26/10/2025
Drejtoresha jonë, Bubulina Mici
Gjithsecili nga jeta, e mirë apo e keqe të ketë qënë, ruan në kujtesën e tij qoftë edhe të çoroditur një njeri, një ngjarje e cila është ulur këmbëkryq kujtesës tënde e ti e di mirë se atë ngjarje, atë personazh do ta marrësh me vete në atë hapësirën pasjete. Katër vite ishin. Por për shumë prej nesh ishin vendimtare në krijimin e një profili më qartë, e një stature e cila do të të udhëhiqte gjatë gjithë jetës. Se ne që vijmë nga mësuesia, ndjekim modelet, zgjedhim një model në jetë e kërkojmë t'i ngjasojmë atij, të marrim diçka prej tij e cila na qartëson në vijimësinë e jetës. Modeli i parë është nëna e pak më vonë, kur fillon shkolla, nxënësi kërkon një model tjetër të cilin e gjen te mësuesi duke e respektuar atë deri në adhurim. Të parin njeri të unë takova kur trokita në shkollën e mesme pedagogjikë të Fierit, ishte drejtoresha e saj, Bubulina Mici, e cila më priste e rrethanat e hyrjes sime në atë shkollë do t'i shpreh diku më poshtë. Ishte 42 vjeçe kur u nda nga jeta. Shtatë muaj pasi ishte ndarë nga matura jonë. Një grua pamja e së cilët të bënte të rrije pak çaste për të përcaktuar rrjedhën e bisedës. E qetë m'u duk në vështrimin e parë. Zotëruese, autoritare. -Je klasa "D" ,- më tha- ke hyrë me mik këtu dhe nuk duhet të më zhgënjesh! Vetëm kaq dhe kaluan katër vjet dhe unë kurrë nuk e ndesha më fjalën e saj, vështrimin, me inatin jo e jo. Nuk e kemi patur mësuese lënde dhe mundësinë e një takimi me të nuk e solli rasti. Por e njihnim shumë mirë. Të gjithë e njihnin. Mirëdashja e saj qe e dukshme, ishte e rrepte si fjala dhe ngarkesa e fjalës që përdorte ( toni i lartë që më pas ne e kuptuam se ishte sëmundje e profesionit). Kishte krijuar një staturë të cilën ajo nuk e rrëzoi kurrë e askush nuk u orvat ta rrëzonte. E rreptë si malësia e Vlorës nga vendlindja, nga karakteri impulsiv vlonjat, e rreptë, kapriço, e ashpër, e ftohtë si lënda që ajo përfaqësonte.(E dija që atëhere se ishte e motra e poetit te njohur Fatos Arapi e tani, kur po shkruaja këto rreshta, mësova se ka patur edhe një vëlla tjetër, Vllas Arapi, i cili p***a qënë afër me "Grupin e të rinjve " në vitet e luftës çlirimtare. Por filli i jetës së tij humbi në ato vite. E vranë, u arratis, e hodhën si agjent jashtë shtetit?! Askush, asnjëherë nuk dha përgjigje.) Kishte një emër që askund nuk ishte dëgjuar veç faqeve të historisë e cila përfaqësonte një luftëtare arvanitase, komandante e një anijeje, një grua e fisme, por trime. Nuk e di si cili nga këta elementë ishte përcaktues në formimin e saj, por ajo mbeti në sytë e pedagogjikasve një drejtuese "Par exelancë", një mësuese e arrirë, një prind shëmbullor e cila vlerësonte te mosha jonë gjithçka tonën me seriozitetin e duhur duke mos quajtur asgjë tonën në formim e sipër të vogël, të parëndësishme. Askush nuk ja njohu buzëqeshjen. E shkurtër në trup, kishte një ecje të rëndë, hapat e së cilës ndiheshin korridoreve. Ndiheshin hapat, por edhe zëri i lartë dhe i prerë. Disiplinën e kishte prioritet. Faktorët që e formësonin nxënësin, faktorë shoqërorë, etike, moralë ajo i kishte të shënjta dhe nuk i keqpërdori asnjëherë. E ashpër ndaj vajzave kur ajo shihte diçka që shijeve të saj nuk i shkonte përshtat. E ashpër me djemtë kur u pëlqente vetja e përbënin problem të komunitetin e shkollës e kjo drejtuese shkolle ishte një nga kontribueset kryesore në formimin tonë.
