Departamenti i Gjuhës Frënge i themeluar që prej vitit 1966 ka një traditë të hershme në mësimdhënie, staf të kualifikuar vendas dhe të huaj si dhe programe cilësore bashkëkohore. Në këtë Departament kanë mbaruar studimet kuadro të shquar në jetën akademike, kulturore, ekonomike e politike: gjuhëtarë, gazetarë, diplomatë, shkencëtarë, biznesmenë. Eshtë i vetmi Departament në Shqipëri i cili ofron ciklin e plotë të studimeve Bachelor, Master, Doktoratë në fushat e : mësuesisë së frëngjishtes gjuhë e huaj; përkthimit dhe interpretimit; komunikimit ndërkulturor e turistik. Departamenti i Gjuhës së Frënge siguron dhe formimin pasuniversitar të mësuesve të gjuhës së huaj në profesion. Departamenti ka një veprimtari të rregullt shkencore, mësimore dhe kulturore ku pedagogë dhe studentë përfshihen gjerësisht në to. Që prej vitit 1999, Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e Organizatës Ndërkomëtare të Frankofonisë. Në këtë kuadër, Departamenti është i angazhuar në projekte kërkimore dhe shkëmbime mësimore të mbështetura nga Agjencia universitare frankofone. Departamenti ka lidhje të ngushta me departamente të huaja në Francë, Zvicër, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Kosovë, etj. Profesorë të huaj ftohen vazhdimisht në auditorët e Fakultetit ashtu sikurse pedagogë dhe studentë të Departamentit kanë marrë pjesë në shkëmbime reciproke mësimore e kërkimore me laboratore të huaja universitare. Marrëveshje të frutshme bashkëpunimi me qëllim hartimin e programeve të përbashkëta studimi janë vendosur me Universitete prestiogjioze si : Universiteti Grenoble- Alpes, Francë, Institutin e përkthyesve dhe interpertëve e marrëdhënieve ndërkombëtare, Strasburg Francë, Universiteti Blaise- Pascal, Clermont - Ferrand, Francë, Instituti pedagogjik i Gjenevës. Departamenti ynë mban kontakte të vazhdueshme me aktorët e tregut duke organizuar forume të ndërmarjeve në sektorin publik dhe jo publik për ndërthurjen e formimit universitar me kërkesat e tregut të punës. Studimet në Departamentin e Gjuhës Frënge japin mundësinë e punësimit në institucione shtetërore, në organizma ndërkombëtare, shoqata ndërkombëtare, biznese e agjenci të ndryshme private.