05/08/2026
🇦🇱Krenari, Përkushtim dhe Dashuri për Gjuhën Shqipe! 🇽🇰
Përmbyllëm me sukses pjesëmarrjen tonë në Seminarin e XIX Mbarëkombëtar të mësuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë e mërgatë, mbajtur në Brezovicë (28–31 Korrik 2026). Nën temën centralizuese "Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar", mbi 200 arsimtarë nga e gjithë bota u bënë bashkë për të shkëmbyer përvoja dhe metoda inovative mësimdhënieje.
Këtë vit, vëmendja u zhvendos nga mësimdhënia klasike drejt mjeteve praktike që nxisin motivimin e fëmijëve jashtë vendit. Ndërthurja e gjuhës me artin dhe etnografinë, integrimi i platformave digjitale dhe multimediale, përdorimi i mjeteve teknologjike dhe materialeve tërheqëse ndërvepruese për të lehtësuar mësimin e gjuhës te fëmijët që rriten në mjedise dygjuhëshe, si dhe mbështetja institucionale me paketa mësimore falas ishin disa nga tematikat kryesore të këtij seminari.
Fokus te Strategjitë e Motivimit: Kalimi nga "detyrim për të mësuar gjuhën" te krijimi i një mjedisi të ngrohtë e tërheqës ku fëmijët ndihen krenarë për rrënjët e tyre.
Ekipi i Kursi shqip "Udha drejt shkronjave"
Korinth u përfaqësua denjësisht nga dy mësueset tona të përkushtuara, Albana Shandro dhe Mirela Vasili të cilat u vlerësuan me Certifikata Vlerësimi për punën e tyre të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj.
Përgjatë seminarit, mësuesja Mirela Vasili solli një nga prezantimet më frymëzuese, duke e vendosur identitetin kombëtar në qendër të motivimit për nxënësit larg atdheut. Ajo zbërtheu në mënyrë mjeshtërore temën:
👉 "Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore e Kombëtare Përmes Artit – Kostumi Lunxhiot, Trashëgimi Kombëtare"
Përmes artit, ngjyrave dhe magjisë së kostumit tradicional të Lunxhërisë, mësuesja e kursit tonë tregoi se si historia, etnografia dhe simbolet tona mund të shndërrohen në mjete fantastike edukative që zgjojnë te fëmijët kureshtjen, krenarinë dhe dëshirën për të folur gjuhën e nënës.
Ky prezantim jo vetëm që solli ide praktike e vlera të çmuara për të gjithë mësuesit pjesëmarrës, por konfirmoi edhe një herë nivelin e lartë dhe përkushtimin e palodhur të ekipit të kursit "Udha drejt shkronjave".
🙏Faleminderit të gjithë organizatorëve dhe mësuesve që vazhdojnë të mbjellin me dashuri farën e shqiptarisë kudo në botë!
Nga Albana Shandro, mësuese dhe zëdhënëse e shtypit, Shoqata Korinth