Pak jetë jetoi, një jetë e kaluar mes fjalës së një mësuesi e drejtuesi, mes formulave matematike, një grua me intensitet jete, me një shpirt që rregullin e do, e kërkon, e ndërton mbi gjithçka Dihet se te njeriu ka rëndësi numri i viteve, por ka rëndësinë e vet pesha e tyre, ngarkesa që të dha jeta dhe përballja me këtë ngarkesë.
Shpejt erdhi vdekja te drejtoresha e shkollës sonë, por nuk e zbehu aspak jetën e saj, emrin e saj edhe pse ne njohëm vetëm katër vitet e fundit të jetës. E pas 50 vjetësh, vdekja e bëri më të dukshme emrin e drejtoreshës sikur ajo të ishte një kornizë e fotografisë së saj
Ajo në krah kishte nëndrejtor Anasatas Pogaçen e mësues me aq dije e kulturë si Nikolla Margilaj, Drita Saro. Ida Tanku etj
U ndodha edhe një herë tjetër përballë saj. Përsëri në zyrën e saj, javën e fundit, për një ngjarje të një shoqes sonë të cilën do ta trajtoj diku më poshtë. Katër vjet vetëm dy raste që unë u ndodha përballë drejtoreshës. Shumë pak do të thonë lexuesit e këtyre rreshtave. Kështu mendoj edhe unë. Vetëm dy raste, por imazhi i saj kishte krijuar në vetëdijën time një figurë të plotë, të qartë. Të gjithë e njohëm mirë drejtoreshën e kësaj shkolle, imazhin e së cilës ne e morëm me vete dhe unë, edhe pas 50 vjetësh, ndërsa në një dhome mjekeje në Tiranë, u ndesha me mbiemrin Mici, i thashë mjekes me plot gojën e po me aq krenari se unë kam dalë nga dora e një drejtoreshe shkolle si Bubulina Mici. Mjekja u ngrit në këmbë dhe nuk pushonte së foluri për gruan e kushuririt të saj, shkrimtarit Aristotel Mici. Ligjëratën e saj mjekja e mbylli me një psherrëtimë që mua më dha ndjesinë se i doli nga shpirti i saj. Se drejtoresha u nda nga jeta shtatë muaj pasi na kishte thënë neve: "Udhë të mbarë në rrugën e jetës!". Ne ishim matura e fundit e saj. Ajo iku në qiejt e amshimit duke marrë me vete mijëra fjalë ngushëlluese si mesazh mirënjohjeje. Pak jetë jetoi, një jetë e kaluar mes fjalës së një mësuesi, mes formulave matematike, një grua me intensitet jete, me një shpirt që rregullin e do, e kërkon, rindërton mbi të gjithçka.
La pas një djalë e një vajzë. Ardianin dhe Valbonën. Dhe unë u lidha me Aristotel Micin i cili jeton në Amerikë. Sigurisht ai nuk më njihte. Por vetëm kur i thashë se unë kisha qënë një pedagogjikas i Fierit, ai ndali një hop. Ndali një çast frymëmarrjen. Ndoshta kërkoi pak kohë për ta çuar kujtesën në vitet e jetës së tij bashkëshortore të cilat ishin të lidhura aq ngushtë me emrin e një gruaja aq fisnike si Bubulina Mici. 50 vjet që gruaja e tij nuk ishte kësaj bote. Dhe unë i kërkova një fotografi të sajën, sepse po ndërtojmë një libër për ato katër vite të cilat e kanë një emër, një portret, një imazh: Bubulina Mici. Ai më falenderoi. E ndjeva nga zëri sinqeritetin e tij -Patjetër, -më tha, ndërsa unë e falenderova duke i uruar pleqëri të mbarë. Ai sot është 90 vjeç. Të dy fëmijtë e tij, motër e vëlla, u vunë në lëvizje. Sekush për të dërguar fotografi të nënës së tyrë të mrekullueshme. Mund të shkruaj më gjatë për drejtoreshën tonë, imazhi i saj i shkrirë në portretin e saj na ka ndenjur ndër sy pesë dekada. U prehtë në hirin e parajsës!
04/06/2025