Koleksionisti

Koleksionisti Kjo faqe i dedikohet pasurisë dhe trashëgimisë kulturore në fushën e koleksionimit të artefakteve: numizmatikë, filateli, faleristikë, libri bukinist etj.

Numri i fundit i revistës "Koleksionisti". Në brendi do të gjeni artikuj interesantë nga Julian demeti, Jovan Basho, Baj...
06/12/2022

Numri i fundit i revistës "Koleksionisti". Në brendi do të gjeni artikuj interesantë nga Julian demeti, Jovan Basho, Bajram Peçi, Leonard Gjançi, besnik Fishta, etj. Lexim të këndshëm!

Përshëndetje miq,

Numri i rradhës “Koleksionisti 39” është tashmë edhe online dhe mund ta lexoni në çdo kohë.

https://www.shksh.al/revistat/247-koleksionisti-nr-39-viti-2022


14/06/2022

Në foton bashkangjitur, që përkon afërsisht me 25 vjet përpara (prill 1991) janë fiksuar nga fotografi Dragush Bako, Komisioni Nismëtar i krijimit të Shoqatës së Filatelistëve të Shqipërisë, me përfaqesues nga rrethet filatelike të vendit, të ringritura nga viti 1986. Foto është bërë në përfundim të takimit, ku u vendos themelimi i saj dhe u ngarkuan Shefik Osmani, Robert Ballauri dhe Bajram Peçi, të përgatisin dokumentet themeluese për regjistrimin në Ministri të Drejtësisë dhe statutin (Sh.Osmani-B.Peçi) si dhe Kartën e anëtarsisë, dizajnin e vulës dhe listat emërore të anëtarsisë (R.Ballauri). Protokolli u mbajt nga Sokrat Bozo.

Nga e majta-lart: Robert Ballauri-Tiranë, ing.; Jaho Brahaj-Pukë, mesues; Kolë Gjinaj-Shkodër, mesues; kryetari i rrethit fil. Fier; Shefik osmani-Tiranë, prof.; Bajram Peçi-Tiranë, jurist; Gjush Daragjati-Shkodër, mesues; Argjir Panariti-Elbasan, ing.; Jovan Basho-Pogradec, mjek.

Nga e majta poshtë: Llambi Koçi- Korçë, mesues; Sokrat Bozo, ing.; Luigj Shabani, Shkodër, mesues; Romeo Durolli-kryetari i rrethit fil. Vlorë, mesues; Nikolla Xharo-Tiranë, ing.

HUAJA E PARË E BRENDSHME SHTETËRORE SI ELEMENT SHTETFORMIMI Sokol Kika Viti 1920 mund të konsiderohet nga më të rëndësis...
06/04/2022

HUAJA E PARË E BRENDSHME SHTETËRORE SI ELEMENT SHTETFORMIMI

Sokol Kika
Viti 1920 mund të konsiderohet nga më të rëndësishmit në historinë e Shqipërisë dhe për ngritjen e shtetit shqiptar. Qeveria e sapodalë nga Kongresi i Lushnjës vendoset në fillim të shkurtit në Tiranë, duke u sistemuar në ndërtesa private të patriotëve tiranas dhe me shumë pak mundësi financiare për të ushtruar aktivitetin, qoftë edhe formal të saj. Kishte një pamundësi absolute për të marrë kredi në banka, që nuk ekzistonin në Shqipëri, por edhe se ishte një qeveri që nuk njihej jo vetëm ndërkombëtarisht, por që nuk e kishte shtrirë ende autoritetin e saj në shumë territore të vendit. Më datë 8 mars 1920, me anën e një qarkore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me nr.306, qeveria i drejtohej popullit shqiptar për marrjen e një huaje te brendshme, deri në shumën prej 2 000 000 Fr., me interes prej 5%. Shuma minimale do të ishte 50 Fr. dhe më tej shumëfishat e saj deri në 100 000 Fr.
Në lidhje me interesin, mund të them se ishte normal për kohën. Deri në vitin 1912 degët e bankës osmane, me qendër në çdo vilajet, ofronin interes 6%. Qeveria e Vlorës dhe më pas ajo e Wied-it kërkuan pa sukses nga bankat italiane dhe austriake kredi me 4% dhe më pas, në vitet 1923-25, qeveritë shqiptare do të kërkonin kredi me limitin maksimal të interesit prej 7,5%.
Në shkresat drejtuar Prefekturave, nga Ministri i Punëve të Brendshme, A. Zogu, dhe Zv/ Ministri, E. Frashëri, theksohej qartë, që kjo hua e brendshme me interes, duhet t’i drejtohej jo vetem të pasurve, por të gjithë popullsisë të interesuar, duke përfshirë edhe zejtarët, fshatarët dhe nënpunësit. Ajo në asnjë mënyrë nuk do t’i kërkohej popullit me shtrëngim, por me vullnet të lirë dhe duhet të sqarohet mirë qëllimi kombëtar dhe shtetformues. Kështu, në këto shkresa të Ministrisë Punëve të Brendshme shkruhej:
“Çdo shqiptar duhet të punojë, duke kujtuar se barra e shpëtimit kombëtar është në kurrizin e vet”
“Me këtë miell do të gatuhet nderi i kombit”
Në vazhdim të këtij proçesi, bazuar në ligjin Nr.41, datë 05 maj 1920 të Qeverisë së Sulejman Delvinës, emetohet huaja e brendshme prej 40 000 njësi, secila me vlerë 50 Fr., të cilat do të paguheshin nga financat e shtetit shqiptar në vitet 1921, 1922 dhe 1923.
Ishin kohë të tjera; viti 1920 ishte për shtetin shqiptar një vit pa një buxhet të planifikur dhe të realizuar, por vendimtar për krijimin dhe shtrirjen e autoritetit të tij në të gjithë territorin e vendit.

