Libri Akademik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Libri Akademik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Share

Ekspozim i botimeve të Akademisë së shkencave, si një ndër botuesit kryesorë të letërsisë shkencore cilësore në Shqipëri, për shkencën shqiptare.

Godina e “Librit Akademik” është një hapësirë dedikuar promovimit dhe ekspozimit të librave studimorë të akademikëve, profesorëve dhe kërkuesve shkencorë, shqiptarë dhe të huaj. Përmes ristrukturimit të ambjenteve në bashkëpunim me TIKA-n, Akademia e Shkencave ҫmoi rëndësinë që ka popullarizimi i drejtpërdrejtë për publikun i botimeve shkencore të Akademikëve shqiptarë e përpos tyre edhe i mendi

Photos from Libri Akademik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë's post 15/06/2023

Prof.asoc.dr. Marenglen Kasmi: Fjalori serbisht-shqip me rreth 80.000 fjalë i Rexhep Zllatkut

-Ky fjalor është padyshim vepra e jetës së tij. Ka punuar mbi 15 vjet në mënyrë intensive, bazuar në një punë përgatitore mbi 40-vjeçare

Prof.asoc.dr. Kasmi: Botime të kësaj natyre vlejnë edhe në hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, ku Qendra e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike ka rolin e saj si drejtuese e përgjegjëse para Kryesisë së Akademisë së Shkencave për realizimin e këtij projekti





Fjalori serbisht-shqip i Rexhep Zllatkut

Nga prof.asoc.dr. Marenglen Kasmi

Së pari, është një kënaqësi e veçantë të j*p disa konsiderata për këtë vepër të çmuar leksikografike të studiuesit Rexhep Zllatku, duke dashur njëherazi edhe të kufizoj qysh në fillim trajtesën time vetëm në disa aspekte të përgjithshme, duke qenë se nuk jam studiues i fushës së gjuhësisë.

Sigurisht që kolegët e tjerë të fushës, do të flasin gjerë e gjatë për arritjet dhe vlerat e kësaj vepre voluminoze që kemi sot në duar.
Në këtë kontekst, e uroj autorin për punën voluminoze dhe që na mundëson që sot të kemi në duar këtë fjalor serbisht-shqip me rreth 80.000 fjalë, e cila është padyshim vepra e jetës së tij, për të cilën ka punuar mbi 15 vjet në mënyrë intensive, bazuar në një punë përgatitore mbi 40-vjeçare.

Sa më sipër, unë dua të ndalem shkurtimisht vetëm në disa aspekte, në rëndësinë e botimeve të kësaj natyre dhe në rolin që luan ky fjalor dygjuhësh serbisht-shqip, në hartimin e fjalorit të madh të gjuhës shqipe, ku Qendra e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike ka rolin e saj si drejtuese e përgjegjëse para Kryesisë së Akademisë së Shkencave për realizimin e këtij projekti.

Fjalori që po promovojmë sot, mund të jenë burim i vlefshëm në procesin e hartimit të një fjalori shpjegues (si FMGJSH). Edhe pse qëllimi kryesor i fjalorëve dygjuhësh është të ofrojnë përkthime midis dy gjuhëve, ata mund të ofrojnë ende disa përfitime në kontekstin e hartimit të një fjalori njëgjuhësh. Ndër këto përfitime mund të përmenden:

1. Sqarimi i kuptimeve të fjalëve

Fjalorët dygjuhësh shpesh ofrojnë shpjegime dhe përkufizime të hollësishme për fjalët në të dyja gjuhët. Këto përkufizime mund të ndihmojnë hartuesit për të thelluar kuptimin e fjalëve të caktuara ndoshta më pak të përdorura dhe më pak të hasura në korpusin e shfrytëzuar (ose termave të fushave të caktuara), që mund të çojë në përkufizime më të mira. Duke iu referuar përkthimeve dhe përkufizimeve në një fjalor dygjuhësh, hartuesit mund të sqarojnë nuancat dhe kuptimet e ndryshme të një fjale, të cilat mund të rrisin saktësinë e përkufizimeve në fjalorin tonë njëgjuhësh.

Sa i përket fjalorit që kemi në dorë, kjo është edhe më e rëndësishme nëse i referohemi marrëdhënieve shqiptaro-serbe, të cilat kanë diktuar pa dyshim edhe raportet socio-linguistike dhe socio-politike ndërmjet dy gjuhëve dhe rrjedhimisht kanë kushtëzuar edhe leksikografinë dygjuhëshe serbisht-shqip.

2. Identifikimi i sinonimeve dhe antonimeve

Fjalorët dygjuhësh shpesh rendisin sinonime dhe antonime në të dyja gjuhët. Gjatë shkrimit të përkufizimeve në një fjalor shpjegues, identifikimi i sinonimeve dhe antonimeve mund të jetë i dobishëm për ofrimin e termave ose shprehjeve alternative që përcjellin kuptime të ngjashme apo të kundërta. Këto sinonime dhe antonime mund të ndihmojnë hartuesit të shmangin përsëritjet dhe t’u ofrojnë përdoruesve një gamë më të gjerë zgjedhjesh.

3. Referencat e kryqëzuara:

Fjalorët dygjuhësh shpesh përfshijnë referenca të kryqëzuara midis fjalëve të lidhura në gjuhë të ndryshme. Këto referenca të kryqëzuara mund të udhëheqin hartuesit drejt fjalëve alternative ose koncepteve të lidhura në fjalorin shpjegues. Duke eksploruar lidhjet midis fjalëve në gjuhë të ndryshme, mund të zgjerohet kuptimi dhe mbulimi i termave të caktuar.

4. Shmangia e fjalëve të huaja të panevojshme

Gjatë krijimit të një fjalori shpjegues, është e rëndësishme të shmanget përdorimi i tepërt i huazimeve të panevojshme, prandaj fjalorët dygjuhësh mund të ndihmojnë identifikimin e përkthimeve barasvlerëse ose të përafërta duke mundësuar dhënien e përkufizimeve pa u mbështetur shumë në fjalë të huaja.

Në përgjithësi, fjalorët dygjuhësh ofrojnë një mori informacionesh dhe njohurish që mund të përdoren për të përmirësuar cilësinë dhe gjithëpërfshirjen e një fjalori shpjegues njëgjuhësh. Duke i përdorur ato si referencë, mund të jepen përkufizime më të sakta, të identifikohen sinonime, të eksplorohen koncepte të lidhura dhe të shmangen huazimet e panevojshme.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, dua të theksoj edhe kontributin që jep ky fjalor serbisht-shqip në çështjen e ruajtjes së identitet kombëtar, gjuhës e kulturës shqipe. Tashmë janë të njohura tezat e vjetërsuara sllave se gjuha shqipe është një “gjuhë minoritare” dhe “e një pakice kombëtare”.

Me të drejtë në parathënien e fjalorit Nijazi Muhamedi shkruan se “në këtë drejtim, Fjalori serbisht-shqip i Rexhep Zllatkut, që nga dita e gjenezës së kësaj ideje për t’i hyrë punës për përpilimin e tij, në gjithë gjerësinë e fjalësit që përmban, e reflekton besnikërisht atë angazhim të tij individual në kontekstet e ngarkuara socio-linguistike të kaluara për ta ruajtur, kultivuar dhe afirmuar dinjitetin e hazinesë së shqipe në tërësinë e saj socio-kulturore dhe identitare në të gjitha funksionet e përdorimit të saj dhe me synimin tepër të qartë, duke ngritur një digë të qëndrueshme kundër fenomeneve të diglosisë dhe të dygjuhësisë zyrtare jo të barabartë, që kërcënonte gërryerjen e identitetit leksikologjiko-leksiko-grafik, sintaksor dhe idiomatik të shqipes si rrjedhojë e dominimit socio-politik të serbishtes ndaj saj”.

Realiteti historik i ka ndarë shqiptarët në dy shtete.

