17/05/2012
Presidenti i ri francez Hollande del në Camp David për herë të parë në skenën ndërkombëtare. Kërkesat e socialistit francez për një pakt rritjeje dhe kriza qeveritare në Greqi tema të rëndësishme të samit të G8.
"Sikurse gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Gjermani Hollande do të përballet në Camp David me një presion të konsiderueshëm që të mos ndërmarrë asgjë që mund ta shpërbëjë paktin fiskal evropian për të cilin është rënë dakord tashmeë thotë Dr. Stewart M. Patrick, ekspert për politikën ndërkombëtare në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington. Ideja e socialistit Hollande për një pakt për rritjen ekonomike dhe kriza qeveritare në Greqi janë tema që do t'i shoqërojnë të pranishmit në samit, të cilët presin edhe shpjegime përkatëse.
Por lista e temave është mjaft e gjatë për një samit që nuk do të zgjasë as 24 orë. Temat shkojnë nga sigurimi i ushqimeve për Afrikën, tek mosmarrëveshjet bërthamore me Iranin, plani i tërheqjes për Afganistanin, veprimet e mëtejshme ndaj Sirisë dhe Koresë së Veriut e deri tek klima globale. Presidenti i SHBA-së Barack Obama ka ftuar në rezidencën presidenciale në Camp David për të premten në darkë (18.05.2012) krerët e shteteve dhe të qeverive nga Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Rusia, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Rusia e parëndësishme?
Putini dhe Medvedevi
Presidenti i rizgjedhur rus Vladimir Putin e refuzoi ftesën e Obamës. Putini dërgon kryeministrin Dimitri Medvedev, me të cilin kanë këmbyer postet. Një situatë e pakëndëshme - sepse rusët konsiderohen në klubin e G8 prej ekspertëve si të parëndësishëm. "Pa Rusinë G8 përfaqëson një komunitet demokracish të përparuara që kanë një mendësi të përbashkët, që besojnë tek të drejtat e njeriut dhe që kanë pikëpamje tejet të ngjashme lidhur me gjendjen ekonomike globale" thotë për DW politologu Patrick, i cili nga viti 2002 deri në vitin 2005 ka qenë konsulent pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në SHBA. Ndërsa Rusia nën Putinin është duke ecur në një drejtim autoritar, dhe nuk është një partner i besueshëm për çështje politikisht të ndjeshme: Irani dhe Siria janë shembujt më të mirë për këtë. Kështu që nga takimi nuk pritet ndonjë progres i madh.
Në këtë mes shtrohet vazhdimisht pyetja se ç'kuptim ka takimi i G8? Megjithatë, tetë vendet përfaqësojnë 15 për qind të popullsisë së botës dhe dy të tretat e prodhimit ekonomik ndërkombëtar. G8 është një bashkim i lirshëm shtetesh, jo një organizatë me financim sipas rregullash të caktuara. I krijuar në vitet '70 në mes të krizës së naftës, ky u mendua si një forum për të koordinuar çështjet ekonomike dhe tregtare. Por tashmë në rend të ditës janë si çështje politike ashtu edhe ekonomike, pavarësisht se G-20 konsiderohet si forumi më i fuqishëm ekonomik dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka në dispozicion mekanizma për sanksione.
Listë e zgjeruar të ftuarish
Presidenti Obama ka ftuar në Camp David edhe kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Beninit, të Etiopisë, Ganës dhe të Tanzanisë. Ata do të marrin pjesë në diskutimet mbi sigurinë e ushqimeve në Afrikë. Diskutimi i kësaj teme është vazhdim i një procesi që filloi në vitin 2009 në qytetin italian të L'Aquilas. Patrick Stewart vë në dukje se "takimet e G8 organizohen në ato vende, të cilat ofrojnë pjesën më të madhe të ndihmës zyrtare për zhvillim".
Po ashtu takimi i G8 u ofron pjesëmarrësve një mundësi për të diskutuar çështje formale dhe joformale në nivel dypalësh, mendon Bruce Jones i Institutit Brookings: "Një gjë e tillë është nganjëherë më e lehtë se sa të biesh dakord për një takim zyrtar në mes dy politikanësh për të diskutuar një temë të veçantë. "Dhe kryetarët e shteteve dhe të qeverive kanë për momentin më tepër çështje për të koordinuar nga sa do t'u pëlqente." - thotë Bruce Jones.
Burimi i lajmit
Deutsche Welle.