Arkat shqiptareFadil Abazi Arkat shqiptare ose sëndukt, siç i thonë në disa zona të Shqipërisë, janë një element etnogra...
23/03/2022

Arkat shqiptare

Fadil Abazi
Arkat shqiptare ose sëndukt, siç i thonë në disa zona të Shqipërisë, janë një element etnografik i bukur i kulturës tonë kombëtare. Ishte viti 1993 kur u ndesha për herë të parë në qytetin e Elbasanit me një arkë të bukur veneciane. Përpara kisha një arkë të gdhëndur në vitet 1800, të cilën, pasi e bleva nga një familje e fisme e këtij qyteti, e sh*ta tek një shoku im, i cili kishte punuar pranë një tregëtari mobiljesh antike në Itali. Kjo më shtyu që të kërkoj dhe të blej arka të cilat i gjeje në çdo shtëpi, pasi, duke qenë se sidomos fshatarët ishin të varfër, arka në dhomën e gjumit ishte një element i domosdoshëm që u shërbente nuseve për të mbajtur rrobat e veshjes personale.
E veçanta e kësaj gjëje ishte se arka përbënte një element të bukur, që jo vetëm zbukuronte dhomën e gjumit, por ishte dhe funksionale e ruante vlerën e kujtimit nga nëna ose gjyshja. Kur martohej nusja merrte me vete nga familja e saj një ose dy arka të ngarkuara në kalë ose pajton. Arka, sixhadet dhe qylymi ishin objektet më të dukshëm në sytë e dasmorëve. Nisur nga kjo, porositej një arkë sa më e bukur. Gjëja më tërheqëse e arkave shqiptare është se çdo trevë ka modelin e vet, që janë tërësisht të veçantë nga njera-tjetra.
Arkat bëheshin nga mjeshtra që i pikturonin me bojra, të cilat përgatiteshin në kushte artizanale nga lule te ndryshme. Këto ishin bojra ikonografike me ngjyra shumë të bukura. I nxitur nga kureshtja, fillova të blej arka nga gjithë trevat e Shqipërisë. Në zonën e Myzeqesë dhe Beratit ndesha në dy lloj arkash, me pikturë dhe me gdhëndje, të shoqëruara me pikturë. Arkat me gdhëndje janë arka të para viteve 1900 dhe përgjithësisht ishin imitime të arkave veneciane. E veçanta e këtyre arkave është se muslimanët kishin modelin e vet dhe të krishterët modelin e vet. Ndërsa arkat vetëm me pikturë ishin të pas vitit 1900. Ato ishin njësoj për të dyja besimet fetare.
Arkat e zonës së Myzeqesë dhe Beratit kanë të pikturur vetëm ballin e parë dhe në qendër të saj është pikturuar një pëllumb. Në të dy anët e pëllumbit janë pikturuar dy gjela. Arka të bukura janë dhe arkat e trevës së Shkodrës. Janë arka të mëdha, të pikturuara nga para-anash si dhe kapaku nga brënda. Zona e Shqipërisë së Mesme pothuajse ishte e njëjtë: arkë e madhe e pikturuar me ngjyra të kuqe, që në qendër te saj kishin të pikturuar Yllin e Davidit. Në Tiranë kam gjetur arkë me gdhëndje, kurse Malësia e Tiranës dhe e Krujës kishte modelin e vet: Arka më të vogla me ngjyra portokalli, të verdhë dhe jeshile. Në qytetin e Elbasanit më së shumti takohen arka të tipit baule (kapaku në formë harku). Këto arka, në ballin e parë dhe në kapakun e sipërm kanë të vendosur shqiponjën dy krerëshe, me gdhëndje të tipit interciat dhe poshtë saj vendosnin datën e martesës.
Në zonën e Sarandës, sidomos pjesa në kufi me Greqinë, gjënden vetëm arka me gdhëndje të para vitit 1900, të cilat ruheshin me fanatizëm nga plakat e asaj zone. Arkat e kësaj treve kishin si element selvinë. Korça kishte dy modele arkash: arka me gdhëndje e shoqëruar me pikturë dhe arkë të tipit Baule, me pikturë shqiponjën dy krerëshe me ngjyrë te zezë në qendër. Në trevën e Mirditës dhe Dibrës kam parë arka vetëm me gdhëndje të thjeshtë. Në zonat ku kishte shqiptarë të Kosovës, që kishin ardhur para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, kam gjetur dhe arkae e traditës kosovare: arkë e vogël, e pikturuar me ngjyra të forta, kryesisht me të kuqe dhe jeshile. Pas Luftës së Dytë Botërore në gjithë Shqipërinë filluan të bënin arka të tipit Baule të vogla dhe të pikturuara me bojra industriale ose të pikturura fare thjeshtë, që nuk përbënin më interes për t’i koleksionuar.

Drakma apolloniate e periudhës kalimtare dhe Apollodenari ose denari apolloniat.Blandor Abazi-studiues numizmat Ne dimë ...
09/03/2022

Drakma apolloniate e periudhës kalimtare dhe Apollodenari ose denari apolloniat.

