11/04/2022
150 vjet më parë, më 11 prill 1872, lindi në Drenovë, poeti, atdhetari dhe personaliteti i njohur i Rilindjes Kombëtare shqiptare, Aleksandër Stavre Drenova, i njohur me emrin letrar, ASDRENI. Shkollën fillore e ndoqi në vendlindje dhe në moshë të re emigroi në Bukuresht. Në fillim, atje punoi si qymyrxhi e çirak, më pas ndoqi studimet në mënyrë private dhe kreu studimet pranë Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Bukureshtit. Ai ishte një ndër themeluesit e “Qarkut të studentëvet shqiptarë”, që më 1902 u shndërrua në shoqërinë me emrin “Shpresa”. Më 1905 kontribuoi si mësues në një shkollë shqipe në Konstancë, kurse një vit më vonë u bë kryetar i degës së re të shoqërisë “Dija” në kryeqytetin rumun, shoqëri e cila qe themeluar së pari në Vjenë. Vitet më pas vazhdoi të marrë pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në Rumani, pasi u hap konsullata shqiptare më 1922, u emërua sekretar i konsullatës.
Asdreni kishte nisur të shkruante poezi dhe të botonte artikuj që në fillim të shekullit XX. Një nga poemat e tij më të njohura është Himni Kombëtar Shqiptar - Himni i Flamurit.
Më 1904 botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me nëntëdhjetenëntë vjersha të titulluar “Rézé djélli”, të cilën ia kushtoi Skënderbeut. Vëllimi i dytë i Asdrenit ishte vepra “Endra e lotë” Bukuresht, më 1912. Kjo përmbledhje, po me nëntëdhjetë e nëntë vjersha si e para, ndahet në tre cikle: atdheu, natyra, mendimi dhe bukuria, dhe i kushtohet udhëtares dhe mikes së Shqipërisë Edith Durham. Rritja e mjeshtërisë në formë, stil e teknikë dhe zgjerimi i gamës ideore e tematike bie në sy edhe më shumë në vëllimin e tretë poetik të Asdrenit “Psallme murgu”, botuar po në kryeqytetin rumun më 1930. Vite më vonë, përgatiti vëllimin e katërt “Kambana e Krujës”, të cilin nuk arriti ta shohë të botuar. Në këtë vepër pathosi patriotik u rikthye si në veprën e parë, duke mpakur elementin universal të veprës pararendëse. Vdiq më 11 dhjetor të vitit 1947.