05/08/2026
GJENERATA E VI E MEDRESESË “ISA BEU” RIKTHEHET PAS MË SHUMË SE TRI DEKADASH NË VATRËN E DIJES DHE EDUKIMIT
Në një atmosferë të ngrohtë, plot emocione, mall dhe kujtime të bukura, Medreseja “Isa Beu” mirëpriti ish-nxënësit e Gjeneratës së VI, të cilët vijuan mësimet gjatë viteve shkollore 1989–1990 / 1992–1993, duke u rikthyer pas më shumë se tri dekadash në institucionin ku hodhën themelet e formimit të tyre fetar, arsimor dhe njerëzor.
Në këtë takim morën pjesë edhe ish-kujdestarët e tyre të klasës, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, dhe prof. Mahir Hasani, të cilët për vite me radhë kanë qenë pjesë e rëndësishme e edukimit dhe formimit të kësaj gjenerate.
Ish-nxënësit u pritën nga drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islami, i shoqëruar nga punëdrejtuesi, prof. Mervan Muhamedi, dhe sekretari i Medresesë, prof. Avni Neziri. Drejtori dhe bashkëpunëtorët e tij u uruan mirëseardhje ish-nxënësve, duke shprehur kënaqësinë e veçantë për vizitën dhe rikthimin e tyre në Medrese.
Në fjalën e tij, drejtori Dr. Islam Islami i informoi të pranishmit për ecurinë dhe zhvillimin e Medresesë “Isa Beu”, projektet e realizuara, sukseset e arritura, aktivitetet e shumta të institucionit, si dhe planet dhe synimet për të ardhmen.
Drejtori, njëkohësisht, falënderoi ish-nxënësit e Gjeneratës së VI për vizitën e tyre dhe për kujdesin e treguar ndaj institucionit ku ata u formuan, duke theksuar se rikthimi i gjeneratave në Medrese është dëshmi e lidhjes së fortë shpirtërore dhe emocionale që ata vazhdojnë të kenë me këtë vatër të dijes dhe edukimit.
Në mënyrë të veçantë, drejtori shprehu mirënjohje për Reisul Uleman H. Hfz. Shaqir ef. Fetahun dhe prof. Mahir Hasanin, për kontributin e tyre në edukimin dhe formimin e kësaj gjenerate, si dhe për angazhimin e tyre shumëvjeçar në Medresenë “Isa Beu”.
Në kuadër të takimit u zhvillua edhe një orë simbolike me ish-kujdestarët e klasës, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu dhe prof. Mahir Hasani, gjatë së cilës u rikujtuan vitet e kaluara në bankat e Medresesë, mësimet, përjetimet, sfidat dhe kujtimet e bukura që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tyre.
Pas më shumë se tri dekadash, ish-nxënësit ndanë me njëri-tjetrin rrugëtimin e tyre jetësor dhe profesional, duke prezantuar angazhimet dhe profesionet që ushtrojnë sot në fusha të ndryshme të shoqërisë. Ata theksuan se dituria, edukata, vlerat morale dhe fryma e vëllazërisë të fituara në Medresenë “Isa Beu” kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes të rëndësishëm në jetën dhe veprimtarinë e tyre.
Takimi përfundoi me urime të përzemërta për shëndet, mirësi dhe suksese, si dhe me dëshirën që këto takime dhe ribashkime të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ky rikthim i Gjeneratës së VI dëshmoi edhe një herë se lidhja shpirtërore, vëllazërore dhe kujtimet e krijuara në Medresenë “Isa Beu” mbeten të forta dhe të pandërprera, pavarësisht kalimit të dekadave.