Në shtetin më të ri shqiptar, Kosovë, në rrafshin institucional si shqipja ashtu edhe serbishtja, janë gjuhë zyrtare të barabarta. Kështu që, ky fjalor i vjen në ndihmë pikësëpari pikërisht përdoruesve të saj, përkthyesve të këtyre gjuhëve, ku nevoja për një fjalor gjithëpërfshirës dhe të standardizuar serbisht-shqip ishte tashmë evidente prej kohësh.

www.akad.gov.al

Photos from Libri Akademik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë's post 15/06/2023

Dr. Brunilda Prifti: “Hyrje në shkencën e letërsisë” e Jakov Xoxës: informacioni, konceptet, ideologjitë

Prifti: Uroj që botimi fototipik i veprës "Hyrje në shkencën e letërsisë", në këtë kremtim të 100-vjetorit të lindjes së tij, të jetë një nisje e mbarë për t’i dhënë vendin meritor pedagogut dhe shkruesit të teorisë së letërsisë për breza të tërë studentësh. -






Nga dr. Brunilda Prifti

(Abstrakt)

Jakov Xoxa si teoricien i shkencës së letërsisë u la në heshtje. Për veprën e tij shkencore nuk u fol, ndonëse ai ishte themeluesi i lëndës "Hyrje në shkencën e letërsisë" dhe ligjërues i saj në Universitetin e Tiranës që prej 1957-s.

Vepra e tij, informacioni që jep, mbështetja teorike, konceptet e tij për teorinë e letërsisë janë në thelb të kësaj kumtese, pa anashkaluar edhe ideologjinë.
“Hyrje në shkencën e letërsisë” u botua në vitin 1962, pastaj më 1967 dhe 1979, si ribotime të vëllimit të parë. Në botimin e parë, nën siglën e Universitetit Shtetëror të Tiranës, krijuesi ka zgjedhur të shfaqet modestisht si përshtatës. Vepra e daktiloshkruar me 259 faqe vjen në formën e dispensës, shtypur në Drejtorinë e Botimeve të USHT. Hyrja në shkencën e letërsisë nuk nis me asnjë parathënie, nuk ka frontespic dhe as tryezë të lëndës. Kësisoj ne nuk njohim dot se prej kujt apo cilës vepër Xoxa i është referuar për përshtatjen. Duhet thënë se ky botim nuk vinte i vonuar, pasi teksti i Wellek dhe Warren që gjerësisht gjen referencë kur vjen fjala për teorinë e letërsisë e ka pasur botimin e parë më 1948.

Autori na përcjell konceptin e tij për artin dhe letërsinë, në një vepër të strukturuar në tri pjesë: Letërsia dhe Arti; Vepra letrare (analiza) dhe Procesi letrar: Stili, rryma, metodat artistike. Strukturë kjo e ngjashme me çdo vepër simotër të teorisë së letërsisë. Njësoj si edhe Teorija književnosti e Milivoj Solarit, veçse kjo daton më ’76-n.

Pjesës së parë, koncepteve dhe mbështetjes teorike, tok me shembujt e zgjedhur i ka kushtuar 42 faqe, duke nisur nga folklori dhe poezia popullore me karakterin sinkretik, fantastik, figurativ, realist.

Pjesa e dytë e librit i takon analizës së veprës letrare. Jemi në teorinë e vitit 1962 dhe Xoxa na flet për teorinë e emigrimit të subjekteve, duke e argumentuar si antishkencore dhe antipatriotike, madje edhe raciste sipas tij, ngjasimin e shpjeguar thjesht me huazimet e skemave të subjekteve që një popull më pak i zhvilluar merr nga më të zhvilluarit.

Ai ndalet në gjithë elementet e subjektit, sqaron tri rolet e gjuhës, diferencon katër trajtat e të rrëfyerit dhe analizon në detaje figurat stilistike, të sjella mes krijimtarisë së Mjedës, Poradecit, Migjenit, Naimit, Kadaresë, Pushkinit, etj.

Në 75 faqet e pjesës së tretë Xoxa ndalet në analizën e procesit letrar, që nga stili, rrymat dhe metodat artistike, ku numëron realizmin, romantizmin, klasicizmin, realizmin kritik dhe realizmin socialist.

Si mbështetje teorike në tekstin e tij gjejmë emrat e Bjelinskit, Zhdanovit dhe teorikut frëng të klasicizmit Bualo.

Në teorinë e tij Xoxa nuk mënjanon në përkufizime formalistët dekadentë, futuristë, surrealistë, abstraksionistë, por duke qortuar se ata vëmendjen e përqendrojnë jo te thelbi i fjalës, por te tingulli i saj.

Realizmi socialist zë një vend merite në shkencën e letërsisë së Xoxës, që për parim kryesor ka realitetin e jetës.

Kjo pjesë është doemos edhe ajo më e skuqura e krejt teorisë. Këtu do të ndeshemi me Marks, Engels, Lenin, Enver, me konceptin e formës nacionale, përmbajtjes socialiste, patosit patriotik socialist dhe humanizmit proletar.

Ne nuk dimë nëse teoricieni i shkencës së letërsisë ishte apo i duhej të ishte i ideologjizuar aq sa shfaqet në këtë përshtatje të tij. Por, nuk mund të mos konstatojmë se ka një hendek gati të pakalueshëm mes skuqjes ideologjike të teorisë së tij të letërsisë dhe përditshmërisë vetmitare të krijuesit. Ai zgjodhi me dëshirë internimin, vetedukimin mes fshatarësisë në Apoloni dhe i pari që iu largua kryeqendrës me vullnet të lirë.

Madje, duke pasur parasysh reformën në arsim në ’68-n, për ideologjizimin e skajshëm të teksteve mësimore e akademike, bash kjo vepër që na ngjan sot e skuqur, nuk u përfill të ishte më pjesë e dijes teoriko-shkencore, madje as e veprës së plotë të tij.

Ndaj, uroj që botimi fototipik i veprës "Hyrje në shkencën e letërsisë", në këtë kremtim të 100-vjetorit të lindjes së tij, të jetë një nisje e mbarë për t’i dhënë vendin meritor pedagogut dhe shkruesit të teorisë së letërsisë për breza të tërë studentësh.

www.akad.gov.al

Photos from Libri Akademik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë's post 14/06/2023

“Poetika e romaneve të Jakov Xoxës si shprehje e zhvillimit të romanit shqiptar.”

Belfjore Qose, Anila Mullahi






Abstrakt

Poetika e romaneve të Jakov Xoxës, na sugjeron nevojën për interpretime të rishikuara, si çdo vepër letrare e cila dëshmon tejkohësinë e saj, mbështetur në estetikën që rrezaton një imanencë të brendshme të tekstit. Në dritën e teorisë së receptimit, vepra riaktualizon kuptimin e saj përmes eksperiencës së lexuesit në kohë të ndryshme.

Brenda sistemit letrar shqiptar, vepra e J. Xoxës dëshmon realizmin e pasur, të ndërtuar sipas modeleve të romanit të madh realist botëror, duke e emancipuar dhe pasuruar letërsinë shqipe. Metodat dhe mjetet letrare, të pasura në llojshëri, e vendosin Xoxën në panteonin e Balzakut, Tolstoit, Floberit etj.

P.sh. shkrimi i veprave të ndërlidhura mes tyre (por që qëndrojnë edhe si vepra të pavarura), teknika e personazheve të rishfaqur nga vepra në vepër, rrëfimi prej narratorit të gjithëdijshëm, duke përfshirë disa linja rrëfimi dhe rrëfime në retrospektivë, që realizojnë shtrirjen e gjerë të romanit realist.

Lënda e gjerë jetësore dhe qëmtimi analitik, depërtues në natyrën njerëzore, i j*pin formë shumëdimensionale karaktereve njerëzore që Xoxa ndërton.

Realizmi buron jo si imitim kanonesh as si strukturë e imponuar, por nga intuita e brendshme e shkrimtarit dhe njohja që ka ai për natyrën e lirë të letërsisë. Aftësia për përgjithësime artistike është ajo që e bën materialin jetësor t’i mbijetojë kohës.

www.akad.gov.al

Photos from Libri Akademik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë's post 14/06/2023

Nga konferenca shkencore ndërkombëtare mbajtur në Akademinë e Shkencave, kushtuar shkrimtarit dhe studiuesit Jakov Xoxa me rastin e 100-vjetorit të lindjes

Valentina Leskaj: Si e kam njohur Dhurata Xoxën!






Si e kam njohur Dhurata Xoxën

Nga Valentina Leskaj

Këto ditë që shënjojnë 100 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa është folur e shkruar për jetën dhe veprën e tij si shkrimtar e studiues. Në fakt jo për shkak të thënies klishe që pas një burri të madh qëndron një grua e mënçur, po se Dhurata Xoxa është një grua që meriton të flitet dhe se e gjithë kjo javë veprimtarish, nuk do ishte e plotë pa hedhur dritë mbi një grua që ka qenë jo thjesht bashkëshortja e Jakovit po bashkëudhëtarja e ideve të tij, qysh nga koha kur ishin bashkë studentë e deri sa jeta i ndau.

