19/02/2026
🕌 *Muaji i begatë i Ramazanit*
*Dispozita, rregulla, norma dhe etika të agjërimit në dritën e Kur’anit dhe Sunetit*
🌙 *Hyrje*
Muaji i Ramazanit është një nga muajt më të bekuar në Islam dhe agjërimi i tij është një nga pesë shtyllat themelore të fesë islame. Ai është muaj adhurimi, edukimi shpirtëror, durimi, solidariteti dhe afrimit me Allahun.
Allahu i Madhëruar thotë:
“O besimtarë! Agjërimi u është bërë obligim, ashtu siç ishte obligim edhe për ata para jush, që të bëheni të devotshëm.”
(Kur’ani, El-Bekare: 183)
Ky ajet tregon qartë se qëllimi i agjërimit nuk është vetëm përmbajtja nga ushqimi dhe pija, por edukimi i zemrës dhe forcimi i devotshmërisë.
📜 *Dispozita dhe obligimi i agjërimit.*
Agjërimi i Ramazanit është obligim për çdo;
* musliman (muslimane)
* të rritur
* me mendje të shëndoshë
* që ka mundësi fizike
Allahu thotë:
“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u shpall Kur’ani, udhëzim për njerëzit… Kush prej jush e arrin këtë muaj, le ta agjërojë.”
(El-Bekare: 185)
Refuzimi i agjërimit pa arsye fetare është mëkat i madh.
⌛️ *Kushtet e vlefshmërisë së agjërimit*
1. Nijeti (qëllimi)
Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:
“Kush nuk e vendos nijetin e agjërimit para agimit, nuk ka agjërim të vlefshëm.”
(Ebu Davudi, Tirmidhiu)
👉 Nijeti bëhet në zemër, nuk është kusht të shqiptohet me gojë.
2. Përmbajtja nga prishësit e agjërimit prej agimit deri në perëndim të diellit.
Allahu a.xh thotë:
“Hani dhe pini derisa të dallohet drita e agimit nga errësira, pastaj plotësoni agjërimin deri në perëndim.”
(El-Bekare: 187)
❌ *Çfarë e prish agjërimin*
▪ Ngrënia dhe pirja me qëllim
▪ Marrëdhëniet intime gjatë ditës së Ramazanit
Një burrë erdhi te Profeti ﷺ dhe tha:
“Jam shkatërruar!”
Profeti ﷺ e pyeti: “Çfarë të shkatërroi?”
Ai tha: “Kam pasur marrëdhënie me gruan time gjatë ditës së Ramazanit.”
Atëherë Profeti ﷺ e urdhëroi:
• të lirojë një rob
• ose të agjërojë dy muaj rresht
• ose të ushqejë 60 të varfër
(Buhariu dhe Muslimi)
▪ Të vjellat me qëllim
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kujt i vjen e vjella pa dëshirë, nuk ka nevojë ta kompensojë agjërimin, por kush e shkakton me qëllim, duhet ta kompensojë atë ditë.”
(Tirmidhiu)
▪︎ Marrja e injeksioneve ushqyese.
📌 *Lejimi i mos agjërimit të përkohshëm me arsye fetare*
* i sëmuri
* udhëtari
Allahu thotë:
“Kush është i sëmurë ose në udhëtim, le t’i kompensojë ditët e humbura më vonë.”
(El-Bekare: 184)
Po ashtu:
* gruaja me menstruacione
* gruaja lehonë
* gruaja shtatzënë ose gjidhënëse nëse ka frikë për veten ose fëmijën
— nuk agjërojnë dhe i kompensojnë më vonë.
🌟 *Etika dhe vlera e agjërimit*
🥣 Syfyri
Profeti ﷺ ka thënë:
“Hani syfyr, sepse në syfyr ka begati.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Edhe një gotë ujë është e mjaftueshme për bereqet.
🌅 Shpejtimi i iftarit
Profeti ﷺ ka thënë:
“Njerëzit do të jenë në mirësi përderisa e shpejtojnë iftarin.”
(Buhariu dhe Muslimi)
🤲 Lutja në iftar
Profeti ﷺ lutej:
“U shua etja, u lagën damarët dhe u garantua shpërblimi, në dashtë Allahu.”
🗣️ Ruajtja e moralit
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe veprat e këqija, Allahu nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga ushqimi dhe pija.”
(Buhariu)
👉 Agjërimi është edukim shpirtëror, jo thjesht uri.
📖 *Vepra dhe adhurime të rekomanduara në Ramazan*
* Leximi i Kur’anit
* Sadakaja dhe ndihma për të varfrit
* Namazi i teravive
* Itikafi në dhjetë ditët e fundit
* Gjallërimi i natës së Kadrit
* Salavatet mbi Profetin a.s
* Përmirësimi i sjelljes
* Dhënia e zekatit për ata që obligohen
■ *Gabime të shpeshta*
¤ Ngrënia tepër e ushqimit
¤ Shpërdorimi i ushqimit
¤ Humbja e kohës me gjumë e argëtime
¤ Neglizhimi i namazit dhe Kur'anit
¤ Grindjet dhe fjalët e këqija
¤ Përgojimi dhe thashethemet
🌙 *Përfundim*
Ramazani është mundësi për falje, pastrim shpirtëror dhe afrim me Allahun. Ai nuk është vetëm ndalesë nga ushqimi, por shkollë e durimit, moralit dhe devotshmërisë.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim, i falen mëkatet e mëparshme.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Përgatiti: M. El-Ensari