Blandor Abazi-studiues numizmat
Ne dimë që Apollonia e Ilirisë lulëzoi gjithashtu edhe nën sundimin Romak, nga sa dëshmon edhe oratori i famshëm romak Ciceroni në Filipiket e tij, duke e përcaktuar atë si "Magna Urbs et Gravis" që do të thotë: “Qytet i Madh dhe i Rëndësishëm”. Apollonia ndryshe nga Dyrrahu pati privilegjin e fitimit të “Civitas libera et immunis” , pra të një autonomie komunale në kuadrin e Perandorisë, por vërshimi i denarëve romak në tregjet kryesore të Ilirisë dhe të Ballkanit Verior shkaktoi zhvleftësim të drakmës ilire dhe për të dalë nga kjo krizë, Apollonia filloi jo më parë se pas luftës civile romake të viteve (49-45 p.e.s.) në mos rreth vitit 27 p.e.s deri nga 37 e.j. të presë “Apollodenarin” ose denarin apolloniat .
Denari apolloniat u bazua në sistemin monetar romak duke prerë dhe nënfishat e tij, kuinarin prej argjendi = gjysëm denarin prej argjendi dhe sestercin prej argjendi = çerek denarin. Me gjithë përpjekjet e denarit apolloniat ashtu si dhe drakma më parë nuk mundi ti bënte ballë monopolit të denarit romak, përhapja e apollodenarit nuk arriti dot jo vetëm atë të drakmës ilire që më parë luajti një rol të rëndësishëm edhe në tregun ballkanik , por nuk plotësoi dot as nevojat për tregun e brendshëm, këtë fakt e vërteton më së miri gjetja e kufizuar e tyre në thesaret monetare të gjetura në vendin tonë. Megjithatë nuk kishte si të ndodhte ndryshe pasi me reformën monetare të perandorit August të vitin 23 p.e.s., ari dhe argjendi u bënë privilegj i perandorit dhe as magjistratët monetar nuk mund të vendosnin më emrin e tyre në monedhat romake, pasi kjo e drejtë tani e tutje do ti rezervohej vetëm perandorit. Edhe senatit që nga ky moment do ti ngelej vetëm e drejta e prerjes së monedhave praj bakri, prej bronzi dhe orikalku (orichalcum). Gjatë qeverisjes së perandorit Galieno “Publius Licinius Egnatius Gallienus” (218 e.j. - 268 e.j.) të gjithë metalet u bënë privilegj i perandorit.

Drakma apolloniate e periudhës kalimtare të viteve 44 - 30 p.e.s. përfaqësohet vetëm nga një seri e përbërë nga një tip drakmeje prej argjendi e quajtur ndryshe dhe viktoriat e tipit dhe standardit korkyras me peshë rreth 3.1 gr. dhe dy gjysmë drakma apo gjysmë viktoriat.
• Drakma e periudhës kalimtare paraqet në “faqe”- Lopën në këmbë në profil majtas me kokën kthyer mbrapa duke parë viçin që po pi, mbi lopë legjenda me emrin e magjistratit monetar Aibatios AIBATIOΣ dhe, në “shpinë”- Kornizë me katrorë të dyfishtë më brinjë të harkuara nga brenda dhe brenda saj zjarri natyral i Nimfeut dhe nën të pedium, simboli i Panit qendra e kultit të të cilit ndodhej në Nimfe. Mbi brinjën e sipërme të kornizës, legjenda AΠOΛ shkurtimi i AΠOΛΛΩNIATAN, etniteti i banorëve të Apollonisë në numrin shumës, rasa gjinore (e apolloniatëve) dhe mbi tre të tjerat emri i magjistratit monetar/(prytanit eponim?) Kairenos XAI-PH-NOΣ. Imazhi njërës prej drakmave të këtij emisioni paraqitet në figurën 2.

Figura 1 . Drakma hibride prej argjendi me peshë 2,95 gr. imitim kelt, e cila në faqe paraqitet imitimin e faqes së drakmës së Dyrrahut (Maier 179) dhe në shpinë imitimin e shpinës së drakmës së Apolonisë të periudhës kalimtare (Maier 120).
Monedhë e ekspozuar në ankandin Nr. 318 të shtëpisë së ankandeve “Fritz Rudolf Künker GmbH & Co. KG)” me seli në Osnabrück të Gjermanisë, datë 11.03.2019. Kjo monedhë në katalogun e ankandit ka pasur numrin rendor 25, vlera fillestare e saj ka qenë: 100 EUR dhe është sh*tur për: 160 EUR.


Figura 2 . Drakma prej argjendi e periudhës kalimtare me peshë 3.10 gr. e prerë nën kujdesin e magjistratëve monetarë Aibatios (AIBATIOΣ) dhe Kairenos (XAIPHNOΣ). (Maier 120).
Monedhë e ekspozuar në ankandin nr. 97 të shtëpisë së ankandeve “Classical Numismatic Group, Inc” me seli në Lancaster PA 17608 SH.B.A., datë 17.09.2014. Kjo monedhë në katalogun e ankandit ka pasur numrin rendor 119, vlera fillestare e saj ka qenë: 500 USD dhe është sh*tur për: 800 USD.

• Dy gjysmë drakmat prej argjendi të këtij emisioni peshojnë rreth 1.25-1.3 gr. Në “faqe”paraqesin - Zjarrin natyral të Nimfeut pranë Apollonisë sipër dhe poshtë tij emri i magjistratit monetar/(prytanit eponim?) Enea AI-NEA tek e para dhe Damofon ΔAMO - ΦΩN tek e dyta, të gjitha brenda një rrethi rruazash dhe, në “shpinë” - Pedium, mbi dhe nën të legjenda AΠOΛΛΩ-NIATAN, të gjitha brenda një rrethi rruazash. Imazhi i dy gjysmë drakmave prej argjendi të këtij emisioni paraqiten në figurën 3 dhe 4.