Po unë do thosha edhe më tej, sepse Dhurata ka vazhduar të jetonte e kontribuonte për njohjen e jetëzimin e veprës së Jakovit edhe pas ndarjes së tij nga jeta.

Isha ende e re kur, si kryeredaktore e revistës "Shqiptarja e Re", nisa një rrugëtim të përbashkët me Dhuratën si anëtare e kolegjumit të revistës, ku kishim gra që kishin bërë emër në fushën e publicistikës, letërsisë e fusha të tjera.

Gjithsesi për t'u kthyer te Dhurata dua të them se ishte një gur i rëndë. Përveçse kishte studiuar jashtë, vinte nga një eksperiencë, nga Shtëpia Botuese "8 Nëndori", nga Universiteti si pedagoge në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, ( atëkohë Filologji) etj. Këto jo si një pasaportë për emrin, po realisht një eksperiencë më vlerë për gjithë ata që punonim me të.

Ndërkohë që nga sa e kam njohur nuk mund të ndash Jakovin, jetën e tijë, veprën e tij nga Dhurata, gruaja e mençur e sqimatare që iu përkushtua si rrallë ndodh. Them si rrallë ndodh, sepse Dhurata nuk ishte bashkëshortja, një grua e zakonshme e asaj kohe, ishte bashkëudhëtarja e një shkrimtari e personaliteti me dritë hijet e kohës, qysh prej ditës së parë të njohjes e deri sa ai dha frymën e fundit.

Nuk ishte gruaja që ndante shtëpinë, kujdesin ndaj fëmijëve, vështirësitë e jetës së një kohe të vështirë. Ishte gruaja që ndante idetë, gruaja që e nxiti edhe në kohët më të vështira kur Jakovit ju desh të përballonte, jo kënaqësinë e krijimtarisë, po sulme jo të lehta për shkak të kufizimeve të kohës apo edhe ambicjeve.

Në fakt nuk ishte bashkudhëtarja që e ngushëlloi, po gruaja që e nxiti e inkurajoi me mënyrën siç dinte Dhurata ta bënte. E ka bërë këtë deri në vetsakrifikim.

Dua të kujtoj një thënie të Dhuratës për goditjen në rastin e dramës Buçet Osumi, po e citoj: Jakovi thoshte gjysmë-qeshur e gjysmë me hidhërim: “Osumi në Berat, si gjithë lumenjtë tanë, buçet zakonisht dy-tre muaj në vit. Kurse Osumi i dramës sime .… vazhdon ende…!”

Kam patur rast të flas për pengje me Dhuratën, sidomos pas ndarjes së Jakovit nga jeta, dhe pengu më i madh nuk ishte që kishte lënë veten e saj pas dore, po fati i veprave të Jakovit e më së shumti projektet që ai nuk arriti t'i përfundonte.

Gjithmonë kam besuar se ajo e bëri me koshiencë e dashuri këtë gjë duke u tërhequr gati në hije, sepse e dinte se Jakovi ishte një një shkrimtar i përmasave të mëdha. Libri i saj me kujtime është dëshmia që tregon përkushtimin e veçantë.

Ndërkohë që kur bashkëpunonim me Dhuratën, në revistën Shqiptarja e Re, përveçse një profesioniste shumë e mirë, kam njohur një grua të matur e dashamirëse, ajo ishte e vërtetë, i bënte gjërat siç i ndiente e pa zhurmë dhe këtë e kishte pjesë të personalitetit të saj.

Dhurata shpesh dukej hijerëndë, në fakt ishte modeste sidomos kur vinte puna për vlerësimin e vetvetes. Kjo duket në hezitimet e dilemat që kishte për të folur për veten kur thotë se :

“miq” të Jakovit, janë ata që më nxitën fort, të mendoja seriozisht të ulesha për të shkruar kujtimet e mia për Jakovin, si një gjë që do kishte një vlerë të veçantë. Të them të drejtën, ky mendim, shumë vjet pas vdekjes së parakohshme të tij, kish filluar të merrte frymë, dhe ende nuk isha e bindur pikërisht në vlerën e kujtimeve të mia për të”.

Kjo drojë i vinte nga modestia.

Nga ato pak libra që lidhen me Dhuratën, që unë kam parë e lexuar në kohë, diku si redaktore e përkthyese, përkthimet ishin kryesisht nga gjuha ruse apo bullgare si Baj Gano të shkrimtarit Aleko Konstadinov, një zë i rëndësishëm në letërsinë bullgare, përmbledhja e tregimeve të Milto Gurrës, etj., tregojnë se Dhurata ishte një grua me potencial.

E vërteta është se ajo ju kushtua Jakovit, dashurisë të jetës së saj, po ishte më shumë se kaq, si grua e zgjuar ajo kuptoi peshën dhe vlerat e tij si shkrimtar i madh dhe u vu në shërbim të veprës së tij, ajo ishte lexuesja e parë, po edhe kritikja e parë.

Ndërkohë që iu dedikua më shumë familjes për t'i krijuar hapësirat e nevojshme Jakovit, duke sakrifikuar në një farë mënyre veten e saj për të.

Edhe kur jetuan bashkë, siç Dhurata e thotë në kujtime të saj, Jakovi shtrohej përpara tavolinës së punës dhe fillonte “çak-çak-un” e zakonshëm dhe monoton të makinës së shkrimit. Më pas, sa merrte pjesë në ndonjë bisedë e përsëri te tavolina e punës”.

Ndërkohë që ikja e parakohshme e Jakovit e bëri që t'i përkushtohej edhe më shumë ndriçimit të veprës së tij, duke i bërë një shërbim jo Jakovit apo familjes, po letërsisë shqipe dhe vet vendit të saj.

Kam patur fatin ta dëgjoj e prek ndjeshmërinë e Dhuratës për veprën e Jakovit, për të vërtetën, edhe pse rrallë, ka lënë disa shkrime për veprën e tij në shtypin e kohës, revistën "Nëntori", e më pas librin me kujtime, që i vjen në dorë lexuesit.

www.akad.gov.al

Photos from Libri Akademik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë's post 14/06/2023

Nga konferenca shkencore ndërkombëtare mbajtur në Akademinë e Shkencave, kushtuar shkrimtarit dhe studiuesit Jakov Xoxa me rastin e 100-vjetorit të lindjes

"Leksioni" i tij i fundit.....

(Në 100 vjetorin e lindjes së Atit tim, Jakov Xoxa)

Nga Agron Xoxa






"Leksioni" i tij i fundit.....

(Në 100 vjetorin e lindjes së Atit tim, Jakov Xoxa)

9 qershor 2023! Apolloni, aty ku u mbajt “Konferenca letrare-shkencore mbi jetën dhe veprën e Jakov Xoxës…

Ç’do doja të thoja sot në Apolloni, përkrah Mevlanit që shkonte e vinte, aty midis kolonatash, statujash e vazosh antike dhe njerëzve mbledhur, e që nuk e bëra dot?

Mbi të gjitha, do doja të shkoja me mëndje e trup edhe njëherë në atë 15 Prillin 2013, kur “100 vjetori” sotëm ishte ende dhjetë hapa larg dhe kur me Benin, tim vëlla, ngrohur në shpirt nga organizimi i asaj “ngjarje” të bukur në Apolloni me miqtë e Jakovit dhe administratën e bashkisë së përkushtuar, u hodh hapi i parë aq bukur!ai hap, solli dhe këtë ditë!

Dhe ku më mirë e më bukur, do kish dashur ai të “kujtohej” nga dikush, përveçse në Apolloninë e tij të heshtur e të madhërrishme? Ku mund të bëhej “kjo”, veçse atje, në rrethinat që e lindën dhe e rritën?

Megjithatë, përtej “asaj” dite të bukur e të bekuar që ndodhi dy ditë më parë në Tiranë në Akademinë e Shkencave, apo sot, në Apolloni, në Manastir dhe afër Dhomës muze, e lashë vehten dhe rashë në grackën e kujtimit dhe meditimit…

Dhe ja, m’u duk vetja 18 vjeç, kur një mbrëmje, lodhur nga rendja pas gjahut të shkurtëzave nëpër fushat pafund e me jonxhë të Sopit dhe përtej Pojanit, po ktheheshim me babanë dhe Lordin gjuhë-jashtë asaj dite të nxehtë fillimshtatori, me yjet nisur vezullimin e shndrrit’shëm, e në aurorën e diellit tek po binte ngadalë dhe shuhej mbi det; kur rrugës me bar të kodrrinës nga ana e perëndimit, po i ngjiteshim heshtazi e me frymëmarrje të shpeshtuar tek i afroheshim Manastirit memec të Shën Mërisë; si dy murgj me qenin besnilk nga pas, të një kohe të largët, si kur ata kthehen pas një dite të lodhëshme nga shtëpitë e varfëra të fshatarëve, jo për të mbledhur më tepër se ndihma për të tjerë edhe më të varfër se ata, se sa për gotën e dhallës së tharrtë e të shtruarit në oborr, ku xinxëri këndonte tenor dhe flitnin e flitnin me të shtëpisë e u qanin hallin duke rrëmuar nëpër xhepa dhe torbën supit, se mos gjenin ndonjë kothere buke të fortë t’ia jepnin gruas që u rrintë mbë këmbë, për një lugë përshesh me kos të rrallë deleje, të cilën e kishin ëndëruar gjatë tërë ditës.

