25/08/2026
Përkujtimi i Profetit Muhamed (a.s.) dhe festimi i lindjes së tij
Në kohën kur erdhi Muhamedi (a.s.), bota le të themi ndahej në dy kampe ekstreme, njëri që ishte krejtësisht materialist dhe nuk mendonte se si e fitonte pasurinë, të cilën pastaj e përdorte vetëm për të kënaqur qejfet e tij, kurse tjetri, ishte ndarë krejt nga bota, ishte mbyllur në muret e manastireve dhe s’donte të dinte çfarë ndodhte jashtë këtyre mureve.
Por mësimet që solli Muhamedi (a.s.) i kombinuan të dyja.
Këto mësime lidhën materien me shpirtin me një nyjë që nuk mund të zgjidhen, e bëri secilën të domosdoshme për tjetrën, duke i porositur njerëzit që të punonin për këtë botë, por të mos harronin të përgatiteshin edhe për botën tjetër, prandaj Kurani urdhëron e thotë: “Ju jeni populli më i mirë i nxjerrë nga njerëzit, urdhëroni të mirën e ndaloni të keqen…” (Al Imran, 3:110) كُنْتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَتُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ
Qysh në rini Profeti (a.s.)u quajt nga populli i tij “Emin”-besniku, i drejti. Ai u zgjodh si arbitër për të zgjidhur një problem që mund të shkaktonte gjakderdhje. Ra në kundërshtim populli i tij kur po meremetonin Qaben se kush ta ngrinte e vendoste në vendin e vet Gurin e Zi, secili nga paria donte ta bënte atë. Ata pranuan vendimin e Muhamedit (a.s.) kur e vuri në një rrobë dhe i pari i fiseve të kapte në një anë rrobën, pastaj e vuri po vetë në vendin e duhur. Kështu që me veprën e tij kënaqi të gjithë kryetarët e fiseve.
Muhamedi në jetën e tij ishte shembull i shkëlqyeshëm në fjalë e në vepra, në shtëpi dhe me popullin, në paqe e në luftë. Ishte sikur e cilëson Imam Aliu: “Më bujari i njerëzisë, më zemërmiri, më i drejti në fjalë, dhe më i besuari; kushdo që e shihte ndiente respekt për të dhe kushdo që e lidhte puna me të, e donte.”
Muhamedi (a.s.) ishte shumë i dashur, kujdesej tepër për shokët e tij, kur mungonte ndonjë prej tyre pyeste për të. Gruaja e tij, Aisheja, na tregon për të: “Kur ishte në shtëpi, ishte njeriu më i butë e më i ëmbël.”
Pejgamberi (a.s.) ishte shumë i përvuajtur, e urrente madhështinë dhe mburrjen, nuk i vinte shumë rëndësi gjërave të kësaj bote. Ai ishte i thjeshtë, e mbante veten shumë pastër, krihej dhe lyhej me erëra të mira.
Shumë mbretër, princër, e të parë i dërgonin dhurata të çmuara, por ai nuk i mbante për vete, i shiste dhe të hollat i përdorte për të ndihmuar të vobektit ose për t’i shërbyer fesë islame.
Kurrë nuk e mbushte plot stomakun, asnjëherë nuk kërkoi nga familja e tij t’i përgatitej një ushqim i posaçëm, hante çfarë t’i vihej përpara dhe pinte çfarë i jepej nga pijet e lejueshme.
Kurrë nuk i tha “jo” personit që i kërkonte ndihmë. Kur s’kishte çfarë t’u jepte, i përcillte me fjalë të mira dhe priste derisa t’i jepte Zoti diçka që t’i ndihmonte.
Kaq bujar qe me njerëzit e vobektë saqë njëherë e bija e tij, Fatimja shkoi e iu ankua për punët e shumta që kishte në shtëpi dhe i kërkoi t’i gjente një shërbëtore. Ai i tha: “Unë nuk mund të të j*p ty shërbëtore e t’i lë banorët e Sufas të mbajnë barkun me dorë nga uria”. Sofa ishte vendi ngjitur me xhaminë ku banonin shokët e varfër të Pejgamberit (a.s.) kalonin kohën me studime; Muhamedi (a.s.) kujdesej për mbajtjen e tyre.
“Kush na mashtron, nuk është prej nesh. Gjaku juaj, pasuria dhe nderi janë të ndaluara në mes jush. Besimtarët janë vëllezër, mos u urreni, mos shani, mos nënçmoni, mos përgojoni. Kush merr të drejtën e tjetrit, le ta dijë se ka marrë një copë zjarri”, ishin disa nga fjalët e tij.
Muhamedi (a.s.) ishte tepër trim e guximtar, luftonte burrërisht për mbrojtjen e lirisë, fesë e të atdheut; shihej përherë në mes të betejave. Imam Aliu tregon: “Kur ndizej lufta vërenim se Profeti gjendej më afër armikut se askush tjetër.”
Kur dilte fitues nëpër beteja, nuk i rritej mendja e nuk mburrej, dhe kur ndonjëherë ndodhte e kundërta, nuk e priste shpresën dhe nuk dëshpërohej, por studionte shkaqet e dështimit dhe mundohej të ndreqte gabimet. Dhe në të dy rastet falënderonte Zotin e i lutej për ndihmë.
Triumfoi dhe e çliroi Mekën nga idhujtarët që i kishin munduar atë dhe shokët e tij, që i kishin bërë të vuante aq shumë duke e detyruar të linte dhe vendlindjen e tij prej persekutimeve të mëdha që i bënin, dhe, kur i kishte në dorë e kishte fuqi t’i dënonte, i fali duke u thënë: “Shkoni se jeni të lirë!”
Kërkuan shokët e tij nga Muhamedi (a.s.) që t’i mallkonte idhujtarët pas betejës së Uhudit, në të cilën ishte i plagosur në fytyrë dhe i kullonte gjaku, por ai u përgjigj se nuk e kishte dërguar Zoti për të mallkuar, por si mëshirë وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِلْعَالَمِينَ (Enbija, 107). Ai lutej: “O Zot, fale popullin tim se ata nuk dinë.”
Zoti na bëftë prej atyre që e studiojnë me kujdes jetën e Pejgamberit (a.s.) e përpiqen ta marrin shembull në jetën e tyre.