Figura 3 . Gjysmë drakma prej argjendi e periudhës kalimtare me peshë 1.29 gr. e prerë nën kujdesin e magjistratit monetar Enea (AINEA). (Maier 121).
Monedhë e ekspozuar në ankandin Triton XIII të shtëpisë së ankandeve “Classical Numismatic Group, Inc” me seli në Lancaster PA 17608 SH.B.A., datë 04.01.2010. Kjo monedhë në katalogun e ankandit ka pasur numrin rendor 1126, vlera fillestare e saj ka qenë: 300 USD dhe është sh*tur për: 900 USD.

Figura 4 . Gjysmë drakma prej argjendi e periudhës kalimtare me peshë 1.50 gr. e prerë nën kujdesin e magjistratit monetar Damofon (ΔAMOΦΩN). (Maier 122).
Monedhë e ekspozuar në ankandin Alfa Nr. 1, të shtëpisë së ankandeve “Emporium Hamburg” me seli në Hamburg të Gjermanisë, datë 09.12.2018. Kjo monedhë në katalogun e ankandit ka pasur numrin rendor 98, vlera fillestare e saj ka qenë: 30 EUR dhe është sh*tur për: 55 EUR.
Denarët apolloniat duhet të jenë prerë pas mbarimit të luftës civile romake të viteve (49-45 p.e.s.) midis Pompeit të Madh dhe Jul Çezarit, e cila u kurorëzua me fitoren e këtij të fundit. Autonomia e Dyrrahut si qytet i lirë, mori fund kur në kohën e sundimit të perandorit August, kur ajo u kthye në koloni dhe nuk ju lejua më të priste monedha. Edhe përse ofiçina monetare e Apollonisë e cila ndryshe nga ajo e Dyrrahut u lejua të priste monedha, prerjet monetare të saj pas përfundimit të lutës civile, janë mbështetur në sistemin monetar romak dhe drakmat e mëparshme u zëvendësuan me apollodenarin.
Denarët apolloniat duhet të janë prerë në vazhdimësi të paktën nga viti 44/27 p.e.s. - 23 p.e.s./37 ej., përshkrimi i tij dhe fraksioneve apo nënfishave të tij, jepet si më poshtë:

• Denarët e Apollonisë apo apollodenarët (drakma?) prej argjendi peshojnë rreth 4 gr. paraqesin në “faqe” - Kokën e Apollonit me kurorë dafine në profil majtas dhe shumë rrallë djathtas. Para kokës legjenda me emrin e magjistratit monetar/(prytanit eponim?) me ose pa patronim i cili mund të gjendet edhe në trajtë monogrami, të gjitha brenda një rrethi rruazash. “Shpinë” - Tre nimfa të kapura prej dore, në kërcim nga e djathta në të majtë, rreth zjarrit të nimfeut që ndodhet në të majtë ose të djathtë të nimfës së mesit pranë këmbëve të saj. Anash dhe ndërmjet nimfave nga një shkronjë e legjendës A-Π-O-Λ. Dy nimfat anësore paraqiten me pedium apo me pishtar në duar. Poshtë nimfave nën një segment jepet legjenda ku paraqitet emri i magjistratit monetar me ose pa patronim, të gjitha brenda një rrethi rruazash.
Imazhi i njërit prej këtyre denarëve i prerë nën kujdesin e magjistratëve monetarë Andronos (ANΔPΩNOΣ) dhe Timen (TIMHN) i shoqëruar me patronimin Andro (ANΔPO) gjendet në figurën 5.

Figura 5 . Denar argjendi i Apollonisë me peshë 3.90 gr. i prerë nën kujdesin e magjistratëve monetarë Andronos (ANΔPΩNOΣ) dhe Timen (TIMHN) i shoqëruar me patronimin Andro (ANΔPO). (Maier 131).
Monedhë e ekspozuar në ankandin Nr. 427, të shtëpisë së ankandeve “Dr. Busso Peus Nachfolger” me seli në Frankfurt mbi Main të Gjermanisë, datë 04.12.2020. Kjo monedhë në katalogun e ankandit ka pasur numrin rendor 254, vlera fillestare e saj ka qenë: 300 EUR dhe është sh*tur për: 1100 EUR.

• Dy gjysmë denarët apo kuinarët “lat. quinarius”, (Hemidrakma?) prej argjendi me peshë rreth 1.7 gr. të cilat paraqesin në “faqe”- Kokën e Athinasë më përkrenare korintike në profil majtas, para kokës legjenda me emrin e magjistratit monetar/(prytanit eponim?) Andronos (ANΔPΩNOΣ) tek i pari dhe Filonida (ΦIΛΩNIΔA) tek i dyti , të gjitha brenda një rrethi rruazash. “shpinë” - Obelisk, simboli i Apollonit Agyieos, mbi bazë cilindrike dhe në të dy krehët e tij, sipër dhe poshtë legjendës AΠOΛΛΩ - NIATAN, legjenda ku paraqitet emri i magjistratit monetar Timen (TI-MHN) tek i pari dhe Aristolokos (ARIΣTO-ΛOXOΣ) tek i dyti, të gjitha brenda një rrethi rruazash. Imazhi i këtyre dy gjysmë denarëve gjendet në figurën 6 dhe 7.


Figura 6 . Gjysmë denar argjendi i Apollonisë me peshë 1.92 gr. i prerë nën kujdesin e magjistratëve monetarë Andronos (ANΔPΩNOΣ) dhe Timen (TIMHN). (Maier 163).
Monedhë e ekspozuar në ankandin Nr. 296, të shtëpisë së ankandeve “Gerhard Hirsch Nachfolger” me seli në Mynih të Gjermanisë, datë 13.02.2014. Kjo monedhë në katalogun e ankandit ka pasur numrin rendor 1738, vlera fillestare e saj ka qenë: 400 EUR dhe nuk ka marrë asnjë ofertë për tu sh*tur.