Rrugina midis shqopishtesh të ulta, ferrash e gjëmbaçësh të shkurtër, na çuan tek varreza e Shën Thanasit, ku Jakovi qëndroi si për të marë frymë, a si për të pëshpërritur diçka pa lëvizje dore, me fytyrë kthyer nga kangjellat e derës së hekurt ku në të dy anët e saj rrinin fiksuar hijerëndë dy kryqe; ai u kthye një çast nga perëndimi mbi det, ku tashmë hija dhe nata kishin shtrirë mirë këmbët, ndaloi frymën e tha ngadalë: “Këtu, në këtë copë t**e rrethuar me varre e qiparisë; këtu, me kokën nga lindja për të vështruar përjetësisht perëndimin; këtu, mbi këtë kodrinë ku hedh e vështron lirisht të katër anët e horizontit si për të ndalur kohën e për të matur vehten; këtu, pikërisht këtu do desha të shtrihesha herës time të përgjithmontë…”.

Unë heshta nga ai rrëfim i papritur, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë nga goja e tij, kur dëgjova zërin e tij të thellë, të vazhdonte: “Gon, të kam treguar ndonjëherë se çfarë e pret njeriun, pasi ai ndahet nga njeriu? Se çfarë ndodh, kur i zhgënjyer dhe i mohuar nga gjithshka përreth, e merr trishtimi në krahërror dhe kur ai njeriu, kërkon ti futet e të rrëmojë tokën e të hapë varrin, me duart e tij…? Të kam thënë ndonjëherë, se ajo që “i jep” njeriu-njeriut, është po aq e padrejtë në krahësim, me atë që po ai, përpiqet me çdo kusht “ti marë” me çfarëdo ti vijë dore, tjetrit?

Heshtëm një çast. Unë po përpiqesha të kuptoja se “përse” dhe “çfarë” po donte të thonte ai me ato fjalë, kur mendimi më shtegtoi dhimbshëm tek ngjarrjet e pazakonta që kishin filluar të ndodhnin e po vazhdonin ende, që nga ai vit i mallkuar, 1972…

U ulëm në atë stolin prej druri, që e gjen me aq kënaqsi në atë bregoren e bekuar katrore dhe të sheshtë, me dy qiparisa të mëdhej dhjetra e dhjetra vjeçarë, nga ku syri të ngopet ditës me horizontin e fushës, me vijën e pyllit Mbret të Pishporros që ndahet e puthet me detin, dhe natës, kur rri e vështron yjet mbi vehte dhe kujton me ngazëllim çfarë ke më për zëmër, kur ai vazhdoi përsëri dhe unë i çuditur, nga ajo dëshirë për të folur, aq i përkorë në fjalë:

“Përtej llogjeve dhe llafazanerive, Gon”, -vazhdoi, duke hedhur vështrimin mbi yjet, që tashmë shndrrisnin për qejf, -“kjo botë dhe ne njerëzit rrijmë e vërtitemi me njëri-tjetrin apo me sendet që kemi në dorë, nëpërmjet ligjesh a zakonesh të shprehura apo jo, të shkruara apo jo, ku mbizitërrojnë dy të tilla ligje e kanune po aq të vjetër sa jeta në Univers: Dashuria dhe Interesi! Janë si dy shemra, si dy gra të bukura kur vështrojnë njëra-tjetrën; si dy thika dyluftimi, si dy tyta topi a zjarresh të kundërta, që i bien apo shkretojnë njera-tjetrën pa mëshirë! Dashuria, nga njëra anë, që mund dhe thyen çdo ligj të njeriut dhe botës ku ai jeton dhe interesi, rregullatori i vetëm që mbretëron shoqërinë njerëzore! Interesi e shtyn botën përpara; “ai” vë në lëvizje çdo gjë që merr frymë apo send të ngurtë; “ai” merr dhe jep gjithshka; “ai” shkon përtej çdo dinakërie dhe urrejtje njerëzore! “Ai” thyen çdo raport njerëzor, edhe atë të shënjtë të familjes! Interesi, interesi Gon, shkatërron çdo pjesëz të bukur që ka në shpirt njeriu; “ai” mund dhe shkatërron çdo vepër ngritur me aq mund nga ai; “ai” e bën mosmirnjohës këdo, ndaj çdo të mire që i vjen njeriut nga një tjetër; “ai” komandon çdo marrdhënie njerëzore; “ai” bën që njeriu të ngrerë dorën mbi tjetrin; “ai” bën të ndahet dhe urrehet për vdekje vëllai me vëllanë, motra me motrën; “ai”, po ai bën që djali të mohojë të jatin, bija të harrojë të jëmën…! Interesi, veçse ai është që dikush deri dje lëpinte çdo gjë tënden, e sot e pështyn; “ai” është, në çdo hapsirë që ndan njeriun nga njeriu, në çdo frymë që merr e nxjerr; në çdo mendim e çdo tjetër, edhe kur e rrëzon dhe e shkatërron një njeri, edhe kur atë e ngre madhështor mbi këdo…! Atë do gjesh shtruar këmbëkryq Agron, nga kur do duhet ta jetosh jetën e deri sa të ikësh! Atë do ta kesh përpara kudo dhe kurdo! Atë do gjesh në çdo shtrëngim dore, apo miklim djallëzor miku! Atë do ta kesh me vehte edhe ti, kudo! Interesi, dhe sikur të ish “ai”, edhe një gram më i lehtë, bota, ajo do ishte ndryshe…!

Ai heshti!
Dhe vazhdoi duke u ngritur e vështruar drejt dritareve të ngushta të “katit të dytë’ të pjesës ballore te Manastirit: “Hajde Gon, hajde të shkojmë në dhomë! Dhe të urojmë krijuesin e kësaj bote, kushdoqoftë ai, që këtij të mallkuari interes, i vuri përballë Dashurinë, e vetmja që mund të shpëtojë botën; e vetmja që mund të nxjerrë njeriun nga mekanizmi djallëzor i interesit…”

Hymë në oborrin e heshtur të Manastirit dhe aty na u afrua ngrohtë, hija e gjatë e xha Pilos, mikut dhe guidës së vetme të qytetit antik të Apollonisë…

Sot, pas kaq e kaq vitesh, u përmënda nga ai kujtim dhe i mallëngjyer përqafova i përmalluar dhe mirënjohës Shaban Sinanin, “mikun” e madh të veprës së Jakovit, “predikatori” besnik që mundi me mbështetje të shumëkujt përreth, të realizonte këto dy ditë të 100 vjetorit të Lindjes! E përqafova përsëri dhe ndjeva një çlirim të madh barre dhe mora frymë lirisht nga ajo peshë e rëndë…

***

Agron Xoxa, -djali i shkrimtarit Jakov Xoxa

www.akad.gov.al

Photos from Libri Akademik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë's post 13/06/2023

Nga konferenca shkencore ndërkombëtare mbajtur në Akademinë e Shkencave, kushtuar shkrimtarit dhe studiuesit Jakov Xoxa me rastin e 100-vjetorit të lindjes

Dr. Dorian Koçi: Perceptimi për të ndryshmin në romanin "Lumi i vdekur"

-Dr.Koçi: Në roman vërehen tre nënshtresa kuptimore, përsa i përket perceptimit për të ndryshmin në shoqërinë shqiptare, nga të tjerët dhe paragjykimet e ndërtuara mbi ta. Një bosht qendror në
roman zë binomi i etnonimeve krahinore shqiptare, kosovar-myzeqar që shpesh herë alternohet dhe me etnonimet gjeografikë, malësor-fusharak. -






Perceptimi për të ndryshmin në romanin "Lumi i vdekur"

Nga dr. Dorian Koçi

Romani “Lumi i Vdekur” është një roman polifonik që ngërthen në detaje strukturën sociale të krahinës së Myzeqesë, bërthamën urbane të qytetit të Fierit, proceset sociale të ngjizjes së
ekonomisë së lirë si kontaktet sociale dhe paragjykimet e Tjetrit.

