOMUNA E LIKOVËS NËNSHKRUAJNË MEMORANDUM BASHKËPUNIMI PËR ZHVILLIM LOKAL, HULUMTIME SHKENCORE DHE PRAKTIKA STUDENTORE
Likovë/Shkup, 15.09.2026 - Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka kurorëzuar sot një tjetër partneritet të rëndësishëm institucional, duke nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Likovës. Marrëveshja u nënshkrua në një takim zyrtar nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe kryetari i Komunës së Likovës, z. Erkan Arifi.
Ky Memorandum ka për qëllim vendosjen e një kuadri formal të bashkëpunimit institucional ndërmjet Komunës së Likovës dhe UNT-së, duke synuar ndërlidhjen e pushtetit lokal me komunitetin akademik, nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik, përmirësimin e cilësisë së jetës në komunë, si dhe aftësimin praktik dhe profesional të studentëve.
Në këtë takim të rëndësishëm, rektori Fetaji u shoqërua nga një delegacion i lartë i UNT-së, i përbërë nga prorektorët Prof. Dr. Fati Iseni dhe Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, sekretari i Përgjithshëm Dr. Rahim Jashari, si dhe Mr. Driton Zendeli dhe Mr. Bejamin Rexhepi.
Fusha kryesore e bashkëpunimit të përcaktuar në marrëveshje përfshin zhvillimin e teknologjisë, softuerëve dhe sigurisë kibernetike, bujqësinë dhe mbështetjen e prodhuesve lokalë, menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit e energjisë, politikat publike e arsimin, si dhe angazhimin e fakulteteve ndërmjet ekspertizave në shkencat juridike, ekonomike dhe humane.
Gjithashtu, marrëveshja parashikon hartimin e aplikimeve të përbashkëta për projekte evropiane (IPA, Horizon Europe, Cross-Border dhe të tjera), ofrimin e ekspertizës shkencore nga stafi akademik, si dhe sigurimin e kushteve për punë praktike dhe angazhimin e studentëve të UNT-së në sektorët e Komunës së Likovës.
Ky bashkëpunim katërvjeçar shënon një hap të rëndësishëm në hapjen e UNT-së ndaj institucioneve lokale dhe krijimin e mundësive konkrete për zhvillimin e rajonit dhe të studentëve tanë.