31/08/2026
Në kuadër të nisjes së vitit shkollor 2026–2027, në Gjimnazin “Isa A. Boletini” u zhvillua mbledhja e parë e stafit, me pjesëmarrjen e drejtorisë së shkollës, mësuesve, psikologes dhe oficerit të sigurisë.
Në fokus të takimit ishte njohja, diskutimi dhe reflektimi mbi aktet e reja ligjore dhe nënligjore të Ministrisë së Arsimit, si dhe përditësimet që lidhen drejtpërdrejt me organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe edukativ gjatë këtij viti shkollor.
📌 Në mënyrë të veçantë, stafi u njoh dhe diskutoi Udhëzimin e Përbashkët nr. 15, datë 18.08.2026, “Për vitin shkollor 2026–2027 në sistemin arsimor parauniversitar”, i cili orienton institucionet arsimore për organizimin, realizimin, monitorimin dhe raportimin e veprimtarive institucionale gjatë gjithë vitit shkollor. Në këtë kuadër u trajtuan përgjegjësitë e stafit, organizimi dhe zhvillimi i procesit mësimor, regjistrimi i nxënësve, pajisja me tekste shkollore dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e shkollës.
U trajtua gjithashtu Urdhri i Përbashkët nr. 110, datë 21.04.2026, “Për miratimin e strukturës së vitit shkollor 2026–2027 në sistemin arsimor parauniversitar”, duke u ndalur në kalendarin e vitit shkollor, fillimin dhe përfundimin e mësimit, periudhat e pushimeve dhe afatet e provimeve. Sipas këtij urdhri, për arsimin e mesëm të lartë, mësimi fillon më 14 shtator 2026 dhe përfundon më 18 qershor 2027, ndërsa për maturantët përfundon më 4 qershor 2027.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte Udhëzimi nr. 16, datë 27.08.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Udhëzimin nr. 14, datë 10.07.2023, ‘Për numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën mësimore të punonjësve arsimorë në institucionet e arsimit parauniversitar’, i ndryshuar”. Stafi u njoh me ndryshimet që lidhen me numrin e nxënësve për klasë, ngarkesën mësimore dhe plotësimin e normës mësimore, përfshirë përcaktimet që prekin drejtuesit dhe kategori të ndryshme të mësuesve.
Në vijim u diskutua Urdhri nr. 436, datë 24.08.2026, për ndryshimet dhe shtesat në rregulloren e olimpiadave kombëtare në arsimin parauniversitar dhe pjesëmarrjen e nxënësve në olimpiadat ndërkombëtare. U evidentuan përditësimet që lidhen me organizimin e olimpiadave, lëndët përkatëse, procedurat e zhvillimit, publikimin e testeve dhe rezultateve, me synim nxitjen dhe mbështetjen e nxënësve me rezultate dhe prirje të veçanta.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe Urdhri nr. 400, datë 31.07.2026, “Për miratimin e llojeve të programit ‘Pas Shkolle’, standardeve, kritereve, planit të veprimit për ofrimin e këtij programi, si dhe përcaktimin e institucioneve publike të arsimit parauniversitar për organizimin dhe zbatimin e programit ‘Pas Shkolle’”, duke u njohur me standardet, kriteret dhe mënyrën e organizimit të kësaj nisme.
Gjithashtu u njohën me tregues dhe rezultate të vitit shkollor 2025-2026 si pjesë e analizës vjetore, ku vlen të përmendet nota mesatare e nxënësve e cila ka ardh në rritje, rezultatet e nxënësve në Maturën Shtetërore.
Në përfundim, mbledhja shërbeu jo vetëm për njohjen me aktet dhe ndryshimet e reja, por edhe për unifikimin e punës së stafit dhe përcaktimin e prioriteteve të Gjimnazit “Isa A. Boletini” për vitin shkollor 2026–2027.
Bashkëpunimi ndërmjet drejtorisë, mësuesve, psikologes dhe oficerit të sigurisë mbetet një element thelbësor për garantimin e një procesi mësimor cilësor dhe të një mjedisi të sigurt, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për çdo nxënës.
🏫 Gjimnazi “Isa A. Boletini” e nis vitin e ri shkollor me përgjegjësi, bashkëpunim dhe përkushtim, me synimin e përbashkët për arsim cilësor, mirëqenie dhe sukses për çdo nxënës.