Romani është një pasqyrë e ndryshimeve sociale dhe urbanizimit të shpejtë që hyri shoqëria shqiptare në periudhën midis dy luftërave botërore, ku spikasin mbi të gjitha problemet sociale të trashëguara nga ancient regime i Perandorisë Otomane dhe lirisë individuale dhe ekonomike në shtetin e rimëkëmbur shqiptar pas Kongresit të Lushnjës; me një sërë reformash ekonomike dhe shoqërore nën modelin e urbanizimit të shteteve të Ballkanit pas rënies së Perandorisë Osmane dhe kapërcimin e hendekut ndarës ndaj zhvillimeve politike, ekonomike dhe kulturore në kontinentin e vjetër.

Në roman vërehen tre nënshtresa kuptimore, përsa i përket perceptimit për të ndryshmin në shoqërinë shqiptare, nga të tjerët dhe paragjykimet e ndërtuara mbi ta. Një bosht qendror në
roman zë binomi i etnonimeve krahinore shqiptare, kosovar-myzeqar që shpesh herë alternohet dhe me etnonimet gjeografikë, malësor-fusharak.

Ky perceptim shpreh një mendim të rrënjosur në psikologjinë tradicionale të maleve shqiptare ku banorët e fushave dhe ultësirave shikoheshin si një konglomerat ndjesish negative të tradhtive, intrigave dhe imoralitetit. Ky konglomerat ndjesish negative shikoheshin, jo si rrjedhojë psikologjike e zhvillimit të ndryshëm nën autoritetin e pushtetit perandorak osman ku sundonte sherihati dhe e drejta kanonike ortodokse, por si një imperativ biologjik, si një rezultat i paevitueshëm i jetesës së tyre. Sipas këtij intepretimi, thelbi i vërtetë i fusharakut, banorit të ultësirave karekterizohet nga një shthurje e trashëgueshme, sikur të ishte ndonjë karekteristikë fizike e tyre.

Ndërkohë meritë e veçantë e Jakov Xoxës është se ngrihet përtej këtyre paragjykimeve të rrënjosura dhe mbi binomin një gjuhë e një gjak përçon idenë e vetdijes kombëtare të strehuar në
mendimet e personazheve të veta.

Pikëpamja për këndëvështrimin mbi Tjetrin, mbi të ndryshmin ka vite që është sanksionuar si normë e leximit të teksteve të paktën që nga vepra “Orientalizmi” i Edward Said në 1978.

Romani "Lumi i Vdekur" me koloritin e personazheve dhe ngjarjeve që mbart është një tekst, ku mund të shihen disa tipare të shpërndarjes e shqetësimit gjeopolitik e kulturor në një tekst
estetik e filologjik. Rileximi i tij si një sfidë e tillë është një përpjekje që mbështetet në tekstin letrar.

www.akad.gov.al

Photos from Libri Akademik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë's post 13/06/2023

Nga konferenca shkencore ndërkombëtare mbajtur në Akademinë e Shkencave, kushtuar shkrimtarit dhe studiuesit Jakov Xoxa me rastin e 100-vjetorit të lindjes

Majlinda Rama: Një vështrim i përgjithshëm mbi romanin “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxës

-Mjeshtëria e narrativës epike

-Personazhet e “Lumit të vdekur’’ - modele të tipeve shoqërorë të kohës

-Gruaja në roman - Vita

-Metafora e lumit

-Stili dhe gjuha






Në letërsinë shqipe, Jakov Xoxa qëndron si një figurë e shquar, i njohur për kontributin e tij të çmuar në peizazhin letrar të vendit, të cilit i atribuohet një epokë letrare, ajo e romanit realist (në gjysmën e dytë të shek XX), një zhanër letrar që pati vonesat e veta tek ne, krahasuar me përvojën e romanit realist klasik në letërsinë europiane.

I lindur më 15 prill 1923, në qytetin e Fierit, pasioni i Xoxës për të shkruarin dhe përkushtimi i tij në portretizimin e realiteteteve shoqërore e sociale të vendit, lanë gjurmë të pashlyeshme në botën letrare të kohës, me jehonë edhe në ditët tona. Ndonëse karriera krijuese e Jakov Xoxës njeh disa lloje të mëparshme shkrimi, duke e shpërfaqur atë si poet, tregimtar dhe dramaturg, Xoxa do të ngjiste apogjeun e vet me kryeveprën voluminoze, “Lumi i vdekur”. Ky roman tripjesësh do të shënonte, arritje, jo vetëm për shkrimtarin, por edhe për letërsinë shqipe. “Lumi i vdekur” e futi letërsinë shqipe në një drejtim të ri letrar, në përvojën e romanit realist klasik, (ngjashëm me letërsinë evropiane të shekullit XIX që e vijoi rrugëtimin edhe në shekullin XX).

Në fakt, jo vetëm romani realist, por vetë romani si zhanër letrar, pati problemet e veta në Shqipëri. Ai u karakterizua nga një performancë e zbehtë, njohu zvarritje dhe “kapërcime etapash”, në ndryshim me përvojën që pati në Europë, me një traditë disashekullore. Edhe ato pak prurje që i erdhën letërsisë shqipe, patën sfond historik, përmendim këtu romanin “Pse” të Sterjo Spasses apo “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, që panë dritën e botimit në fillimvitet ‘30, por nuk e përmbushën dot hapësirën boshe të krijuar.

Letërsia që u zhvillua pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që u njoh si letërsi e socrealizmit, i ndërpreu marrëdhëniet me traditat letrare të mëparshme, të zhvilluara para luftës. Pas kësaj periudhe, bota letare e kohës mëtoi të zhvillohej nën konvencat dhe tiparet e ngurta të realizmit socialist, pra me shkollën e vetë letrare, ku ideologjia dhe parimi letrar u panë si një e tërë. Kështu, romancierët që botuan në vitet ’50, ndonëse tentuan linja të romanit social, përmendim, Dhimitër Shuteriqin me “Çlirimtarët” në 1952, Sterjo Spassen me “Ata nuk ishin vetëm”, 1952, Fatmir Gjatën me romanin “Këneta” në 1959, të cilët i dhanë hapësira heroizmit të luftës për çlirimin e vendit dhe mesazhit për fuqizimin e socializmit.
Por, drejtimi i realizmit tek ne, nuk mbërriti të zhvillohej tamam, pra plotësisht, edhe për faktin se nuk arriti të merrte kohën e nevojshme për t’u zhvilluar, sepse siç dihet, me realizmin socialist letërsia do të vihen nën shinat e dogmës, me skema e teori letrare të inkuadruara në kallëpe fikse, çka e devijoi krijimin në një ngasje artifice. Si shkollë letrare për shkrimtarët nisën të shihen modele të realizmit socialist që vinin nga vendet e Bashkimit Sovjetik, duke qenë se një pjesë e mirë e shkrimtarëve dhe artistëve arsimoheshin në këto vende. Kjo e bëri edhe më të lehtë dhe më të shpejtë pranimin e këtij modeli teorik. Shembuj për arritjet e artistike në këtë kohë, u mbajtën emra të njohur, si Maksim Gorki, Majakovski etj.

Me pak fjalë, arti dhe letërsia u kthyen në instrumenta të propagandës, duke frenuar zhvillimin natyral të letërsisë. Tanimë shkrimtarët u detyruan t’i shërbenin ideologjisë së kohës duke u kthyer në shërbestar të sistemit, çka përjashtoi në një formë qëndrimin ideo-emocional të autorit dhe e shtynë atë drejt një botëkuptimi të ri letrar. (Po i përmend këto për të kuptuar se në çfarë presioni punonin shkrimtarët dhe artistët). Ky detyrim për t’u bërë pjesë e këtyre kallëpeve/formateve të ngushta të këtij modeli, me qëllim përjetësimin artistik e letrar të kohës, natyrisht që pati ndikimet e veta, pasi humbi hapësira e lirisë krijuese të shkrimtarit
Por, sikurse dihet, letërsia e mirë e kalon provën edhe në këto momente tensioni. E njëjta ndodhi edhe me Jakov Xoxën, i cili me fuqinë e talentit të madh, i thyeu rregullat. Me “Lumin e vdekur”, më tepër se realizmi si drejtim letrar, shkrimtarit duket se i interesonte njeriu, bashkë më tërë vërtetësinë e jetës së tij dhe, këtë, nxitet ta paraqesë sa qartë.
Me “Lumin e vdekur”, 1965 (i cili njohu disa botime të pjesshme në shtypin e kohës, në revistën Nëntori 1961), shkrimtari i dha një dimension tjetër gjinisë së romanit, u dha liri psikologjike personazheve, duke na i paraqitur me ndjenjat dhe mendimet e veta, me dëshirat dhe aspiratat për jetën, me vizionin dhe individualitetin e tyre…dhe, siç thotë studiuesja, Klara Kodra, “Jakov Xoxa me “Lumin e vdekur” i rikthehej realizmit kritik, ndonëse u detyrua ta fshihte atë nën pelerinën e realizmit socialist” .
Por, edhe kështu, ”Lumi i vdekur” nuk i shpëtoi tërësisht censurës së kohës, dhe kjo shihet në rimarrjen për rishikim disa herë të romanit, pas botimit të parë. Kujtoj këtu që, në kujtimet e veta, “Koha e kujtimeve”, Prof. Nasho Jorgaqi, përmend një moment kur kritika letrare e kohës kish nisur sulmet ndaj shkrimtarit Xoxa qysh me botimin e vëllimit më tregime nën titullin “Novela”.