Figura 7 . Gjysmë denar argjendi i Apollonisë me peshë 1.90 gr. i prerë nën kujdesin e magjistratëve monetarë Filonida (ΦIΛΩNIΔA) dhe Aristolokos (APIΣTOΛOXOΣ). (Maier 164).
Monedhë e ekspozuar në ankandin elektronik Nr. 4, të shtëpisë së ankandeve “Dr. Busso Peus Nachfolger” me seli në Frankfurt mbi Main të Gjermanisë, datë 14.01.2017. Kjo monedhë në katalogun online të ankandit ka pasur numrin rendor 52, vlera fillestare e saj ka qenë: 75 EUR dhe është sh*tur për: 110 EUR.

• Çerek denari apo sesterci “lat. sestertius”, (trihemiobol?) prej argjendi me peshë rreth 0.9 gr. i cili paraqet në “faqe”- Lirë dhe emri i magjistratit monetar/(prytanit eponim?) Filonida (ΦIΛΩNIΔA) në të majtë të saj (mill?) simbol i perëndeshës Artemis, të gjitha brenda një rrethi rruazash. “Shpinë”- Obelisk dhe në të dy krehët e tij, sipër dhe poshtë legjenda AΠOΛΛΩ-NIATAN, legjenda ku paraqitet emri i magjistratit monetar Aristolokos (APIΣTO-ΛOXOΣ), të gjitha brenda një rrethi rruazash. Imazhi i njërit prej këtyre çerek denarëve paraqitet në figurën 8.

Figura 8 . Çerek denari prej argjendi i Apollonisë me peshë 0.83 gr. i prerë nën kujdesin e magjistratëve monetarë Filonida (ΦIΛΩNIΔA) dhe Aristolokos (ARIΣTO - ΛOXOΣ). (Maier 165).

Monedhë e ekspozuar në ankandin Nr. 296, të shtëpisë së ankandeve “Gerhard Hirsch Nachfolger” me seli në Frankfurt mbi Main të Gjermanisë, datë 13.02.2014. Kjo monedhë në katalogun e ankandit ka pasur numrin rendor 1740, vlera fillestare e saj ka qenë: 600 EUR dhe është sh*tur për: 600 EUR.
Dy thesare monedhash që në përbërjen e tyre krahas monedhave të tjera ndodhen edhe denarë apolloniat janë:

Thesari i Bylisit.
Thesari i Bylisit është gjetur në vitin 1990 në luginën që ndan qytetin antik të Klosit (Nikaia) nga ai i Haklit(Bylisit). Ai përbëhet nga 50 monedha argjendi nga të cilat 38 janë denarë republikanë romak dhe 12 denarë apolloniat. Prezenca e denarëve republikanë romak në këtë thesar, jep një kontribut të jashtëzakonshëm për datimin e denarëve apolloniat. Studimi i detajuar i këtij thesari është bërë nga Arkeologia Shpresa Gjongecaj në artikullin e saj “Të dhëna të reja mbi datimin e denarëve apolloniat” botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike - Instituti i Arkeologjisë - Revista Arkeologjike Iliria, 1999-2000. Tiranë, 2002 fq. 223-239.

Thesari i Dimalit.
Thesari i Dimalit është gjetur në vitin 1973 në Dimal, vendbanimin antik të Kalasë së Krotinës që ndodhet në perëndim të malësisë së Shpiragut në komunën Cukalati, të rrethit të Beratit. Ai përbëhet nga 87 copë monedha të prerë në punishten monetare të Apollonisë nga të cilat 58 janë prej bronzi dhe 29 prej argjendi. Në 29 monedhat e argjendta 27 janë denarë apolloniat, 1 është gjysmë denar dhe e fundit është një gjysmë drakme prej argjendi e periudhës kalimtare të përmendur më lartë në këtë studim. Për herë të parë ky thesar është botuar nga arkeologu Burhan Dautaj.

Bibliografia:
Maier, Alfred: Die Silberprägung von Apollonia und Dyrrhachion. Wien 1908.
Ceka Hasan: Probleme te numizmatikes ilire; me një katalog të monedhave të pabotueme apo të rralla të Ilirisë së Jugut. Tiranë 1965.
Ceka Hasan: Questions de numismatique illyrienne; avec un catalogue des monnaies d'Apollonie et de Durrhachium”. Tiranë 1972.
Ceka Hasan: Në Kërkim të Historisë Ilire, botim i Akademisë së Shkencave e Republikës së Shqipërisë - Instituti i arkeologjisë, Tiranë 1998.
Ceka Hasan: Monedhat e Dyrrahut dhe Apollonisë, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2008.
Vangjeli-Gjongecaj Shpresa: Thesare me Monedha Antike të Gjetura në Shqipëri (Shek. V-l P.Kr. / Tésors de Monnnaies Antiques Trouvéss en Albanie (V-I Siècle Av.J- C.) Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Arkeologjisë. Tiranë 2014.
Gjongecaj Shpresa: Të dhëna të reja mbi datimin e denarëve apolloniat, “Iliria” Nr. 1-2, 1999-2000.
Gjongecaj Shpresa, Picard Oliver: Mendime mbi politikën monetare të Apolonisë në shekujt III-II p. e. sonë / Remarques sur la politique monétaire d'Apollonia au IIIe et au IIe siècle, “Iliria” Nr. 1-2, 1995.
Gjongecaj Shpresa, Picard Oliver: Le trésor de Dimalla 1973 et le passage du monnayage hellénistique au monnayage impérial à Apollonia d'Illyrie, Bulletin de Correspondance Hellénique 1998.
Dautaj Burahm: Të dhëna numizmatike nga Dimali, botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike - Instituti i Arkeologjisë - Revista Arkeologjike Iliria 1984.
Abazi Blandor: Mikrotezë - Historiku i monedhave të prera dhe të qarkulluara në trevat iliro-pajono-epirote (numizmatika, sistemi monetar grek dhe romak, numizmatika ilirio-pajono-epirote). Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan 2016.

