17/04/2026
TRI urime dhe NJË falënderim (që i shkruajmë gabim)
(Faleminderit për komentet, reagimet dhe shpërndarjet!)
1. "U preftë në paqe" apo "u prehtë në paqe"?
a)
"U preftë" është mënyra dëshirore e fjalës "pritem" (me thikë, brisk etj.), veta e tretë njëjës (ai/ajo).
b)
"U prehtë" është mënyra dëshirore e fjalës "prehem", veta e tretë njëjës (ai/ajo), koha e tashme. Do të thotë të pushosh, të qëndrosh në prehje, në moslëvizje, në qetësi, në paqe, në gjendje ku nuk ka trazime dhe shqetësime.
☛ Prandaj, shprehja "U preftë në paqe!" është mallkim.
Po urojmë që i ndjeri (jo "i ndieri") të pritet copa-copa me thika dhe brisqe.
Kemi ndër mend një urim a një lutje të mirë, por përfundojmë duke e mallkuar atë që ka ndërruar jetë.
Sigurohuni që fjala që shkruani të ketë "h" dhe jo "f". Për t'i mbajtur mend më lehtë, përfytyroni si më poshtë:
♦ "F"-ja i ngjan thikës, që nënkupton prerjen.
♦ "H"-ja i ngjan kolltukut (divanit), që nënkupton pushimin dhe paqen.
2. "Mirë se vini!" apo "Mirësevini!"?
Shkruhet ndaras!
Shkruhen ndaras edhe këto variante:
♦ Mirë ardhshi!
♦ Mirë se erdhët!
♦ Mirë se të na vini!
♦ Mirë se të na vijë! (ai/ajo)
3. "Kalo mirë!" apo "kalofsh mirë!"?
"Kalo" është mënyra urdhërore e foljes "kaloj", veta e dytë njëjës (ti). Nënkupton urdhër.
☛ T'i thuash dikujt "Kalo mirë!" do të thotë ta urdhërosh që të kalojë mirë, a thua se ai nuk ka qejf të kalojë mirë dhe pret urdhrin tënd!
Trajtat e sakta janë:
♦ "Kalofsh mirë!" (ti) dhe jo "T'ia kalosh mirë!"
♦ "Kalofshi mirë!" (ju) dhe jo "T'ia kalojnë mirë!"
♦ "Kaloftë mirë!" (ai/ajo) dhe jo "T'ia kalojë mirë!"
♦ "Kalofshim mirë!" (ne) dhe jo "T'ia kalojmë mirë!"
Kjo sepse trajtat me lidhoren (të bësh diçka) kanë ngjyresë urdhërimi (kjo shprehet me idenë "është e udhës të bësh diçka") dhe jo dëshire ose urimi.
4. "Falemnderit!" apo "Faleminderit!"?
Të dyja. Varet kush flet dhe kujt i drejtohet.
♦ Të falem nderit! (unë ty)
♦ Të falemi nderit! (ne ty)
♦ Ju falem nderit! (unë juve)
♦ Ju falemi nderit! (ne juve)
Por: Faleminderit! (si lokucion)
▬▬▬
[Marrë me shënime nga "Manuali i Jonisit për përkthimin"]