“Por gëzimi im mori një goditje të papritur, kur pas pak kohësh lexova në shtyp një artikull të rreptë kritik për librin. Kritikohej për cene ideologjike, për doza impresionizmi, madje kishte vërejtje dhe për anën artistike, megjithëse nuk mohohej talenti i autorit” .
Këto sulme ndaj Jakov Xoxës do të vijonin edhe më pas, gjë që do ta bënte atë të tërhiqet tërësisht nga jeta intelektuale e Tiranës, për t’u mbyllur në Manastirin e Apollonisë.

Mjeshtëria e narrativës epike

Në romanet e tij, Jakov Xoxa pasqyroi jetën e myzeqarit në pragun e Luftës së Dytë Botërore, me gjithë kompleksitetin që vetë jeta e kohës ofronte, duke treguar me detaje mjedisin e Myzeqesë. Në fakt, kjo nënkuptonte krejt botën shqiptare të fundviteve ‘30, ku në mënyrë sintetike shkrimtari paraqet vuajtjet e fshatarësisë nën sundimit e mbretit Zog.

Këtë e bën, gati se, me një përpikmëri pedante, ku bashkon përsosmërisht estetikën krijuese me teoritë letrare realiste. Shkrimtari arriti të sillte të plotë dramën jetësore të fshatarit, sjelljen e tregtarit, të pasurit, bejlerit, mizorinë dhe arrogancën e tyre, sagën e vuajteve të vendasve dhe atyre që emigrojnë, të varfërve dhë të pambrojturve, të cilët duket sikur i bashkon i njëjti fill, dhimbja e përbashkët kolektive.

Nëpërmjet realizimit artistik, shkrimtari ia ka dalë të na sjellë një roman me mendim filozofik popullor, ku mjeshtërisht arrin të portretizojë personazhe të jashtëzakonshëm. Jakov Xoxa, ngjashëm me Balzakun dhe Ibanezin, “Fshatarët” dhe “Kasollja”, ndërtoi një roman tjetër në traditën tonë të të shkruarit, me në qendër shtresën shoqërore të fshatarëve të varfër, ndaj të cilëve është besnik t’ja paraqesë lexuesit ashtu siç i njihte; të gjallë, të papërpunuar; nuk i fetishizon ata, as pretendon të krijojë he**in ideal, nuk nxitet as të prodhojë personazhe të ndarë në kampe, nuk nxitet të krijojë modele orientuese për shoqërinë, porse të paraqesë gjendjen e përgjithshme të shoqërisë. “Duket sikur gjithçka e ka gjetur të gatshme dhe vetëm se i duhej ta shkruajë”, është shprehur diku Aristotel Mici.

Njeriu i zakonshëm i Jakov Xoxës, është njeriu që udhëhiqet nga dëshira të jetë i mirë, madje ndonjëherë edhe me pretendime të përsosmërisë, por brutaliteti i shtypësve, ligjet e rrepta dhe represiviteti i sjelljes së shtresës së pasur, i ndryshon ata thuajse tërësisht, u tjetërson karakterin dhe, në disa raste, i bën të humbasin personalitetin. Mbijetesa për ta ka çmim të lartë, (“Mbijeto ose vdis!”), prandaj, shpresat se mund të arrijnë t’ja dalin me ndershmëri, për të siguruar bukën, bëhen gati iluzive, sapo koha i vë në sprova. Jeta u shfaqet me rregullat e veta të pamëshirshme. (Kemi parasysh këtu, orvatjet/lëkundjet e Pilo Shpiragut).

Boshti kryesor në të cilin vihen ngjarjet, siç dihet, janë dramat sociale të tri familjeve, asaj të Shpiragajve, një familje myzeqare e dëbuar nga beu, familja e Tafilajve, familja kosovare, po ashtu e dëbuar nga pushtuesi sllav, konkretisht gjenocidi serb dhe familja e Koz Dynjasë, një familje myzeqare. Në këtë roman, autori eksploron në ndërgjegjen kolektive, teksa na sjellë të kaluarën dhe të tashmen e familjejeve shqiptare, këtej dhe andej kufirit.

Përmes karakterit të personazheve, Pilo Shpiragu, Leks Shpiragu, Koz Dynjaja, Lip Gjanica, Suat Bej Vërdhoma etj, betejave dhe aspiratat e tyre për një jetë më të mirë, uljeve, ngritjeve, dhimbjeve, Jakov Xoxa stigmatizon shtypësit, u bën sfidë normave dhe vihet përpjekje për të gjetur kuptimin e jetës dhe lirinë e individit, por edhe të shoqërisë në një botë të rreptë sociale. Këtë e realizon me një narrativë që e tërheq lexuesin në një udhëtim emocional dhe intelektual të thellë. Romanin e karakterizojnë ngjarje të mprehta dhe komplekse, si në rrafshin jetësor e social, varfëria, pasuria, statusi shoqëror i secilit personazh, ashtu edhe në rrafshin emocional dhe atë shpirtëror siç është, dashuria, inati, ironia, vetëironia apo përçmimi.

Subjekti i veprës trajton dy linja paralele, që konsiderohen edhe si tema kryesore të tij. Së pari, jeta e vështirë e fshatarësisë dhe përpjekjet e tyre ekzistenciale, mes dilemave, të vënë përballë politikave të përfitimit dhe zhvatjes nga tregtarët dhe bejlerët, dhe nga ana tjetër, linja e dashurisë romantike mes djalosh*t kosovar Adilit dhe vajzës myzeqare, Vitës, të cilët në një kuptim simbolizojnë bashkimin shpirtëror të dy vendeve.

Personazhet e “Lumit të vdekur’’ - modele të tipeve shoqërorë të kohës

Lumi i vdekur nga pikëpamja narrative dhe përshkruese është romani tipik shqiptar, që e trajton njeriun të plotë, me përjetime nga më të thjeshtat. Shkrimtari ka ditur të identifikojë karakteristikat e tyre fizike dhe emocionale, motivacionin e sjelljeve dhe konflikteve të tyre, parimet morale, ka ndërtuar karaktere, i ka sjellë ata me dobësitë dhe vlerat e veçanta, me lëkundjet psikologjike dhe ndjenjësore, ndonëse binte ndesh me parimin e realizmit socialist. Shohim personazhet: Pilo Shpiragu, Koz Dynjaja, Suat bej Vërdhoma dhe Vita, etj.

Pilo Shpiragu është figura më komplekse e romanit, është vizatimi i tipit shoqëror, i mendësisë së fshatarit, me luftë e përplasje të brendshme shpirtërore, me lëkundje, kundërshti, përplasje psikologjike e pasiguri. Personazhi i tij është shëmbëllimi i njeriut të kohës, i pambrojtur. Portretizimi i tij bëhet nëpërmjet rrëfimit, por edhe përshkrimeve të hollësishme. Për të treguar se si shpërbëhej krenaria dhe dinjiteti njerëzor përballë mjerimit ekonomik, shkrimtari e vë personazhin e Pilo Shpiragut në dy situata sa të ngjashme, aq edhe diametralisht të ndryshme në një sens, por ajo që vihet në theks është qëndrimi i Pilos, i cili e bën lexuesin ta përjetojë këtë dramë të thellë, po aq sa vetë personazhi.