Bajram PeçiNjë pullë postare dhe incidenti dipllomatik E parapriu tematiken mbi ngjarjet e vitit 1981 një seri pullash p...
09/02/2022

Bajram Peçi
Një pullë postare dhe incidenti dipllomatik
E parapriu tematiken mbi ngjarjet e vitit 1981 një seri pullash postare për Kosovën.Të ishte për ditët e sotme, nuk do kish pikë rëndësie, por shembulli që sillet bën fjalë për kohërat kur lufta e ftohtë ngërthente Europën dhe Ballkanin!?
Shpërthimeve kryengritëse të popullit shqiptar të Kosovës, që padrejtësisht fuqitë imperialiste të Europës ja dhanë Jugosllavisë për kolonizim, në muajin korrik të vitit 1981 Posta Shqiptare ju përgjigj, duke emëtuar një seri pullash me ngjarje e momente historike të trojeve shqiptare të Kosovës. Seria përbëhej nga 4 vlera me piktura të A. Buza, Sh. Hysa, A.Zajmi dhe L. Çefa. Tabllotë përkujtonin Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ngritjen e flamurit shqiptar në kryengritjen e Kosovës të vitit 1911, Azem Galicën me çetën e tij si dhe kompozimi artistik i një gruaje që qëndis shqiponjën e zezë dykrerëshe në beze të kuqe dhe një fëmijë që e shpalos atë. Shihet qartë që tematika shërben për të frymëzuar lëvizjen nacionaliste e përkujtuar historinë e lavdishme të popullit të Kosovës. Në 20 shkurt 1982, 40 vjet përpara, pasoi emëtimi i serisë “Shtëpitë karakteristike të vëndit tonë”, të autorit Bujar Zajmi.
Demonstrimet e fuqishme të shqiptarëve të Kosovës me kërkesën “Kosova Republikë”, ndodhur nga muaji mars e vazhdim të vitit 1981 e kishin tronditur thellë Jugosllavinë. Vraga që ato lanë në trupin e shtetit mozaik, sajesë e trukeve imperialiste të fillimit të shekullit të 20-të, shënuan nisjen e rrënimit të krijesës artificiale. Në këto rrethana, udhëheqja e Lidhjes Komuniste Jugosllave duhej të gjente armikun, natyrisht jo të brendshëm, por të jashtëm. Ajo ishte, sipas tyre, Shqipëria e cila “ndërhynte në punët e brendshme”, në mbrojtje të shqiptarve të skllavëruar, të trajtuar prej 100 vjetësh si qytetarë të dorës së dytë. Kosova ishte territori europian ku ushtrohej segregacioni njëlloj nga ashpërsia si në Afrikën e Jugut.
Nga prilli e gjatë tërë vitit 1981, marrëdhënjet ndërmjet dy shteteve ishin tejet të tensionuara, me akuza e kundërakuza, replika pa fund në shtyp, ku u përfshinë tërë institucionet e deri deklarime të akademive të shkencave. Gjendja ishte tejet e nderë. E sikur të mos mjaftonte pafundësia e akuzave dhe shpifjeve, këtyre ju shtua edhe emëtimi i serisë së pullave postare të Shqipërisë, të vëna në qarkullim në shkurtin e vitit 1982, në çdo sportel postar. (foto 1)
Tematika e banesave karakteristike kish filluar në vitin 1979, me një seri prej 5 pamjesh të autorit Bujar Zajmi. Një prej tyre kish emërtimin “Kullë në malësi të Gjakovës”, por seria mbartëte titullin “Shtëpi karakteristike të fshatit” dhe “Malësi Gjakove” kish si emërtim edhe Shqipëria.
Nëse në rastin e serisë së muajit korrik 1981 dhe të kësaj të vitit 1979, nuk dihet të ketë patur reagim, me këtë serinë e shkurtit 1982 historia rrodhi ndryshe. Në qarkoren rutinore të Drejtorisë së Përgjithshme të Postave e Telekomunikacioneve të Shqipërisë, një botim ky që shoqëronte çdo emëtim të ri e që kryesisht u drejtohej blerësve dhe koleksionistve, cilësohej se “...do të emëtojë më 20 shkurt 1982 një emision pullash, me pamje nga shtëpitë karakteristike të vëndit tonë” (foto 2).
Seria përbëhej nga 4 vlera, që shfaqnin banesa karakteristike në Bulqizë, në Rrafshin e Dukagjinit të Kosovës (Lebush), në Bicaj dhe në Klos të Matit. Cilësimi, “...banesa të vëndit tonë”, kur një prej këtyre pullave tregonte një banesë në Lebush të Kosovës, territor që shtrihej jashtë kufijve shtetërorë, u bë shkak për mbërritjen shumë shpejt në dyert e Ministrisë së Punëve të Jashtme e një note proteste të Federatës Jugosllave. Qarkullimi i kësaj pulle, me vlerë 80 qindarka, që përbënte shërbimin postar të letrës së rregjistruar brënda vendit, ju mbingarkua klimës së tejnxehtë dhe të acaruar tashmë midis dy vëndeve. (foto 3)
Pavarësisht kësaj, Posta Shqiptare nuk ngurroi të vazhdojë me tematikën nga Kosova. Dy muaj pas notës së protestës ajo emëtoi një seri tjetër pullash me pamje nga Kosova. Seria përbëhej nga 4 vlera. Pamjet kishin piktura të piktorve G. Madhi e K.Buza, në të cilat shfaqeshin hijshëm Gryka e Rugovës, Prizreni dhe Peja.
Emisioni i pullave postare shqiptare, në qarqet politike e diplomatike të Federatës Jugosllave, u interpretua si provokacion e pretendim territorial. Sidoqoftë, vitet kaluan, incidenti “u harrua“, Jugosllavia u shkatërrua ndërsa pullat me banesat karakteristike të vëndit tonë, skicime shumëngjyrëshe të piktorit Bujar Zajmi, ngelën e zënë një vënd të dukshëm në albumet e filatelistve.
Duke gjerbur një mbasdite kafen sëbashku me mjeshtrin Bujar Zajmi, ju drejtova me pyetjen nëse ishte kërkesë nga lart apo thirrje e brendëshme kompozimi i asaj banese dhe vendosja e tekstit te pulla me banesën e Lebush*t në Kosovë? Mjeshtri Zajmi, me atë ngrohtësinë që e përshkon përherë zërin e tij të fjalës shqiptuar ngadalshëm dhe qartë, më shpjegoi:
-Ishte kompozim jo i qëllimshëm për të ndeshur keqkuptime e aq më pak provokacione. Kur zgjodha të kompozoj banesa tipike të trojeve shqiptare, kjo e Lebush*t rrodhi së brendëshmi, buroi e frymëzuar nga të qenit tim me origjinë nga Kosova, e cila, e lënë tej kufijve të shtetit amë, ngelej për mua siç isha vetë, shqiptare, me banesa e njerëz e gjithçka.
Kushtrimi i të parëve në dejet e artistit bëri zgjedhjen, nxitjen njerëzore, krijoi pullën, “krijoi” incidentin dhe këtë histori tërheqëse.

