10/04/2026
RAPORT INFORMUES VJETOR 2025/2026
Ky raport është i stilit informues dhe paraqet mënyrën e shpërndarjes së mjeteve të mbledhura nga donatorë fizikë, nga vende të ndryshme, të cilat janë kryesisht mjete të zekatit dhe sadakasë.
Këto mjete janë administruar dhe shpërndarë me përgjegjësi të lartë, për kategori të ndryshme përfituesish, duke synuar lehtësimin e vështirësive jetike, sociale dhe shëndetësore të familjeve në nevojë.
1. Pagesa mujore për 11 familje sociale
Nga fondi i shoqatës është siguruar mbështetje mujore e vazhdueshme për familje dhe individë që jetojnë në kushte të rënda ekonomike, pa të ardhura të qëndrueshme dhe pa përkrahje tjetër financiare.
Kjo ndihmë ka shërbyer për sigurimin e nevojave bazike jetike si ushqimi, energjia elektrike, uji dhe shpenzime të tjera elementare të jetesës.
________________________________________
2. Ndihma për shkollim ofruar mbi 50 nxënësve
Janë mbështetur nxënës dhe studentë nga familje me kushte të vështira ekonomike, për t’u mundësuar vazhdimin e shkollimit pa pengesa financiare.
Kjo ndihmë ka përfshirë mjete për libra, materiale shkollore, çanta dhe nevoja të tjera të domosdoshme arsimore.
________________________________________
3. Pako ushqimore për 298 familje në nevojë
Janë përgatitur dhe shpërndarë 298 pako ushqimore për familje që përballen me mungesë të theksuar të ushqimit.
Këto pako kanë përmbajtur produkte bazike ushqimore për të siguruar furnizim minimal për disa ditë ose javë, sidomos në periudha më të vështira të vitit.
________________________________________
4. Ndihma direkte për më shumë se 10 familje
Janë ndarë mjete financiare direkte për familje që jetojnë në kushte shumë të rënda banimi dhe jetese.
Këto mjete janë përdorur për rregullim banjosh, renovime të domosdoshme, sigurim të inventarit bazik shtëpiak, ndërtim ose përmirësim të banesës dhe sigurim të druve për ngrohje gjatë dimrit.
________________________________________
5. Ndihmë për 71 raste urgjente shëndetësore
Nga fondi i shoqatës janë mbështetur raste tejet të rënda shëndetësore, ku ndërhyrja financiare ka qenë vendimtare.
Këto mjete janë përdorur për:
• Ndërhyrje kirurgjikale jashtë vendit, përfshirë operime në Turqi
• Sigurimin urgjent të barnave për persona me gjendje të rënduar shëndetësore
• Trajtime mjekësore të domosdoshme për familje pa mundësi financiare
Në shumë prej këtyre rasteve, ndihma e shoqatës ka qenë shpresë e rëndësishme për trajtim dhe shpëtim jete.
________________________________________
6. Iftare të përbashkëta
Janë organizuar dy iftare (për burrat dhe për gratë) të përbashkëta për banorët e fshatit Nerasht, në bashkëpunim me Këshillin e Xhamisë dhe Bashkësinë lokale të fshatit Nerasht, duke krijuar frymë solidariteti, afërsie dhe përkrahjeje mes komunitetit.
________________________________________
7. Therja dhe shpërndarja e kurbaneve në mbi 200 familje nevojtare
Është realizuar therja dhe shpërndarja e kurbaneve për familje me gjendje të rënduar ekonomike.
Kjo ndihmë ka pasur ndikim shumë të madh, duke siguruar ushqim për shumë familje që rrallë kanë mundësi të konsumojnë mish gjatë vitit.
E rëndësishme:
Mjetet e shpërndara nga Shoqata Pishtari, për aktivitete humanitare janë kryesisht mjete të cilat janë donuar nga persona fizik prej vendeve të ndryshme (zekat dhe sadaka).