Për ta ilustruar, kujtojmë njërën ngjarje; për të mbrojtur nderin e së shoqes, Piloja detyrohet të kryejë vepër penale, duke e plagosur Vërdhomën, i cili njihej për pasionet erotike të shfrenuara. Ky qëndrim i Pilos u bë shkak që beu ta përzinte nga fshati Grizë, bashkë me familjen. Ndonëse Piloja e dinte se ky do të ishte ekzekutimi ekonomik i tij, pranon të përballet me dinjitet, duke ruajtur nderin e familjes.

Por në një moment tjetër, pasi u lodh dhe rraskapit për të mbijetuar, në një rrugë pa dalje, ai e humb arsyetimin, e kapërcen krenarinë, i harron çështjet e nderit dhe i përulet Suat Bej Vërdhomës, duke i dërguar të bijën si shërbyese në shtëpi, ndonëse i njihte sjelljet e beut.

Koz Dynjaja, personazh tjetër i romanit, është modeli i fshatarit pa prona. Ai njihet për zgjuarsinë, shquhet për sens të lartë humori dhe ironi, ndonjëherë edhe vetëironi. Ai krijon dialogë, debate, hedh e pret romuze. Koz Dynjaja portretizohet me fuqi kundërshtuese dhe është i papepur për t’i sfiduar kundërshtarët. Me shpirt kryengritës ai reagon ndaj ndryshimeve shoqërore. Duke e njohur natyrën e tij rebele, të dërguarit e beut, që shkojnë për të marrë taksën, për të tretën e rosave të egra, në fillim shkojnë të Koz Dynjaja, “Ai është koka e fshatit, jo kryeplaku. I duhet fërkuar koka që të ulet bishti”- shprehet Myftari i Veshnjës, njëri prej përfaqësuesve të Suat bej Vërdhomës).

Ndërkohë, Suat Bej Vërdhoma, është modeli i beut, përfaqësues i shtresës së lartë. Në të, autori ka mishëruar njeriun që sundon, tiranin që nuk njeh respekt për qenien njerëzore, që flet me ton urdhërues, që fyen vartësit, bujqit. Ai është edhe djallëzor, edhe imoral, është fytyra e bejlerëve të kohës, në dialogët e të cilit, shkrimtari ka vënë një leksik të larmishëm, me një fjalor të zgjedhur.

Gruaja në roman - Vita

Femrat mbajnë, po ashtu, një peshë jo më pak të rëndësishme në roman. Prania e tyre, herë e dukshme, herë në hije e plotëson subjektin, duke i dhënë më shumë ngjyra jetës të zymtë e të varfër. Jakov Xoxa tregon se është mjeshtër edhe në këtë pikëpamje, ai depërton në shpirtin e gruas, i potretizon ato me një sentiment të jashtëzakonshëm, duke i mbajtur në si zë kryesor të narrativës në roman.

Vita është një nga personazhet femra të romanit, e cila përfaqëson një figure të fortë, që përjeton një sërë sfidash dhe vuajtjesh në rrugëtimin e saj të jetës. “Qe bërë nënë para se të bëhej nuse”, thoët autori. Pas vdekjes së nënës, roli i Vitës bëhet më i pranishëm, sepse ajo, edhe pse fare e re në moshë, mban përsipër gjithë barrën e madhe të familjes, duke u kujdesur për foshnjën jetime.
Duke qenë në një ambient tipik rural provincial, e rrethuar me burra në familje e fshat, Vita nis t’i fshihet jetës, bukurinë e saj fillon ta shohë si kurthin e saj, prandaj edhe kërkon t’ja fsheh hiret syrit të botës. Në këtë mënyrë ajo kërkon të mbrojë edhe lirinë e vetes, që të mos përflitet dhe ngacmohet. Përshkrimet për zhvillimin e saj femëror, për mendimin tim janë ndër më emancipueset dhe të rralla në përvojën e prozës sonë, me një emocion drithërues.
Shohim fragmentin:
”Si vajza e rritur në mes atyre djemve në moshë, ajo ndjente një lloj drojtje, turpi, për ato shenjat që me ditë po i piqeshin e me orë po i shquheshin. Andaj nisi, një nga një, t'ia fshehë botës: në fillim, nën qepallat e gjata si halë gruri, mbuloi sytë levarashë, pastaj zgjati fustanin nja dy gisht, për të fshehur kufijtë e kofshëve dhe më vonë, kur pa se s'po ia dilte me të ndrydhur e me të shtypur gjoksit që po shpërthente pa e pyetur, përtheu kurrizin përpara dhe mundi, një farë kohe, t'i bëjë ballë sulmit të moshës së bukur, por të paturpshme. Por a e dini?... Ajo sikur kishte bërë këto për të tërhequr edhe më tepër sytë e botës”.

Vita, po ashtu, është një vajzë me zemër të ndjeshme dhe shpirt të lirë. Si bija e Pilo Shpiragut, familje shumë e varfër, ajo e përjeton mjerimin dhe varfërinë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Megjithatë, nuk lejon që kushtet e vështira të pengojnë synimet dhe ëndrrat e saj për një jetë më të mirë.

Ajo i jep lirinë vetes të dashurohet me Adilin, një personazh tjetër i rëndësishëm në roman. Kjo ndjenjë e pastër, është një ndriçim i jashtëzakonshëm në jetën e tyre të vështirë, por dhe një burim i shpresës për të dy. Pasioni i tyre rinor, që vjen me vrull e stuhi, është simbolika më e mirë, për të treguar se, edhe në atë jetë të tmerrshme, dashuritë shpërthejnë, ato nuk njohin konvenca shoqërore, porse lulëzojnë…. Dhe, Vita bekohet me këtë ndjenjë, ndër më të bukurat e universit njerëzor.

Nëpërmjet karakterit të Vitës, Jakov Xoxa paraqet një portret të fuqishëm dhe të frymëzuar, të një gruaje që përfaqëson zërin e të gjitha grave që përballen me vështirësi dhe mbijetojnë në një mjedis të pamëshirshëm, luftojnë për synimet e tyre dhe gjejnë rrugën drejt vetërealizimit emocional e shpirtëror.

Në të njëjtën kohë, shkrimtari ka gdhendur një galeri të gjerë personazhesh të grave, si, psh. Konxheja, Sofa, gruaja e hekurt që paraqitet si një burrneshë, me zërin që i dëgjohet dhe fjalën që i pret shpatë, Sanija, kosovarja që paraqitet me karakter të butë dhe bukuri të veçantë, po ashtu një vend të veçantë zë Dafina, që e mbron dhe ikurajon Vitën, etj.

Metafora e lumit

Metafora e lumit është një tjetër gjetje e mrekullueshme e Xoxës. Ajo që vlen të përmendet është pikërisht ngjallja e lumit, moment që përbën edhe pikën kulmore të romanit. Përshkrimi i ngjalljes së tij është i mrekullueshëm, një befasi kompozicionale, me detaje nga më mbresëlënëset. Lumi që ngjallet paraqitet si kundërvënie e fuqishme stilistike ndaj vetë titullit të romanit “Lumi i vdekur”. Në mënyrë simbolike, lumi i vdekur, të cilin e krahasojnë me gjarprin, papritur, një ditë për çudinë e të gjithëve, shpërthen me një llahatari të paimagjinuar. Dhe, nga një dëshmitar i mjerimit njerëzor të banorëve të vendosur rreth tij, si për ironi të fatit, zgjohet dhe vërshon.
“E dëgjon? Është deti. Po rreh të ngjallë gjarprin”.
Vërshimi i tij i papërmbajtshëm, deri në kufijtë e një legjende, sjell në vëmendje ndëshkimin që i bën natyra njeriut. Në njëfarë mënyre, është ky i fundit që e dëmton vazhdimisht natyrën, duke ndërhyrë e grabitur atë që është e saj, duke dezekuilibruar ligjet natyrore. Kjo drejtësi e vënë në vend, kështu, befasisht, sikur ndryshon edhe rrjedhën e ngjarjeve, si në rrafshin individual, ashtu edhe në rrafshin shoqëror. “U ngjall lumi i vdekur, mjerë ne të gjallët”.
Vërshimi i tij paraqitet me një situatë nga më tragjiket. Personazhet, Rrapi, Ndoni dhe Leksi me lebetitjen e tyre, me atë fjalor që përçon frikë prej një kataklizme natyrore, “Me forcat e egra e shkatërronjëse të natyrës” thotë autori, ndërsa më tej vazhdon, “Lumi ik, gjithë buçimë e batare, (ai sillte nëpër shtrat të tij grahmën e detit), e njeriu ndiq, gjithë gulçim e dhimbje, (ai sillte nëpër tru fytyrën e vdekjes), duke krijuar veprime, që zhvillohen në mënyrë paralele me njëra - tjetrën. Një metaforë kjo që na përshkruan tërbimin e lumit, i cili sikur qe i ngarkuar të sillte porosinë e detit të gjithëfuqishëm, përballë njeriut krejt të pafuqishëm për t’i bërë ballë zemërimit të natyrës. Ky fat në një mënyrë, unifikon njeriun, i cili, pa dallim shtrese sociale, bej apo bujk, është njësoj.