Fotot: 1) Pamje ballore e qarkorit të emisionit të 20 shkurtit 1982, “Shtëpitë karakteristike të vendit tonë”, me vlerat 25 e 80 qindarka, 1.20 dhe 1.55 lekë.
2) Faqja e brendëshme e qarkorit, ku lexohet “...një emision pullash me pamje nga shtëpitë karakteristike të vendit tonë”.
3) Vlera 80 lekë, që u bë shkak i incidentit diplomatik.
4) Piktori Bujar Zajmi

Në këtë numer do gjeni artikuj shumë tërheqës për filatelinë, numizmatikën e koleksionet të tjra:-J.Basho "Pullat e paka...
27/03/2021

Në këtë numer do gjeni artikuj shumë tërheqës për filatelinë, numizmatikën e koleksionet të tjra:-J.Basho "Pullat e pakataloguara"; M.Shamblli "Taksat e Korçës"; S.Kika "Huaja e parë shtetërore"; L.Perati "Stolitë e grave"...etj.
Lexim të këndshëm!

Miq të SHKSH-së, ju ftojmë të lexoni numrin e ri të revistës “Koleksionisti” në faqen zyrtare online wwww.shksh.al

“Koleksionisti 36”
http://shksh.al/revista/revista36/index.html =1

Falenderojmë Posta Shqiptare që mundësoi botimin e të dy numrave 35 dhe 36 të revistës "Koleksionisti".

23/01/2021

Miq të SHKSH-së, ju ftojmë të lexoni numrin e ri të revistës “Koleksionisti” në faqen zyrtare online wwww.shksh.al

“Koleksionisti 36”
http://shksh.al/revista/revista36/index.html =1

Falenderojmë Posta Shqiptare që mundësoi botimin e të dy numrave 35 dhe 36 të revistës "Koleksionisti".

09/12/2020

Nga Qerim Vrioni – Duke u marrë me foto të vjetra të Shqipërisë, më kanë rënë në sy veçanërisht disa sosh që paraqesin Urën e Vezirit, që ngrihej mbi lumin Drin, pranë Kukësit të vjetër. Në to paraqitet ura e fotografuar nga disa kënde të ndryshme, e prej dy anëve të lumit,...

SISTEMI I TRISKËTIMIT NË SHQIPËRINga Bajram PeçiLufta e Dytë Botërore, gjatë gjashtë vjetëve që zgjati, e futi gjithë Eu...
06/08/2020

SISTEMI I TRISKËTIMIT NË SHQIPËRI

Nga Bajram Peçi
Lufta e Dytë Botërore, gjatë gjashtë vjetëve që zgjati, e futi gjithë Europën në mjerim. Pushtim i Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania i solli vendit shkatërrime të pakrahasueshme. Prodhimi bujqësor ishte fare i ulët. Mungesës së njerëzve, mjeteve dhe farërave ju shtua dhe një thatësirë në vitet 1945-1946. Rezerva ushqimore nuk kish. Ato ishin sekuestruar nga ushtritë pushtuese. Trupat gjermane të Rajhut të III gjithashtu, sekuestruan për ushtrinë e tyre 2 milion krerë dele e dhi dhe 150 mijë gjedhë, kuaj, mushka e gomerë. Mungonte buka dhe mishi, vaji dhe artikujt kolonialë, si orizi, sheqeri e makaronat. Industri tekstile vëndi nuk kish, ndërsa valuta për të blerë tekstile mungonte. Vëndi ishte në gjendje urie dhe e pa veshur.
Në treg mungonin veshjet, mbulesat, batanijet, këpucët. Organizata ndërkombëtare e UNRRA-s, (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Rehabilitimin dhe Ndihmën), filloi të ndihmojë me drithë e produkte ushqimore nga gushti i vitit 1945, deri kur u përzunë nga qeveria në vitin 1947. Sollën 30916 ton ushqime, kryesisht grurë e miell dhe 1471 ton veshje si dhe 1810 ton farë gruri nga SHBA, për mbjelljet e ardhshme. Për shpërndarjen e tyre si dhe pak rezerva që kishin gjendje, u vendos sistemi i triskëtimit.

