01/11/2018
Programi Master i Shkencave në Studime Evropiane
Programi Master i Shkencave në Studime Evropiane ofron një ndërthurje unike të formimit të thelluar akademik në fushën e studimeve evropiane dhe trajtimit praktik të politikave dhe institucioneve evropiane. Në stadin aktual të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nevojitet një përgatitje sa më e plotë në fushën e integrimit evropian. Ky program studimi ofron aftësimin analitik dhe thellimin e njohurive shkencore dhe praktike mbi historinë e integrimit evropian, të drejtën institucionale të BE-së, politikat e brendshme dhe të jashtme të Bashkimit Evropian, institucionet dhe aktorët e politik-bërjes në BE, si dhe çështjeve specifike në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky program i kushton një rëndësi të veçantë politikave evropiane dhe administrimit publik, nën këndvështrimin e Evropianizimit dhe ndikimit që procesi i anëtarësimit në BE ka për vendet kandidate.
Çfarë mundësish kam pas përfundimin të këtij programi studimi?
Pasi të keni përfunduar me sukses programin e Studimeve Evropiane, mundësitë janë pothuajse të pafundme. Ju do të keni njohuritë dhe kompetencat e duhura për të vazhduar drejt studimeve të doktoratës ose drejt karrierës kërkimore shkencore. Gjithashtu, ju mund të punoni si ekspert i lartë për të mbuluar çështjet të cilat lidhen me integrimin evropian pranë të gjitha departamenteve të administratës publike qendrore dhe vendore të angazhuara në procesin e integrimit evropian. Ju mund të punoni si këshilltar politik apo teknik pranë institucioneve apo agjencive të cilat kanë marrëdhënie me Bashkimin Evropian, si dhe pranë institucioneve kërkimore, organizatave të shoqërisë civile, apo sektorëve të ekonomisë dhe biznesit të cilët kanë bashkëpunime apo shtrije përtej vendit me fokus Bashkimin Evropian.