25/05/2026
Kolegji Universitar Bedër pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare në Gjakovë
Në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare dhe Ndërdisiplinore “Toward an Intelligent Society: Challenges and Opportunities”, të zhvilluar më 22–23 maj 2026 në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, Kosovë, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshem dhe Inovacion pranë Kolegjit Universitar Bedër, prezantoi kumtesën me titull “Edukimi Ndërfetar Mjedisor dhe Etika e Ujit për Transformim Shoqëror në Shqipëri”. Konferenca mblodhi një numër të gjerë studiuesish dhe pjesëmarrësish ndërkombëtarë, me 230 prezantime, 340 autorë, bashkautorë dhe kontribues, 35 sesione prezantimi dhe përfaqësim nga 27 vende të ndryshme.
Kumtesa trajtoi mënyrën se si edukimi ndërfetar mjedisor mund të kontribuojë në transformimin shoqëror, duke lidhur përgjegjësinë ekologjike me etikën fetare, edukimin qytetar dhe veprimin kolektiv. Në fokus të prezantimit ishte uji, i trajtuar si burim jetësor, simbol shpirtëror dhe hapësirë e përbashkët bashkëpunimi ndërfetar. Studimi ngriti pyetje mbi rolin e mësimeve fetare në nxitjen e veprimit mjedisor, mbi rëndësinë e ujit si burim i përbashkët, si dhe mbi integrimin e etikës mjedisore në sistemet arsimore dhe trajnimin e mësuesve në shoqëri pluraliste si Shqipëria.
Në prezantim u theksua se krizat mjedisore, si ndryshimet klimatike, ndotja, humbja e biodiversitetit dhe mungesa e ujit, nuk janë vetëm sfida teknike apo politike, por edhe çështje morale, shpirtërore dhe shoqërore. Sipas kumtesës, mësimet fetare mbi kujdestarinë ndaj natyrës, maturinë, drejtësinë dhe përgjegjësinë ndaj krijimit mund të ndihmojnë në mobilizimin e komuniteteve dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërfetar për mbrojtjen e mjedisit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rastit të Shqipërisë, e cila u paraqit si një kontekst domethënës i bashkëjetesës fetare dhe i mundësive për bashkëpunim ndërmjet komuniteteve fetare, institucioneve arsimore dhe aktorëve të shoqërisë civile. Kumtesa theksoi se integrimi i etikës mjedisore në edukim dhe në formimin e mësuesve mund të krijojë ndikim afatgjatë, duke formuar qytetarë më të ndërgjegjshëm dhe më të angazhuar për qëndrueshmërinë, paqen dhe përgjegjësinë shoqërore.
Gjatë këtij prezantimi Prof. Kruja theksoi dhe përvojën e projektit Erasmus+ “Facing Global Challenges: Climate protection, climate resilience and climate justice in the interreligious education and training of teachers”, i cili synon të integrojë edukimin mjedisor, drejtësinë klimatike dhe bashkëpunimin ndërfetar në formimin e mësuesve. Në këtë kuadër, ai theksoi rëndësinë e edukimit ndërfetar, si një instrument për të ndërgjegjësuar brezat e rinj mbi përgjegjësinë ndaj natyrës dhe “shtëpisë sonë të përbashkët”.