Triskat
Triskëtimi dhe racionimi, u vendos në të gjitha shtetet europiane të dëmtuara nga lufta, por në Shqipëri ishte urgjente. Sistemi i triskëtimit në Shqipëri u vendos në shtator 1946 dhe hyri në zbatim në nëntor 1946. Vazhdoi deri në vitin 1957, ndërkohë që shtetet europiane e kishin përfunduar mes viteve 1949-1953.
Ja se si ishte struktura e këtij sistemi:
Këshilli i Ministrave ngarkonte Ministrinë e Ekonomisë të organizonte sistemin e triskëtimit. Në zbatim të saj, Ministria e Ekonomisë planifikoi, prodhoi dhe u shpërndau qarqeve tre lloj triskash, që ndaheshin sipas kategorive të popullsisë.
I.Triska Buke mujore, personale, përmbante 31 kuadrate, që priteshin sipas datave të muajit. Ndahej në kategori A, B, C. Kategoria përcaktonte gramaturën. Shpërndahej në qendrat e punës, me vulën e qendrës së punës. Ishte letër me vlerë dhe dublikatë nuk lëshohej. Gjithashtu, nuk tjetërsohej. Përfshinte këto ndarje:
-Triska Buke ordinere; triska buke personale; triska buke për punëtorë; triska buke për punëtorë në proçese të rënda e të vështira; triska buke për fëmijë deri 18 muajsh dhe për fëmijë nga 1 vjeç e gjysëm deri 7 vjeç; Triska buke për gra shtatzëna.
II.Triska Ushqimore - Triska ushqimore mujore, përshinte ndarjet njëlloj si kategoritë e triskave të bukës. Këtu futej racionimi i vajit, sheqerit, miellit, makaronave, orizit, mish*t e sapunit. Shpërndahej në qendrat e punës, me vulën e qendrës së punës. Ishte letër me vlerë dhe dublikatë nuk lëshohej. Gjithashtu, nuk tjetërsohej.
III.Triska Veshmbathje -Triskat e veshmbathjes tremujore, të ndara sipas familjeve ishin me 100 pikë dhe 80 pikë. Triska 100 pikëshe ndahej me 5 katrorë horizontal, nga e djathta në të majtë shifrat 10, 6, 5, 3 dhe 1 pikë; 4 katrorë vertikal me shifrat e mësipërme. 80 pikëshja përmbante shifrat 10, 5, 3, 2 dhe 1 pikë. Shpërndahej në qendrat e punës, me vulën e qendrës së punës. Ishte letër me vlerë dhe dublikatë nuk lëshohej. Gjithashtu, nuk tjetërsohej.
Ndonëse sistemi i triskëtimit u vendos të ndërpritej, në muajin nëntor të vitit 1957 u përdor një triskë e re ushqimesh. Ndahej edhe kjo nga qëndra e punës . Në të shkruhej, “Kupon regjistrimi për ushqime kategoria B”, muaji dhe viti. Kishte gjashtë shtylla me shënimet e “B”-së nga 1 deri në gjashtë. Në triskë shkruhej, “Triskë ushqimi kategoria B, muaji nëntor 1957”, (ose , “F”), mbajtësi, qendra e punës, firma e lëshuesit dhe vula. Edhe kjo triskë mbante shënimin, “Dublikatë nuk lëshohet”. Triska “B” ndryshonte nga triska “F” në sasinë që duhej të jepej. P.sh, Makarona në triskën “B” jepeshin 1700 gr. dhe në triskën “F” jepeshin 1000 gram. Triska e bukës ishte fikse për çdo kategori dhe jepej në ditë kalendarikë në sasinë 900 gram.
Me ndërprerjen e triskave, organet administrative që merreshin me këtë punë, seksionet apo zyrat e triskëtimit në Komitetet Ekzekutive, u mbyllën. Po kështu dhe në qendrat e punës u mbyllën zyrat përkatëse.

Tallonat
Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën, vendi aplikoi politika ekonomike që çuan në varfërim të thellë. Prodhimet bujqësore, për përdorim nga popullata u pakësuan shumë, si rrjedhojë e kolektivizimit, pakësimit të oborrit familjar, tufëzimit të bagëtive. Kjo ishte arsyeja që solli rivendosjen e racionimit të ushqimeve. Pak a shumë, për këtë kategori furnizimi, ushqimet, nuk thuhej por në fakt ishte sistem triskëtimi. Ndryshimi ishte se nuk jepej nga qendra e punës, por nga lagjja e banimit, për çdo familje. Vendosja e saj në vitin 1981 ishte një nga arsyet që tronditi sistemin politik, atë që thuhej se ishte “Ndërtimi i Socializmit”.
Skema e racionimit u quajt “Tallon”, që ishte bileta-letër e dhënë nga Këshilli i Lagjes. Në një ditë të caktuar të javës do paraqiteshe në dyqan për të marrë racionin e gjalpit, mish*t (pulës), djathit, sallamit. Katër javët kishin ndarje të veçanta të gramaturës. Edhe talloni nuk kish dublikatë, nuk tjetërsohej. U hoq nga përdorimi në vitin 1991, kohë kur ndryshoi sistemi politik.

Address

Tiranë
Vrap
1001

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Koleksionisti posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share

Category