Stili dhe gjuha

Stili i të shkruarit të Xoxës karakterizohet nga përshkrime të gjalla dhe mprehtësi mbi detajet. Aftësia e autorit për të krijuar imazhe të vërteta, i lejon lexuesit të zhytet në botën që ai krijon, duke nxitur një lidhje të thellë emocionale me personazhet dhe përvojat e tyre. Në tërësi romanet e Jakov Xoxës, përfshi edhe “Jugën e bardhë” dhe “Lulen e kripës”, janë dëshmi e mjeshtërisë dhe angazhimit të tij për të portretizuar gjendjen njerëzore me ndershmëri dhe dhembshuri.

Meqë përmendëm edhe dy romanet e tjerë të Xoxës, desha të ndaj një qasje interesante të bërë nga profesoresha Klara Kodra, e cila nxit kërshërinë, duke gjetur elemente të kozmogonisë tradicionale në romanet e Xoxës, teksa na paraqet: “Elementin UJË (“Lumi i vdekur”), elementin AJËR (“Juga e bardhë”) dhe tërthorazi elementin TOKË (“Lulja e kripës”), meqenëse te toka rriten lulet, sidoqë ishte fjala për një lule të pazakonshme. Kjo sagë romanore të kujtonte sagat e fillimit të shekullit të njëzetë “Sagën e Forsajtve” të Gollsuorthit, “Budenbrokët” e Tomas Manit, “Veprën e Artamonovëve” të Maksim Gorkit” .

Në romanin “Lumi e vdekur”, ritmi narrativ i shtruar, përshkrimet dhe dialogët plot ngjyrim, episodet dramatike, bota psikologjike e personazheve, ndërtimi sintaksor i frazave, fryma e poetikës - me metafora e figura stilistike të qëlluara, fuqia e epikës – me skena nga më dramatiket (ku nuk mungojnë edhe tragjeditë familjare), vërtetësia dhe detajet që përdorë për ta paraqitur atë, e kanë bërë Jakov Xoxën një idividualitet të papërsëritshëm në letërsinë shqipe.
Përvec tematikës së përzgjedhur, ndërtimit të fabulës, gërshëtimit të shtyllave fabulare, ndërtimit të personazheve, një peshë të madhe mban gjuha që shkrimtari përdor.

“Lumi i vdekur” ka një organizim gjuhësor të jashtëzakonshëm, shkrimtari i ka shfrytëzuar gati të tëra strukturat e mundshme leksikore. Aq sa është e vështirë ta ndash se ku qëndron forma e ku përmbajtja, pasi ato absorbohen në një harmoni te skjashme me njëra - tjetrën dhe krijojnë artin elitar të fjalës.

Komunikimi mes personazheve është organik, secili flet gjuhën e vetë, shqiptari i Kosovës flet gjuhën e tij, myzeqari gjuhën e vet, komponentë që krijojnë aureolën e komunikimit së Shqipërisë së madhe. Veçori e gjuhës artistike është fuqia shprehëse dhe tipizuese. Autori ka arritur të mbledhë dhe përdor fjalë të zonës, të cilat njihen pak ose nuk njihen fare në gjuhën letrare shqipe. Autori ka shfrytëzuar më së miri, dialektet, komunikimin e zhargonit e përditshëm, gjuhën profesionale të lidhur kryesisht me bujqësinë, nuk mungojnë barbarizma, krahinorizmat, të cilat vihen në funksion të stilistëks, psh.“qahajabashi”, “të kam rixha”, apo gjuha metaforike e një fuqie artistike të veçantë, “Përjashta jeta vazhdon të vetën”, “Qan qielli, ulërin deti, thërret toka”, shprehjet frazeologjike, ”të kërcasë dajaku”, “i kishte futur xanxën”, “Kur të na vërë gërshërën e të na qethë”, ”t’u bëftë në grykë”, ”kuvendon si pasnesër” etj, epigrafët dhe sentencat e figurshme, “Gurin e rëndë të varrit të vdekurit ia vënë, por i gjallë e mban”, “Ditë e re, shpresë e re”, “Dale beg, se ka hendek!”, “Ah ky njeri i shkretë, rrënjë s’ka, por është lidhur me tokën si rrapi”, toponimet, një pjesë e të cilave emërtime lokale, vihen, po ashtu, në shërbim të dy funksioneve, tipizues dhe stilistik, të cilat nga pikëpamja narrative, duket sikur ndihmojnë në shpirtëzimin e vendeve. Përmendim: Kodra e Shën Marinës, Kodra e Shën Marinës, shëllirës së Shënpjetrës, mali i Sazanit, vargu i gjatë i Karaburunit, lumin e Semanit, kodrinat e Ardenices, fushën e Myzeqesë së Madhe, etj.

Më poshtë fragmenti:
“Më të mëngjër, Kodra e Shën Marinës, si ngrihej me një samar të lartë të Kodra e Shën Marinës, e kurorëzohej me rrethin e blertë të ullinjve të shtëpisë së frëngut ulej ngadalë si një gjuhë e zgjatur që kërkon të lepijë kripën në dorën e shtrirë të shëllirës së Shënpjetrës dhe pasta vinte e tretej me një rrafshinë tjetër të gjerë, me detin e pakufi. Në këmbët e kësaj bote të re të mjegullt dhe të panjohur për të ngriheshin si karakoll mali i Sazanit dhe vargu i gjatë i Karaburunit”.

Pasuria e madhe gjuhësore në romanin “Lumi i Vdekur” është dëshmi e pasurisë së ndjenjës dhe mendimit. Kur vjen fjala te gjuha dhe leksiku i Jakov Xoxës, vlen konstatimi i gjuhëtarit Androkli Kostallari, i cili ka zbuluar një regjistër leksikor mbi 10 mijë fjalë, ndërkohë që, një roman mund të mbajë një regjistër deri 4 mijë fjalë.

Dy fjalë në mbyllje

Jakov Xoxa, një ndër themeluesit e Universitetit të Tiranës, sot nuk lexohet në shkolla, nuk studiohet mjeshtëria e madhe e rrëfimit të tij, nuk lexohet as gjuha që ai përdor, që duhej trajtuar si një aset kombëtar, nuk lexohen, sepse shkrimtari është i ndaluar aktualisht në tekstet shkollore, për arsye, natyrisht jashtëletrare.
Prandaj, le të shërbejë ky 100 – vjetor për ta rilexuar dhe ridimensinuar në bazë të meritave artistike. Fëmijët tanë duhet ta njohin fuqinë e talentit të Jakov Xoxës, njohuritë e gjera teorike, punën krijuese të jashtëzakonshme, të cilat e pozicionojnë shkrimtarin, si nga shkrimtarët më të shquar të rrëfimit epik në letërsinë shqipe.

Të rinjtë duhet të dinë se Jakov Xoxa përcolli me mjeshtëri emocione shumë komplekse, duke u ofruar lexuesve një prozë social-psikologjike, ku në sfond u vu shpirtin njerëzor, betejat e tyre të përditshme dhe dinjitetin e natyrshëm, që ata ruajnë, pavarësisht rrethanave që prodhojnë regjimet represive e shtypëse, një mesazh që i përket çdo kohe.

“Lumi i vdekur” shfaq aftësinë e Xoxës për të ndërthurur në një formë edhe ngjarjet historike me reflektimet e thella filozofike, duke krijuar një rrëfim thellësisht introspektiv që magjeps lexuesit.
Ky roman duhet të na shërbejë ta shohim Xoxën si një shkrimtar që mundi të lundronte në mënyrë të përsosur në kompleksitetin e ekzistencës njerëzore. Është një nga veprat e rralla realiste me elemente moderniste, që, në çdo kohë mund të pranojë lexime të reja në disa perspektiva leximi.

Majlinda Rama

Want your school to be the top-listed School/college in Tirana?

Click here to claim your Sponsored Listing.

Location

Telephone

Address


Sheshi "Fan Noli"
Tirana
1111

Opening Hours

Monday 09:00 - 17:00
Tuesday 09:00 - 17:00
Wednesday 09:00 - 17:00
Thursday 09:00 - 17:00
Friday 09:00 - 17:00